/ATSH-AFP/ - Rio de Zhaneiro celebroi dje ceremoninë më të madhe civile me homoseksuale në botë, me 160 çifte, sipas shërbimit për shtyp të qeverisë.

"Ceremonia më e madhe e martesave civile homoseksuale në botë mblodhi gjithsei 160 çifte, të mbledhur në një depo të zbukuruar në Rio dhe u organizua nga programi shtetëror 'Pa homofobi", sipas të njëjtit burim.

Claudio Nascimento, përgjegjësi i këtij programi, tha se kjo arritje kombëtare lindi me iniciativën e qeverisë së Rio de Zhaneiros, kur në vitin 2008 ajo dorëzoi para Gjykatës së Lartë një kërkesë për njohjen e çifteve homoseksuale.

Në vitin 2011, bashkimi i qëndrueshëm i çifteve homoseksuale u njoh nga Gjykata e Lartë, që u garantoi të njëjtat të drejta që gëzojnë çiftet heteroseksuale.
Bëhet fjalë për ceremoninë e pestë të martesave civile homoseksuale të organizuara nga shteti, që deri tani ka bashkuar 500 çifte. Objektivi është të garantojë këtë të drejtë edhe në disa gjykata që nuk e njohin.

Nga të gjitha krimet që kryehn në Amerikën Jugore kundër homoseksualëve, transvestitëve dhe transseksualëve, 40 për qind ndodhin vetëm në Brazil.
Një projektligj për të dënuar homofobinë vazhdon të mbetet pezull prej vitesh për shkak të rezistencës së drejtimeve katolike dhe evangjelistike në Parlament.