TIRANE-Qeveria është shprehur e gatshme për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit të ri për faturat elektronike. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj deklaroi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Investimeve se janari i 2020 i vendosur si afat për nisjen e raportimit në kohë reale në administratën tatimore të të gjitha transaksioneve midis bizneseve dhe konsumatorit në kuadër të luftës kundër informalitetit mund të negociohet pas dyshimeve që janë ngritur. Ministrja theksoi se konsultimi i projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” me grupet e interesit do të shtyhet deri në 15 shtator.
“Objektivi i këtij projektligji synon thjeshtimin e procedurave të kontrollit tatimor dhe monitorimin më eficent të tatimit, drejtuar ndaj tatimpaguesve me risk; një kontroll më të mirë të transaksioneve tregtare ndërmjet taksapaguesve; një kontroll më të mirë dhe monitorim të afateve të pagesave ndërmjet tatimpaguesve;si dhe përshpejtimin dhe automatizimin e proceseve të biznesit.
Procesi i implementimit të projektit të Fiskalizimit nuk është vetëm janari 2020, por është një proces më i gjatë që finalizohet në vitin 2021 dhe përfshin disa marrëdhënie: marrëdhëniet biznes me klient, marrëdhëniet biznes me biznes dhe transaksionet jo cash që kalojnë nëpërmjet sistemit bankar, dhe marrëdhëniet biznes me qeveri, me synimin që gjitha faturat të jenë elektronike në vitin 2021.
Kuptohet që janari 2020 është komentuar si një proces pak dyshues. Ne mendojmë që gjithsesi do të synojmë për këto hapa dhe gjatë konsultimeve në vijim të shikojmë se kush janë arsyet për ta negociuar”, u shpreh Ministrja.
Ministri i Mbrojtjes së Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, i cili është anëtar i Këshillit të Investimeve si përfaqësues nga qeveria, vuri theksin në rëndësinë e përfshirjes së biznesit në procesin e konsultimit publik pasi, sipas tij, sa më i thjeshtë dhe i qartë të jetë për biznesin procesi i Fiskalizimit, aq më i lehtë do të jetë zbatimi dhe efektet pozitive të tij.
“Na takon të gjejmë disa forma të thjeshta shpjegimi se çdo do të thotë Fiskalizim për një biznes të vogël, të mesëm apo të madh. Ka ende pikëpyetje për mënyrën se si do të funksionojë, ndërkohë që jemi të ndërgjegjshëm për efektet e mira që sjell. Duhet ta bëjmë sa më të thjeshtë, të qartë, lehtësisht të kuptueshëm për biznesin.
Ne jemi shumë të bindur se sa më i përfshirë ta jetë biznesi, sa më mirë ta kuptojë, aq dhe më e suksesshme do të jetë iniciativa dhe efektet pozitive të Fiskalizimit. Do të inkurajonim çdo lloj iniciative që të përçojmë drejt efektet, por dhe përdorimi i sistemit të jetë sa më i thjeshtë dhe i kuptueshëm”, u shpreh Shalsi.
Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi sqaroi edhe cështjet kryesore që prek projektligji i ri. "Dy cështjet kryesore dhe sistemi informatik janë mosraportimi i te ardhurave dhe zbritja mbi nivelet e përcakuara ligjore të TVSH. Kontrolli i transaksioneve me parave në dorë, synohet fiskalizimi i tyre dhe fiskalizimi i transaksioneve pa para në dorë".
Projekti parashikon që të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri- tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.