Protesta tek Unaza e Re/ Pas një ore e gjysmë në Komisariat, lirohen 5 të ndaluarit (EMRAT)

TIRANË- Pas një ore e gjysmë në ambjentet e Komisariatit nr.3 dhe nr.6, pesë protestuesit e Astirit janë liruar nga ambentet e Komisariateve nr.3 dhe nr.6. Pesë personat u ndaluan nga forcat "Shqiponja" menjëherë pas mbylljes së ditës së 28 të protestës në zonën e Unazës së Re. Në mbështetje të tyre në Polici shkoi deputeti i PD, Klevis Balliu.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se policia ka ndaluar: Altin Çekun, Shkëlzen Sadikajn dhe Gëzim Sadikajn, ndërsa emrat e dy të ndaluave të tjerë ende nuk dihen.  Menjëherë pas ndalimit të tyre, bashkëprotestuesit u mbledhën pranë ambjente të Komisaritatit nr.3 dhe nr.6, ku u shprehën se do të prisnin lirimin e 5 të ndaluarve.

Në një prononcim për mediat, njëra prej banoreve të zonës e pranishme në momentin e shoqërimit të banorëve, u shpreh se policia kishte ushtruar dhunë ndaj tyre teksa ata po përpiqeshin që të ndalonin shoqërimin në Polici të bashëprotestuesve.

Banorët e zonës prej disa kohësh kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe. Edhe gjatë zhvillimit të saj ditën e sotme, protesta u shoqërua me tensione mes banorëve dhe drejtuesve të mjeteve.

Disa prej shoferëve u shprehën të irrituar nga bllokimi i rrugës duke tentuar të kalojnë, por u penguan nga protestuesit, të cilët bllokuan rrugën në te dyja akset e saj. Por nuk ndodhi e njëjta gjë me një ambulancë, të cilën protestuesit e  lejuan që të kalonte.

Në mbështetje të banorëve, si herët e kaluara kanë qënë edhe deputetët e opozitës Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj, Edmond Spahio, Enkelejd Alibeaj, Klevis Balliu etj. 

Para nisjes së protestës, banorët e zonës vendosën që të mbajnë një minutë heshtje për vdekjen e ish-presidentit amerikan Geogre H.W. Bush.

Protesta e banorëve të Astirit është mbështetur nga Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha prej disa ditësh. Banorët kundërshtojnë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, pasi sipas tyre ky projekt prek shtëpitë e tyre. ARRSH ka sqaruar se banesat për të cilat kundërshtojnë banorët janë të palegalizuara, ndërkohë që Bashkia Tiranë ka ofruar zgjidhje për ta, bonusin e qirasë dhe strehimin nëpër banesa sociale. Protesta zhvillohet në një kohë kur IKMT vazhdon shembjen e banesave dhe pastrimin e zonës për të bërë të mundur nisjen e punimeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:10
Lirohen 5 protestuesit e ndaluar tek Unaza e Re

Pesë protestuesit e ndaluar pas protestës së sotme në zonën e Astirit, janë liruar pas një ore e gjysmë. 2 prej të ndaluarve ndodheshin në Komisariatin nr.6, ndërsa tre të tjerë ndodheshin tek Komisariati nr.3. 

Ora 20:07
Protesta te Unaza e Re/ Braimllari: Arrestimet të paligjshme, prona mbrohet me Kushtetutë

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari ka qenë i pranishëm sot në ditën e 28-të të protestës së banorëve tek Unaza e Re. Në një prononcim për gazetarët e pranishëm në protestë, Braimllari ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se ka ‘urdhëruar’ arrestime të paligjshme.

“Edi Rama po ushtron presione nga më të ndryshmet për të shtypur protestën e banorëve të Unazës së Re, por banorët janë të vendosur për t’i shkuar dert në fund. Janë të vendosur për ta çuar deri në fund sepse i cënohet prona e tyre, të cilën e kanë ndërtuar me gjak në këto 28 vite. Të jeni të bindur që ashtu sikundër ndryshoi vendimin për arrestimin për  z. Ylli, ashtu edhe të gjithë arrestimet e tjera janë të paligjshme. Sepse nuk mund të arrestosh një protestues i cili proteston për të drejtën e tij. Nuk mund të arrestosh një protestues i cili proteston për pronën që ruhet dhe mbrohet me Kushtetutën e vendit.”-tha Braimllari.

 

Ora 19:51
Ndalimi i 5 protestueve të Astirit, banorët mblidhen para Komisariatit nr.6: Do presim derisa të lirohen

Protestuesit e tjerë të zonës së Unazës së Re janë mbledhur para ambjenteve të Komisariatit nr.6, nga ku edhe paralajmërojnë se do të presin lirimin e 5 bashkëprotestuesve të ndaluar nga forcat "Shqiponja". Të tjerë banorë të Unazës së Re janë mbledhur në Komisariatin nr.3, ku edhe ndodhen të ndaluarit e tjerë.

Ora 19:34
Zbulohen emrat e 3 prej protestuesve të ndaluar tek zona e 'Astirit'

Bëhen të ditur tre nga emrat e pesë prej protestuesve të ndaluar nga forcat “Shqiponja”. Burime për Report Tv bëjnë me dije ndër të arrestuarit janë: Altin Çeku, Shkëlzen Sadikaj dhe Gëzim Sadikaj.

