Pas tre ditëve reshjesh të dendura, një valë acari ka përfshirë Kosovën, me temperatura minimale që kanë zbritur deri në -5 gradë Celsius, duke e shndërruar qarkullimin rrugor në një sfidë të jashtëzakonshme.

Prishtinë, ngricat kanë krijuar vështirësi serioze në rrugë dhe trafik të rënduar, veçanërisht në autostradën që lidh kryeqytetin me Mitrovicën. Sipas mediave Kosovë, gjëndja e rrugës është përkeqësuar edhe si pasojë e mos pastrimit nga ekipet mirëmbajtëse. Megjithatë, sipas Agjensisë së Menaxhimit të Emergjencave, situata në kryeqytet është e menaxhueshme, pavarësisht valës së fortë të pakënaqësisë ndaj autoriteteve. 

“Nuk është vetëm Komuna e Prishtinës. Rrugët regjionale dhe rajonale janë të mbuluara me borë, ngrica, acar, shi e ujë. Askund nuk ka intervenim. Nuk e di pse kompanitë nuk dalin në terren, a kanë fituar tenderë apo jo, por është tmerr të përshkosh 20 kilometra për një orë”, tha një taksist në një intervistë për Kosovapress

Në zonën e Sllatinës, raportohen radhë kilometrike makinash si pasojë e ngricave. 

Prizren, reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë natës, por pastrimi i rrugëve ka nisur herët në mëngjes. Deri tani, qarkullimi aty raportohet të jetë i qëndrueshëm dhe pa pengesa të mëdha.

Mitrovicë, vërshimet e ujit janë të larta si pasojë e daljes nga shtrati të lumenjve Sitnica, Ibri dhe Lushta. Për pasojë, autoritetet kanë evakuar 15 familje.  Familje të tjera në fshatrat Lisicë dhe Kçiqi kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve për evakuiim. 

Përmbytje ka pasur edhe në fshatin Tomoc të Istogut që kanë vështirësuar qarkullimin. Situata është e ngjashme edhe në Deçan, ndërsa janë evakuuar me dhjetëra familje. Si pasojë e nivelit të lartë të ujit, një qytetar është detyruar të përdorë edhe motor uji për të lëvizur në rrugë.

Problemet me ujin e pijshëm prekin 5 komuna 

Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në cilësinë dhe furnizimin me ujë.

Në  Prishtinë fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak nuk ishin funksionale për shkak të turbullirës së lartë, ndërsa sistemet në Badovc dhe Batllavë funksiononin normalisht. Autoritetet në Prizren, Suharekë, Malishevë, Kamenicë, Mitrovicë kanë paralajmëruar se deri në një njoftim të dytë, uji i rubinetit nuk është i sigurtë për konsum. Vetëm në Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, uji është i pastër dhe i sigurtë për konsum. 

Situatë e vështirë deri në fund të javës 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ndërkaq ka paralajmëruar se  temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar deri në fund të javës, duke zbritur më tej nën vlerat zero gradë Celsius, dhe rritur rrezikun e ngricave në rrugë. Sipas IHKs, rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer do të jenë më të rrezikshme në këtë periudhë. 

Lajmi në përditësim