Ristani: Strehuat trafikantin. MB:
Akuza imagjinare nga një i dënuar!

Ristani: Strehuat trafikantin. MB:<br />Akuza imagjinare nga një i dënuar!
TIRANE - Partia Demokratike akuzoi sot mazhorancën, se përmes një deputeti të saj në Shkodër, është përfshirë në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Europës, duke fshehur një nga trafikantët e kërkuar nga Policia. Deputeti demokrat Arben Ristani në një deklaratë për mediat tha se kreu i organizatës së këtij trafiku, është strehuar në automjetin e blinduar të një deputeti të mazhorancës, por pa dhënë emrin e tij. Trafikanti, emri i të cilit gjithashtu nuk bëhet i ditur nga PD, kërkohej nga policia në operacion e zhvilluar në zonën e Vilunit në Shkodër.

Por ka ardhur menjëherë reagimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas së cilës këto janë akuza imagjinare të opozitës, mbi të gjitha nga një deputet që ka bërë burg për mashtrim”, theksohet në njoftim duke iu referuar Ristanit. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme theksohet se Policia e Shtetit e ka treguar se përballë ligjit nuk ka të paprekshëm, qofshin këta deputetë.

Ristani: Trafikanti i drogës u fsheh në makinën e blinduar të deputetit të mazhorancës në Shkodër
Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani, ka hedhur akuza të forta ndaj deputetëve të mazhorancës dhe Kryeministrit Rama. Këta të fundit, sipas Ristanit, janë të përfshirë në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Europës. Provë për këtë akuzë, sipas deputetit të PD, është strehimi i një trafikanti, gjatë një operacioni të Policisë, në automjetin e blinduar të një deputeti të mazhorancës.

“Policia e Shtetit, pas informacioneve që erdhën nga Italia dhe Mali i Zi, kreu para pak ditësh një operacion në zonën e Vilunit në Shkodër dhe arriti të ndalonte disa persona. E vërteta e dhimbshme është se Policia, nuk arriti të arrestonte kreun e organizatës. Kreu i organizatës, një person me precedent të rëndë penalë, i njohur për gjithë zonën për aktivitetin kriminal, u mor në mbrojtje nga një deputet i mazhorancës në Shkodër. Këtë fakt që e bëri të ditur ditën e aksionit të Policisë një e përditshme pranë qeverisë, e dinë tashmë edhe Prokurorët e krimeve të rënda, dhe drejtuesit e Policisë. Kreu i organizatës mafioze gjeti strehë në makinën e blinduar të deputetit të mazhorancës, makinë e cila përdoret edhe nga përfaqësues të tjerë, njerëzit më të besuar të Edi Ramës në zonën e Veriut”- deklaroi për mediat deputeti i PD, Ristani.

Dhe kjo ngjarje sipas Ristanit është dëshmi se “deputetët e lidhur me krimin, dolën përsëri mbi ligjin”. Por në deklaratën e tij, Ristani, nuk dha emra dhe fakte më konkrete për të identifikuar si trafikantin ashtu edhe deputetët e inkriminuar, ndërsa, gjatë gjithë retorikës së tij, përfshin vetëm kryeministrin e vendit. Deputeti i PD gjithashtu deklaroi se “të besuarit e Edi Ramës, në të vërtetë bëjnë ligjin në Veri, dhe drejtojnë trafikun kriminal me anë të ushtarëve të tyre”.

“Informacioni i ardhur nga vendet fqinje arriti të prishë rehatinë e deputetëve të Edi Ramës, u mori atyre një ngarkesë. Por kur trafiku lejohet nga qeveria, merret në mbrojtje prej saj, bashkëpunimi i autoriteteve italiane shkon dëm, pasi të paprekshmit e Edi Ramës nuk mund të ndalohen. Kjo është e vërteta e rendit dhe e krimit në Shqipëri. Të paprekshmit që drejtojnë trafikun ilegal janë në parlament. Parlamenti është inkriminuar, por inkriminimi zbret poshtë në postet kyce të adrminsitratës. Mafia sundon sot në Shqipëri dhe ka një kryeministër, Edi Ramën”- tha në fund të deklaratës së tij, nga selia blu, Arben Ristani.
 
Ministria e Brendshme: Akuza imagjinare të opozitës, për policinë e shtetit nuk ka të paprekshëm!

“Policia e Shtetit ka treguar e do vazhdojë të tregojë se nuk ka më të paprekshëm dhe as të privilegjuar. Nuk ka më të fortë që mund t’i bëjnë bisht ligjit, as me pushtet dhe as me para, as me mandat deputeti, qoftë djathtas e qoftë majtas dhe as me imunitet familjar të cilitdo lloji e kategorie. Askush qe shkel ligjin, nuk gëzon dot trajtim të ndryshëm nga çdo shkelës ligji.

Nga ana tjeter, Policia e Shtetit nuk është redaksi gazete dhe as tribunë partie që të japë lajme për operacione në zhvilim dhe hetime që janë ende në vazhdim

Sigurisht që kur në emër të opozitës, akuzon për krime të imagjinuara apo të prezumuara deputetët e shumicës, një deputet që ka bërë burg për mashtrim, kjo e ul shumë besueshmërinë e akuzave
Por sidoqoftë, ne si shumicë kemi treguar se çdo emër e verifikojmë dhe marrim vendimin e duhur, në mbrojtje të të akuzuarit kot ose në ndjekje të të akuzuarit plot”.
 
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim