Berisha zgjedh ‘të besuarit’, nënkryetarët e sekretarët! Në garë për Sekretarin e Përgjithshëm Noka e Ristani! 4 garues për nënkryetarë, Shehaj, Bylykbashi, Këlliçi e Boçi

TIRANË- Kryesia e Komisionit të Rithemelimit ka përcaktuar sot kandidatët për postet drejtuese të partisë. Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku mëson se Flamur Noka dhe Arben Ristani janë dy kandidatët për postin e sekretarit të Përgjithshëm.

Nga ana tjetër, për postin e nënkryetarit janë në garë deputetët Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi, Agron Shehaj dhe Belind Këlliçi, ndër të cilët 2 më të votuarit do të jenë nënkryetarë.

Kanidaturat i kanë kaluar kalojnë Këshillit Kombëtar për t’i votuar,  Gjithashtu do të votohen edhe të gjithë kandidatët për sekretariatin e PD-së. Ish deputeti, Myslim Murrizi foli pa dorashka para Sali Berishës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD duke thënë nuk merret vota përmes kandidatëve ëhatsapp dhe i sugjeron që të thërrasë protesta e të shohë se sa mbështetës arrijnë të çojnë për të rrëzuar Edi Ramën. 

Ndërkohë ka nisur votimi për kandidatët që do të mbajnë postet drejtuese dhe nga 270 anëtarë, të pranishëm në votime janë 207.

Kandidatët për sekretariatin

  1. Sekretar Organizativ Ervin Minarolli dhe Aurel Bylykbashi
  2. Sekretar për marrëdhëniet me Publikun Jola Hysa dhe Sara Bodo
  3. Sekretar për Diasporën Tritan Shehu dhe Indrit Hoxha
  4. Sekretar për Pushtetin Vendor Ylli Asllani dhe Dashi Aliko
  5. Sekretar për të Drejtat e Njeriut Elda Hoti dhe Bislim Ahmetaj
  6. Sekretar për Transparencën dhe për Pronat, Ledina Mandija dhe Andja Pustina
  7. Sekretar për Integrimin Evropian Edmond Spaho dhe Lediana Fratari
  8. Sekretar për marrëdhëniet me Organizatat Partnere Ilirjana Kuçana dhe Megi Balliu    
  9. Sekretar për Integrimin e të Përndjekurve Politikë Lorenc Luka dhe Bedri Blloshmi
  10. Sekretar për Ligjet dhe Çështje Elektorale Ivi Kaso dhe Çlirim Gjata
  11. Gjykatësi i partisë Endira Bushati dhe Adriana Kalaja

Më 28 maj Rithemelimi zgjodhi 20 anëtarët e rinj të kryesisë së Partisë Demokratike, ku deputeti Belind Këlliçi doli më i votuari. Pjesë e Kryesisë u bë edhe Jozefina Topalli por edhe deputetja Ina Zhupa, e cila iu bashkua Berishës në Kuvendin e 30 prillit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:48
Zgjedhjet për ekipin e Berishës, Flamur Noka shkëputet ndjeshëm me vota nga Ristani për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, më e ngushtë gara për nënkryetarët

Në Partinë Demokratike po vijon numërimi për ekipin e ngushtë të Sali Berishës, me të cilët ai pretendon të drejtojë selinë blu. Flamur Noka, të cilit Berisha i ka vënë përballë Arben Ristanin për postin e SekretaritIT Përgjithshëm ka një shkëputje të madhe ndaj ‘rivalit’ në një kohë kur ende nuk janë numëruar as gjysma e votave.

Deri në këto momente ai ka 51 vota, përballë Ristanit, që e kanë votuar deri më tani, 15 anëtarë të Këshillit kombëtar. Më e ngushtë duket gara për nënkryetarët, ku 4 kandidatët janë thuajse barabartë me vota, ndërsa kryeson Luçiano Boçi me 38 vota. Më pas vijnë Belind Këlliçi, Bylykbashi dhe më pak i votuari është Agron Shehaj.

Ora 19:07
I buzëqeshur përshëndet me dy gishta lart, Sali Berisha voton për postet drejtuese të PD

1654275853_berisha1.jpeg

Sali Berisha është shfaqur i buzëqeshur dhe me dy gishta lart në kutinë e votimit ku ka hedhur votën e tij për kandidatët e posteve drejtuese të PD. Në përfundim të votimeve do të fillojë numërimi për të zbuluar kush do të jenë nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e PD.

1654275839_berisha2.jpeg

Sali Berisha hedh votën në kuti
Ora 18:27
Mula kritikon qeverinë për çmimet: Kërcen trangulli si i do qejfi, karburanti ja ka bërë naftën popullit! Rrogat e pensionet, për faqe të zezë

 

Regjisori Osman Mula mbajti fjalim gjatë mbledhjes së Këshillit të PD-së duke mos kursyer superlativat për ish kryeministrin Sali Berisha duke thënë se i jep ankth qeverisë. Sipas tij, sa herë qeveria ndjen 'frikë', telefonon SPAK dhe kërkon arrestin e Berishës e të Metës. Kritikë pati për qeverinë dhe me tone iron për cmimet e larta të produkteve të shportës e të karburantit.

