Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, është përplasur ashpër me këshilltarët e mazhorancës gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, duke sfiduar hapur shumicën e majtë. Në kulmin e debateve për problematikat e pastrimit të qytetit dhe kërkesat për më shumë llogaridhënie nga drejtuesit vendorë, Ristani ka shpërthyer me deklarata të forta ndaj këshilltarëve të saj politikë.
“Çfarë mase ka marrë Bashkia e Tiranës si aksioner i parë i shoqërisë ‘Eco Tirana’ sepse është 51% pronare e kësaj kompanie. A ka marrë masa për nënkontraktorin, i cili ka kontratë më Bashkinë e Tiranës dhe përcakton qartë detyrat dhe menaxhimin e mbetjeve të gjendura në qytetin e Tiranë. Çfarë masash keni marrë ju konkretisht dhe për nënpunësit tuaj: drejtori i Pastrimit, drejtori i menaxhimit të mbetjeve, apo kush është përgjegjës për këtë gjendje që është Tirana sot”,- ishte pyetja e këshilltarit Krenar Canollari nga PSD.
“Me shkarkoni, të bie dhe unë rehat”, deklaroi Ristani drejtuar këshilltarit Canollarin në një moment tensioni të lartë në sallë. Përplasjet më të forta kanë qenë edhe me Halit Valterin. Të dy këshilltarët kërkuan më shumë përgjegjësi për situatën e pastrimit dhe menaxhimin e qytetit.
Debati degradoi në tone ironike, ku Ristani jo vetëm kundërshtoi akuzat, por nisi edhe të ironizonte dhe të qeshte gjatë diskutimeve, gjë që solli reagime të forta nga disa këshilltarë të pranishëm.
Nënkryetarja Ristani u komandua në krye të Bashkisë Tiranë një ditë pas arrestimit të Erion Veliajt më 10 shkurt. Delegimi i detyrave tek Ristani u bë me firmën e vetë kryebashkiakut, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti, në kuadër të një hetimi dhe gjykimi penal nga strukturat e Posaçme antikorrupsion të drejtësisë.
Komente









