DURRËS- Banoret e lagjes nr.7 në Durrës kanë protestuar para bashkisë, për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ata ngrenë shqetësimin e një mospërputhje midis ekspertizës së Institutit të Ndërtimit dhe bashkisë së Durrësit për pallatin. Protestës i janë bashkuar dhe qytetarë të cilët kanë mbetur jashtë skemës së përfitimit të fondeve.
Banorët e një pallati te lagjia nr.7 në Durrës që ndryshe njihet si Çezma e Ferrës, kanë protestuar përpara bashkisë së Durrësit, për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Banorëve u janë bashkuar dhe një numër qyetarësh, të cilët nuk kanë arritur të aplikojnë për të përfituar fondin për riparimin e banesave të dëmtuara.
Banorët pretendojnë se pallati i tyre, sipas ekspertizës së Institutit të ndërtimit është klasifikuar i dëmtuar në shkallën DS4 në një kohë që bashkia i ka akorduar fond riparimi sipas shkallës DS2.
"Na është nxjerrë pallati që sipas bashkisë paska rezultuar e banueshme, ka konstatime dhe shumë gjëra të tjera që e tregojnë pallatin DS3 dhe që është e pabanueshme. Përveç kësaj neve na kanë krijuar edhe një dëm tjetër, sepse përballë pallatit tonë ka edhe një pallat tjetër, që është pallati i Zv. ministres së Brendshme, shpërthyen atë dhe na kanë krijuar edhe dëme të tjera materiale", thotë një banor.
Ndërkohë, përfundimi i afatit të aplikimeve për fondin e riparimit të banesave të dëmtuara, ka lënë jashtë kësaj skeme një numër qytetarësh të cilët nuk arritën të aplikojnë për shkak të radhëve të gjata, ndaj kërkojnë që procesi i aplikimit të rihapet.
"Tani ne duam të bëjmë aplikimin, nuk e bëjmë dot. Të tjerët e kanë marrë, ne nuk e kemi marrë. Se nuk ka patur mundësi me e bë, prisni thotë ai, mundet të hapet nga data 10 a 12. Përderia i gjithë pallati ka dalë i riparueshëm atëherë po na takoi edhe neve mirë, po s'na takoi, asgjë", deklaron një banor tjetër.