Askush nuk mund ta mohojë. Eliminimi i Gjermanisë nga Botërori ka lumturuar shumë tifozë, mes tyre edhe ata brazilianë. Humbja 7-1 në Botërorin e vitit 2014 ishte një njollë e zezë për futbollin në këtë vend dhe ish-kampioni i botës në vitin 2002, Rivaldo ka shpërthyer në “Instagram” pas eliminimit të Gjermanisë.
Ai kërkon më shumë respekt për vendin e tij dhe thotë se këta që nisën të jepnin leksione në vitin 2014 tani u shpërfytyruan dhe nuk janë shembulli për t’u ndjekur. “Kjo ishte ajo kombëtarja që ne duhet ta merrnim shembull dhe të reflektonim? Këta ishin ata që na bënë të shkonim në Europë për të studiuar dhe na thanë se sistemi brazilian i futbollit ishte shkatërruar? Të gjithë pas humbjes 7-1 të Brazilit u gabuat.
Është e vërtetë që gjithmonë duhet të mësojmë gjëra të reja, por të gjithë ishit shumë të ashpër me profesionistët e Brazilit 4 vite më parë dhe thatë se duhet ta shkrinim futbollin. Na thatë se duhet të kishim planifikimin e kampionëve të Botës, të cilët nuk arritën këtë herë të kalonin fazën e grupeve. Më shumë respekt për brazilianët. Doni apo jo, jemi të vetmit me 5 yje në fanellë dhe meritojmë respekt”, shkroi fillimisht Rivaldo.
(Postimi i Rivaldos në Instagram)