 “Ne ju duam sepse na do shpirti. Harruam familje e punë, dhe thamë pas jush, pas doktor Berishës. Jemi pjesë e foltores, dhe Berisha është personazhi kryesor. Nëse do e shoh si një dramë, “Drama foltore” ishte me e ndjekur një vit rresht në teatrot e Shqipërisë. Në çdo sallë që keni shkuar, populli ju ka pritur. Për ata njerëz të Foltores, unë kërkova fjalën. Kam respekt për ata njerëz, dhanë gjithçka për 30 vjet demokraci.

Sa herë qeveria përdor zoloft, është një medikament kundër depresionit, telefonon SPAK-un dhe i thotë arrestoni Metën dhe Berishën se më filloi ankthi. Si mundesh të bësh karshillëk dhe të shesësh p*rdhë gjithë ditën kur pas çdo raporti del keq, si Shqipëria vatër e pastrimit të parave të pista, financim të terrorizmit, nuk skuqesh e zverdhesh. Këtë raport e nxjerr Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku nënvizon që jo vetëm nuk ka përmirësim, por dëmton anëtarësimin në BE.

Çmimet rriten çdo ditë, dhe kërcen trangulli siç i do qejfi, karburanti ja ka bërë naftën popullit. Rinia rrugëve pa punë, rrogat dhe pensionet për faqe të zezë. Sa herë që bëjnë mashtrime dhe i thonë popullit, dhe populli ankohet se nuk kam çfarë të ha, ky afrohet dhe të thotë përpiqu të hash me zor” – tha Mula.

Ora 18:04
Murrizi ia thotë në sy Berishës: Kërko protestë, shih sa njerëz sjellin këta të votuarit përmes Whatsapp! Thonë që beteja ishte vetëm me Bashën e Bardhin

Ish deputeti, Myslim Murrizi foli pa dorashka para Sali Berishës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD duke thënë nuk merret vota përmes kandidatëve whatsapp dhe i sugjeron që të thërrasë protesta e të shohë se sa mbështetës arrijnë të çojnë për të rrëzuar Edi Ramën. Murrizi tha se kanë cic-mice mes vetes dhe zbulon bisedat me miqtë. Sipas tij, i kanë thënë se betejën e kanë pasur me Bashën dhe Bardhin pasi kanë ende të njëjtat emra që i mbështesin. Ndër të tjera ia thotë në sy Berishës se demokratët shkëmbejnë mesazhe me njëri-tjetrin në rrjete sociale për të dhënë 'porosi'. 

"Nëse jeni në delir që 6 marsi na solli në pushtet, unë the se sa kemi futur këmbët në ujë, se kemi kaluar lumin. Sa nga këta të votuarit përmes whatsapp marrin përsipër atë që thotë doktor Berisha, sjellin njerëz për të sjellë protesta? Janë të mirë, por për çfarë për miq, për krushq? Më thonë që veç me Lulin e Gazin e paskeni pas betejën se të gjithë kryesia e Lulit është aty prap. Që qershia mbi tortë Bardh Spahia nuk u votëbesoka brenda këtij Këshilli Kombëtar. Thuaj të bëjnë protestë, sa njerëz sjellin nga mbrapa? Unë e di që ëndërroni të gjithë për parlament , lërini të flasin, pa lekë e kemi të folurën…Çfarë vlerë ka që je anëtar Kryesisë pa votues. Ne kemi cic-mice mes vetes, ç'është kjo punë që i çoni mesazhe njëri-tjetrit në Whatsapp 'a të keqen ma ki pak kujdes filanin'. I uroj suksese asaj kryesie, por që nesër të dalin në terren", tha Murrizi.

Ora 17:38
Sali Berisha jep porositë në Këshillin Kombëtar të PD: Kryetarët e degëve të mbledhin me urgjencë kryesitë, partia të dalë në fushë-betejë

1654270091_berisha.jpg

Sali Berisha i ka dhënë porositë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD duke i thënë se duhet të fillojnë një debat për interesin e qytetarëve shqiptarë.

"T'i dalim zot interesit tonë kombëtar sepse pikërisht se nuk është mbrojtur ky interes, Shqipëria është rrokullisur. Asnjë interes tjetër i qytetarëve shqiptar nuk mund të mbrohet para interesit kombëtar. Është e domosdoshme që në parti të fillojë menjëherë, që nesër, një debat për të gjitha këto zhvillime. Partia duhet të dalë në fushë-betejë. Nuk mundet kurrë kush të luajë me fatet e shqiptarëve, nuk mundet kush të mbajë në këmbë një parlament që mohon gjakun e derdhur të shqiptarëve në Kosovë. Situata është më alarmante se kurrë. I kërkoj drejtuesit e degëve të mbledhin me urgjencë kryesitë, të zhvillojnë debat të hapur politik", tha Berisha.

Ora 17:30
Berisha: Qeveria e lidhur me banda, prokurorët e gjykatësit pranë saj janë skllevër të krimit të organizuar

 

Ish-kryeministri Sali Berisha nga selia e PD-së ka sulmuar qeverinë si të lidhur me bandat. Sipas Berishës dëshmitë e Nuredin Dumanit kanë zbuluar vrasësit serial të bandave të qeverisë. Berisha ka sulmuar edhe prokurorët e gjykatësit, të cilët sipas Berishës mbështesin qeverinë dhe se janë skllevër të krimit të organizuar.

‘Kjo është një mbledhje proceduriale në të cilën do të zgjedhim drejtuesit kryesor. Zhvillimet në këtë vend tejkalojnë çdo lloj imagjinate. Ngjarjet e javëve të fundit tregojnë se në Shkodër krimi dhe policia janë një dhe krimi godet në çdo skaj të këtij qyteti si edhe në vend. Ndërkohë dëshmitë e Dumanit, vrasësit serial të bandave të qeverisë faktojnë lidhjet e këtyre bandave me qeverinë. Faktojnë dominimin e tyre mbi shtetin mafioz, të kryqëzuara me të dhënat e prokurorive të vendeve të Beneluksit. Shqipëria rezulton se ministrat dhe drejtorët e saj, prokurorët dhe gjykatësit e saj rezultojnë skllevër të krimit të organizuar. Në mënyrë të papërmbajtur shqiptarët shkasin në varfëri. Kanë plaçkitur ndërmjet bordeve 300 mln euro. Çka ka bërë sot që mbi 300 mijë të rinj të jetojnë në kufij të varfërisë ekstreme. Katastrofë paraqitet gjendja në fshatin shqiptar.’- tha Berisha.

Ora 17:21
Ish-Presidenti Bujar Nishani shpallet Kryetar Nderi i Këshillit Kombëtar të PD

 

Këshilli Kombëtar i PD ka nisur mbledhjen me një minutë heshtje për ish presidentin Bujar Nishani, i cili humbi jetën për shkak të një sëmundje autoimune. Gjithashtu e ka shpallur kryetar nderi të Këshillit Kombëtar të PD.

"Ne përcollëm me dhimbje dhe i dhamë lamtumirën e fundit presidentit Bujar Nishani. Sot ju ftoj që në kujtim të tij, në respekt të zotit Nishani që ka qenë kryetari i parë i Këshillit Kombëtar të PD të mbajmë një minutë heshtje. I përjetshëm do jetë kujtimi i tij dhe respekti ynë për të. Shpallet kryetar nderi i Këshillit Kombëtar të PD", tha kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka.

Ora 15:52
Berisha: Keqardhje që nuk ka asnjë zonjë te kandidatët për nënkryetarë! Po përpiqemi të mos dublikojmë funksionet

 

Ish kryeministri Sali Berisha ka lexuar emrat e kandidatëve për postin e sekretarit të përgjithshëm të PD dhe nënkryetarëve ku vihet re se nuk ka asnjë grua. Berisha thekson se qëllimi është të mos dublikohen funksionet në mënyrë që të mos mbahen dy poste.

"Këto janë propozimet ndërkohë ajo që është jo pa keqardhje se njëri nga nënkryetarët duhet të ishte pa diskutim nga zonjat, por u vendos që në Kuvendin e parë që do thirret, statuti të përcaktojë 1/3 e këtij forumi që në nivelin më të lartë të jenë zonja. Në postet e sekretariateve janë pasqyruar gra dhe vajza shumë të kualifikuara, dominojnë prurje, të reja në PD, por edhe drejtues me eksperiencë të saj.

Ne përpiqemi të mos dublikojmë funksionet. Të gjithë ata që mund të jenë këtu anëtar kryesie largohen nga Kryesia, nuk mbajnë postin edhe anëtar kryesie edhe sekretar. Në tërësi përpiqemi të bëjmë shpërndarje sa më të gjerë”, tha Berisha.

Ora 14:50
Kryesia e Rithemelimit përcakton kandidatët për pozicionet drejtuese të partisë, votohen sot nga Këshilli

 

Kryesia e rithemelimit ka përcaktuar kandidatët për pozicionet drejtuese të partisë. Flamur Noka dhe Arben Ristani janë dy kandidatët për postin e sekretarit të përgjithshëm.

Ndërkohë, Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi, Agron Shehaj dhe Belind Këlliçi janë katër kandidatët për nënkryetarët e partisë. Dy më të votuarit do të fitojnë. Këto kandidatura do të votohen sot nga Këshilli Kombëtar që do të mblidhet në orën 17:00.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'