Një adoleshent është arrestuar në aeroportin e Rinasit, teksa ka tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme.

Ngjarja ka ndodhur më 9 shtator 2017, ku është ndaluar nga një polic i kufirit shtetasi E. G., 17 vjeç, banues në Pukë.

Uniformat blu bëjnë me dije se i riu ka prerë rrjetën e rrethimit të pistës, duke kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme.

17-vjeçari donte të shkonte në Angli, ndërsa akuzohet për kalim të paligjshëm kufiri. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme penale. 

TIA: Si u pikas i riu sapo çau gardhin e pistës

Në lidhje me ngjarjen e pasqyruar në disa portale mediatike ditën e sotme, ku flitet për tentativën e një adoleshenti për të hyrë në mënyrë të paligjshme në pistën e avionëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës bën me dije se 17-vjeçari me inicialet E.G është pikasur menjëherë pas çarjes së gardhit rrethues të pistës nga punonjës të aeroportit.

Bazuar në procedurat e brendshme mbi rregullat e sigurisë, është njoftuar policia e Rinasit e cila ka bërë të mundur shoqërimin e menjëhershëm të tij në mjediset e komisiariatit të Rinasit. Theksohet se siguria e aeroportit nuk është kompromentuar në asnjë moment.

Shtetasi E. G nuk ka patur asnjë kontakt me pasagjerë apo mjet. Në dijeninë tonë, motivi i veprimit të tij ishte emigrimi jashtë Shqipërisë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

TIA do ta vlerësonte nga ana e enteve mediatike, që për çdo informacion që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, të merret konfirmim zyrtar nga kompania, në shërbim të saktësisë së lajmit dhe mënjanimit të çdo paqartësie.

TIA nxit transparencën e informacionit, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur në komunikimin me mediat. Ju falenderojmë për bashkëpunimin. 

 


Redaksia Online
D.Ç/Shqiptarja.com