Ora 19:29
Protesta tek 'Astiri', Policia ndalon 5 persona

Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga protesta e sotme tek zona e Astirit janë ndaluar 5 persona.

Ora 19:16
Protesta në 'Unazën e Re', deputeti i PD-së, Klevis Balliu shoqëron banorët e ndaluar nga policia

Pesë protestuesit e zonës së Unazës së Re që u shoqëruan pak çaste më parë nga forcat "Shqiponja" janë shoqëruar në polici nga deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu.  

Ora 18:44
Pas përfundimit të protestës tek Astiri, forcat 'Shqiponja' shoqërojnë në polici pesë banorë

Pas përfundimit të protestës së banorëve tek zona e Unazës së Re, forcat "Shqiponja" kanë shoqëruar në Komisariat pesë persona me akuzën e zhvillimit të një proteste të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe bllokim të qarkullimit. 

Ora 18:37
Shoqërimi i protestueve tek Astiri, banorja: Morën me vete edhe një 13-vjeçar, u munduam t'ua hiqnim duarsh

Një prej banoreve të zonës së Astirit ka rrëfyer momentin që forcat "Shqiponja" kanë shoqëruar disa prej protestuesve të zonës së Unazës së Re. Ajo thotë që mes të shoqëruarve është edhe një 13-vjeçar. 

Ishin mbi 50-60 policë. Veç kemi parë që kanë kapur disa prej protestuesve, një 13-vjeçar dhe deputetin e PD-së, Klevis Balliu. U munduam që t’ua hiqnim duarsh.  Ndër të arrestuarit është edhe Altin Çeku, Shkëlzen Sadikaj dhe Gëzim Sadikaj. Na kanë goditur edhe ne gratë, desh na shtypën me furgonin e policisë.

Banore e zonës

Ora 18:28
Kryemadhi: Veliaj po punon mirë. Balliu gjatë protestës tek Astiri: Nuk e komentoj

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu gjatë protestës në Astir është pyetur se si e komenton deklaratën e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi që kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po punon shumë mirë.

Nuk komentoj deklaratat e të tjerave, unë di të them që Veliaj ka për detyrim që të vijë këtu dhe përballet me banorët.

Klevis Balliu, deputet i PD-së 

 

Ora 18:13
U arrestua për vandalizëm, Kujtim Ylli: Nuk po bëja asgjë, isha me duar në xhepa

Njëri prej të banorëve të Unazës së Re, i cili është shoqëruar në Polici për t'u marrë në pyetje në lidhje me aktet vandale (LEXO KËTU) ka folur për mediat gjatë protestës.  

Unë kam qënë me duar në xhepa. Nuk bëra asgjë dhe më thirrën në Komisariatin nr.6. Më pyetën dhe i thashë që nuk po bëja asgjë veçse po protestoja së bashku me familjen time. Unë nuk jam shpellar. Do të vijoj të protestoj sepse kam 27 vjet që jetoj këtu.

Kujtim Ylli, protestues 

Ora 18:09
Protesta e banorëve të Astirit, në vendngjarje edhe forca të shumta policore

Teksa banorët protestojnë, në zonën e Astirit ndodhen edhe forca të shumta policore të Komisariatit nr.6, të cilët e kanë vëzhguar situatën nga larg pa ndërhyrë në asnjë moment në protestën e banorëve. 

Ora 17:58
Rruga e bllokuar nga protesta, banorët e Unazës së Re lejojnë ambulancën të kalojë

Banorët e Unazës së Re i kanë liruar rrugën një ambulance, e cila kërkonte të kalonte për shkak të një urgjencë. Pas kalimit të ambulancës sërish banorët bllokuan rrugën në të dyja akset e saj. 

Ora 17:36
Protesta tek Astirit, banori: Nuk do t'i dorëzojmë shtëpitë tona, i kemi bërë me gjak

Banorët kanë filluar që të bëjnë thirrjet e tyre gjatë protestës tek zona e Unazës së Re. Njëri prej tyre ka përsëritur premtimin që nuk do t'i lejojnë që të marrin shtëpitë e tyre. 

Popullin nuk do ta shkelin asnjëherë. Ne nuk do t'i dorëzojmë shtëpitë tona. I kemi bërë me gjak. I bëj thirrje të gjithëve që të çohen në këmbë dhe të mbrojnë djersën e tyre.

Protestues 

Ora 17:31
Bllokohet rruga nga protestuesit tek Astiri, një prej makinave tenton të kalojë

Gjatë protestës së banorëve të Astirit një prej makinave ka tentuar që të kalojë në rrugën e bllokuar prej protestuese. Por sërish makina nuk është lejuar që të kalojë, ndërkohë që rruga vijon të jetë e bllokuar në dy akset e saj.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bepi: 02/12/2018 03:06

    Ikni mor ka keni ardh o moter q.. keni zaptu tokat e huja nuk jan tokat tuja Palla karash

    Përgjigju
  • Ops: 01/12/2018 20:28

    Ska faj populli faj eshte i politikes qe kemi , pasardhesit e komunisteve nga te dy anet . Put fare q keqe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione