Rishikimi i buxhetit, Berisha:
Do të marrim përsëri borxhe

Rishikimi i buxhetit, Berisha: <br />Do të marrim përsëri borxhe
Ministria e Financave synon ta mbushë arkën e shtetit sërish me borxhe, duke shkelur detyrimin ligjor të një borxhi publij sa 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pas rezultateve të dobëta në të ardhurat fiskale të pesë muajve të fundit. Ka qenë vetë kryeministri Berisha, i cili, në një konferencë shtypi dje në Kryeministrti, deklaroi se "Shqipëria renditet ndër huamarrësit dhe ekonomitë më të qëndrueshme". Sipas tij, në muajt korrik dhe gusht janë planifikuar të nxirren bono në valutë me vlerë 30 milionë euro, duke synuar thithjen e parave nga emigrantët që kthehen për pushime në Shqipëri. Sipas kryeministrit, ka një interes të madh nga qytetarët për të investuar në bono dhe nga të dhënat rezulton se vetëm në muajin qershor janë blerë bono nga qytetarët më shumë se 3 vitet e fundit sëbashku. Këto deklarata bëhen në një kohë kur qeverisë i është krijuar një problem jo i vogël nga tërheqja e ndonjë prej bankave të nivelit të dytë nga blerja e letrave me vlerë të Thesarit dhe, nga ana tjetër, mundësia për të thithur kredi në tregun e huaj është zvogëluar së tepërmi. Megjithatë, kreu i Ekzekutivit theksoi se ankandet e bonove si huamarrje e brendshme nuk janë dëshmi e pamundësisë së huamarrjes së jashtme, pa përmendur më tej burimet ku është piketuar ky borxh i jashtëm. Kohët e fundit, sytë janë drejtuar nga financimet e Bankës Islamike të Zhvillimit, që ka kontribuar në rrugën e Elbasanit dhe mëndohet të financojë edhe godinën e re të parlamentit, me rreth 160 milionë dollarë.

Buxheti
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur rishikimi i shifrave të buxhetit të shtetit është bërë rregullisht në muajin qershor dhe ka hyrë në fuqi gjatë korrikut, rishikimi i buxhetit të këtij viti do të vendoset në muajin shtator. Kjo u konfirmua sërish nga vetë kryeministri Sali Berisha, i cili pranoi ekzistencën e një debati lidhur me masat që mund të merren, nëse ato duhet të jenë shtrënguese, pra duke synuar uljen e borxhit publik apo nëse duhet të jenë masa në mbështetje të rritjes ekonomike përmes rritjes së investimeve. Sipas Berishës, ai mbështet linjën e dytë, të rritjes së investimeve, edhe pse mund të shënohet rritje e nivelit të borxhit publik. Kryeministri tha se janë planifikuar një serë masash, veç borxhit, në mënyrë që të mbështetet ekonomia dhe bizneset në vend. Sipas tij, modeli ekonomik i adoptuar deri tani është një model që prodhon rritje dhe që ka garantuar stabilitet.
Në fakt, plani i parë i Financave, me shtyrjen e rishikimit të buxhetit, ka qenë ardhja e një sasie fondesh nga shitja e aseteve të mbetura në pronësi të shtetit në ekonomi, duke filluar nga ndërmarrja e naftës Albpetrol, katër HEC-e me kapacitet mesatar dhe shumë objekte të tjera apo paketa aksionesh në ndërmarrje të përbashkëta. Por gati të gjitha tenderat e parashikuar për t'u zhvilluar në korrik janë shtyrë për në shtator apo në dhjetor të këtij viti. Në këto kushte, marrja e një borxhi të brendshëm prej 30 milionë eurosh nga qytetarët do të shërbente për të amortizuar deri diku mungësën e fondeve. Por kjo shifër është shumë larg asaj prej 200-300 milionësh që synohet nga privatizimet këtë vit. Në këto kushte, shkelja e detyrimit ligjor për borxhin publik mbetet e vetmja mundësi për mbijetesën e buxhetit.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën