Sylvinho është në kërkim të emrave të rinj për në Kombëtare dhe duket se ka piketuar Sefer Eminin.
Mesfushori 24-vjeçar ka lindur në Shkup dhe luan në Superligën daneze me Sonderjyske, teksa është deri më tani ndër më të dalluarit në kampionat. Ai ka tërhequr edhe vëmendjen e Federatës së Maqedonisë së Veriut, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Lojtari ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Maqedonisë së Veriut, ndërsa është grumbulluar në qershorin e vitit të kaluar edhe nga përfaqësuesja A e vendit fqinj, por pa u aktivizuar asnjë minutë me të.
Emini është një lojtar që bën mirë rolin e numrit “6” para mbrojtjes, por edhe numrin “8”. Shpesh e krahasojnë me Ramadanin për nga cilësitë, i cili gjithashtu ka luajtur në Danimarkë.
Ai ka luajtur 5 ndeshje me kombëtaret e moshave (U-20 dhe U-21) të Maqedonisë së Veriut, por FSHF është futur në lojë dhe mund të ketë një rival për Asllanin dhe Ramadanin në mesin e fushës.