TIRANË – Në aeroportin ndërkombëtar shqiptar “Nënë Tereza” në Rinas, Kosova rezulton ende pjesë e republikës së Serbisë. Ky fakt vërehet në lajmërimet zyrtare për fluturimet në këtë aeroport, të cilat publikohen minutë pas minuti në ekranet e mëdhenj të vendosura në te gjitha ambjentet, por edhe në faqen zyrtare të TIA (Tirana International Aeroport).
Sipas informacionit të nxjerrë nga kjo faqe ditën e sotme, në lajmerimet për fluturimet nga Prishtina, në krah të kryeqyteti të shtetit më të ri të botës, Kosovës shënohet inicialet e shtetit serb, Republika Srpska (Rebuplika Serbe). Në fakt ky shqetësim është sjellë në redaksinë e Shqiptarja.com nga disa prej pasagjerëve që kanë fluturar drejt Tiranës mbrëmjen e djeshme, nëpërmjet linjës ajrore Tiranë – Prishtinë.
Kompania ajrore, Jetairfly, e cila është një sipërmarrje belge në faqen e saj zyrtare e ka cilësuar Prishtinën si pjesë te Republikës së Kosovës, ndërkohë që krejt e kundërta ndodh në aeroportin “Nënë Tereza” në Shqipëri.

PAVARESIA
Kosova shpalli pavarësinë e saj 4 vjet më parë dhe bashkë me Shqipërinë, atë e kanë njohur edhe 88 vende të tjera të botës. E pavarësisht kësaj duket se shkëputja përfundimtare nga Serbia ende nuk ka gjetur zyrtarizimin në fluturimet ndërkombëtare.

KONCENSIONI
Aeroporti i Rinasit që prej fillimit të vitit 2005 është marrë me koncension në menaxhimin e fluturimeve dhe përdorimin e shërbimeve nga kompania private TIA. Koncensionari ka një kontratë prej 20 vjetësh dhe pronari ligjor, deri më tani i këtij aeroporti është qeveria shqiptare. Dhënia me koncension e aeroportit të Rinasit u firmos nga kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano.

(aq/shqiptarja.com)