Rinia e Kosovës në fokus të ndërkombëtarëve

Në Kosovë ende ka mjaft sfida të mëdha që pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të rinisë, ndër të cilat varfëria dhe gjithëpërfshirja e grupeve të të rinjve.
Sipas KosovaPress, kështu është thënë në takimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me mbështetje të Misionit të OSBE-së në hapjen e takimit koordinues me donatorë, në sektorin e rinisë në Kosovë.
Në këtë takim u tha se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet kësaj ministrie dhe partnerëve të saj kryesor në këtë fushë, do të ndihmojë shumë që rinia e Kosovës të promovojë punën e saj dhe të arrijë një zhvillim më të mirë.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger, tha se pasuria më e madhe e Kosovës është rinia prandaj, sipas tij, rinia është fokusi kryesor i ndërkombëtarëve që punojnë në Kosovë.
"Rinia përbën grupin më të madh demografik me një potencial të jashtëzakonshëm për tu bërë faktor i ndryshimit. Prandaj, rinia është në fokusin tonë", tha Schlumberger.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tha se ky takim nuk do të shërbejë vetëm si shprehje e vullnetit të mirë për angazhime të përbashkëta, por edhe si mundësi për konkretizimin e programeve të punës.
Ai tha se ata janë të interesuar për bashkëpunimin e mëtejshëm me partnerët të cilët kanë ndihmuar deri më tani këtë sektor.
"Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar për promovimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, për arsimimin cilësor të tyre, për promovimin e punës dhe parandalimin e diskriminimit", tha Shala.
Ndërsa shefja e zyrës së UNICEF, Laila Omar Gad, tha se, "OKB është duke ndihmuar shumë në zhvillimin e të rinjve kosovarë në mënyrë të barabartë, pa dallim etnie".
"Shtyllat e përfshirjes politike dhe sociale synojnë që të arrijmë të fuqizojmë rolin e të rinjve në vendimmarrje, për të siguruar që të rinjtë dhe të rejat e Kosovës qofshin ata shqiptarë, serbë, romë, ashkalinjë, apo egjiptian të kenë mundësi të barabarta", tha Omar Gad.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe partnerëve ndërkombëtarë, nga muaji qershor i këtij viti do të formohet një projekt pilot me GIZ-in gjerman, për promovimin e punësimit të të rinjve./atsh/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?