Rithemelimi ka akuzuar kryeministrin, Edi Rama se premtimi i tij për votën e diasporës është vetëm një gënjeshtër e rradhës nga kreu i qeverisë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo tha se pavarësisht sesa shumë diaspora shqiptare ndikon në ekonominë e vendit, sipas saj që nga viti 2013 Rama nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shumëfishuar numrin e emigrantëve shqiptarë nëpër botë.

“Prej më shumë se 100 vjetësh ata japin për dheun e tyre dhe të të parëve dhe në këmbim nuk marrin asgjë. Premtimi i Edi Ramës për votën e diasporës nuk është më shumë se një gënjeshtër në radhën e shumë të tillave, që ai i thërriste poshtë e lart nëpër Shqipëri në vitin 2013.

Në 10 vjet Edi Rama, që e filloi vetë si emigrant, jo vetëm që nuk u dha të drejtën e votës atyre që gjeti në diasporë, por e shumëfishoi me thuajse 1 milion vetë numrin e tyre. Atë mungesë fatale vëmendjeje për ta, bëri sikur e zëvendësoi me Ministrinë e Diasporës, një shpikje oruelliane, që nuk bëri asgjë, vetëm sa u tall me diasporën duke i organizuar një kongres në Tiranë”-tha Garo.

Mes të tjerash, ajo tha se e vetmja përkujdjesje speciale, është e dedikuar ndaj trafikantëve dhe personave me precedentë kriminalë, për të cilët sipas saj, qeveria ka gati një paketë aministie fiskale duke iu referuar nismës së qeverisë për të bërë të mundur deklarimin e pasurive deri në 2 milionë euro. 

“Përkundër kësaj, Rama ka një përkujdesje speciale, jo për ata që punojnë ndershmërisht për të mbajtur familjet dhe nderuar Shqipërinë, por për trafikantët dhe eksponentët e krimit të organizuar. Për ata që ministri i tij Gjiknuri i quan “çunat e Londrës, Rama ka gati një paketë amnistie fiskale.

Ky është botëkuptimi i Edi Ramës për qeverisjen dhe emigracionin shqiptar: të ndershmit le të mbajnë me bukë takspaguesit e tij, të cilëve nuk u jep as punë dhe as siguri, ndërsa kriminelët le t’i kenë portat e hapura, që me paratë e zeza të sundojnë në Shqipëri bashkë me të dhe taulantët, damjanët dhe belindat e tij”-u shpreh zëdhënësja e Rithemelimit, Garo.

Në fund, ajo ftoi që emigrantët shqiptarë në Itali dhe Greqi të jenë të pranishëm në protestën kombëtare që ish kryeministri, Sali Berisha ka thirrur në datë 3 mars, në të njëjtën ditë kur gjykata vulos për fatin e vulës së Partisë Demokratike.