Pushimet 3 ditore të shkollës për shkak të motit të ftohtë kanë përfunduar këtë të enjte, ku nxënësit iu rikthyen bankave të klasës. Por çfarë bënë dhe si i shfrytëzuan këto 3 ditë? Të vegjlit ndanë me ne disa sekrete.

 “Ikëm në Shkodër me prindërit për pushime”- shprehet një nxënës.

“Duke lozur me shokët, kam dalë”-tha një nxënës.

“Kam dalë 1 orë dy orë dhe kam ardhur prapë”-tha një tjetër.

“Kam qëndruar në shtëpi, kam bërë detyrat e shtëpisë.”-u shpreh një tjetër nxënës.

Me rikthimin në shkolla të nxënësve u rikthye sërish dhe problematika e mungesës sëngrohjes në këto institucione.Nxënësit tregojnë se duhet të vishen shumë trashë pasi klasat janë të ftohta.

“S’kemi ngrohëse”-u shpreh një nxënës.

“Kemi një, por mezi ngroh. Kemi mbledhur lekët dhe e kemi blerë, por rrimë me xhupa, nuk i heqim fare”-thanë ata.

“Qëndrojmë me xhupa. Kemi një ngrohëse, por nuk ngroh ajo”.-u shpreh një tjetër.

Zërave se shkollat u mbyllën për shkak të mungesës së ngrohjes, ministrja e Arsimit Evis Kushi i është kundërpërgjigjur disa herë duke e mohuar se kjo ka qënë arsyeja kryesore. Por realiteti në shumë shkolla në kryeqytet dëshmon të kundërtën.