GREQI - Pengmarrja e bujshme e shtetasit shqiptar, i cili vuan dënimin e përjetshëm në Greqi, Alket Rizai, ka përfunduar pas fiks 24 orësh, mbrëmë në burgun e Malandrinos në Greqi. I burgosuri, i cili mbajti peng jo vetëm gardianët, por edhe opinionin publik në Greqi e Shqipëri, kësaj here nuk ia ka dalë dot të largohet në mënyrë spektakolare nga burgu.

Sipas informacioneve që vijnë nga burimet e policisë, Alket Rizai, vendosi të dorëzohej kur ka parë të afrohet drejt tij skuadra e forcave speciale të policisë.
“Fund. Nuk mund të shkoj më tutje. Le të përfundojmë këtu gjithë situatën”, ka thënë Rizai, duke përfunduar kështu pengmarrja prej 24 orësh.

Sikundër bëjnë të ditur burime nga ministria greke e Drejtësisë, Alket Rizaki në posedim të tij kishte vetëm thika artizanale dhe asnjë bombë, apo eksploziv, siç pretendonte për orë të tëra.

Në një prononcim për shtypin, nëngjenerali Apostolos Kaskanis, i cili është Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Greqisë Kontinentale, ka theksuar se e gjithë pretendimi për lëndë eksplozve ishte një bllof dhe u vërtetua. Sipas tij: “Alket Rizai u detyrua të dorëzohej kur kuptoi se në asnjë mënyrë nuk do të plotësohej kërkesa e tij për t’u lënë i lirë!”

RIZAI: "KËTË HERË DESHTOVA, POR DO TA PROVOJ PRAPË"

Burime të tjera të besueshme nga policia bëjnë të ditur se Alket Rizai i tha negociatorit të policisë gjatë kohës që po dorëzohej se: “Kësaj here nuk ia arrita, ndoshta herës tjetër".”

Mësohet senë vend të lëndëve eksplozive që Rizai se pretendonte të kishte, ai e mbajti peng Greqinë me një radiokasetofon nga i cili dilnin disa kablle.

Gjithsesi nuk dihen ende mirë ato ç’ka kanë ndodhur më pas në burgun e Malandrinos, kur mori fund pengmarrja. Rizai është çuar menjëherë në qelinë e tij, ndërkohë që pngjet e liruara dëshmojnë se negociatat vazhdonin papushim me Rizain deri në minutat kur mori fund pengmarrja.

PRAGU I NJË REVOLTE NË BURG

Orët e fundit para përfundimit të thrillerit me pengmarrjen, nëburgun e Malandrinos, kishte një farë trazire, e cila sa nuk u shndërrua në revoltë pasi 500 të burgosurit që gjendeshin të mbyllur ne qelitë e tyre kishin 24 orë që nuk ushqeheshin dhe nuk trajtoheshin nga ana mjekësore. Nga qelitë e burgut u panë të dilnin flakë, kur disa të burgosur u vune flakën dysheqeve të qelive te tyre, duke përgatitur kështu një minirevoltë.

rizai burg
(Fotografia e gardianëve të marrë peng, që Alket Rizai hodhi në intenet nga burgu i sigurisë së lartë në Greqi)


SHQETËSIM NË QEVERINË GREKE PËR SITUATËN NË BURG

Pasi Greqia ka përjetuar një situatë “thriller” dhe ka qenë në qendër të mediave të huaja, sidomos pas publikimit të fotografive nga burgu në shtypin shqiptar, politikanët grekë kanë filluar të akuzojnë njëri- tjetrin, për faktin që një i burgosur vuri në lëvizje gjithë makinën shtetërore me një ... radiokasetofon.

Pas përfundimit të pengmarrjes në burgun grek dhe dorëzimit të Alket Rizait, Ministri Greke e Drejtësisë, ka bërë deklaratën e mëposhtme:

“Pas përfundimit të suksesshëm të operacionit për lirimin e pengjeve dhe arrestimit të autorëve në burgun e Malandrinos, Ministria e Drejtësisë përgëzon të gjithë ata që kontribuuan në përfundimin e suksesshëm e pa gjakderdhje të operacionit.nga fillimi i pengmarrjes, për udheheqjen politike të Ministrisë së Drejtësisë, e cila ishte në kontakt e në koordinim të plotë me të gjitha organet e tjera kompetente greke, synimi i parë ishte garantimi i jetës dhe përfundimi pa gjak i agonisë së pengjeve dhe familjeve të tyre, si edhe rivendosja e qetësisë dhe funksionimit normal të burgut. Kjo gjë u arrit pas një bashkëpunimi të shkëlqyer të ministrisë së Rendit, rezultativitetit të negociatorëve dhe forcave të policisë, prokurorisë, Drejtorisë dhe gardianeve të burgut, si edhe rojave të jashtme”.

Hetim administrativ do të kryhet për faktin se Alket Rizai u dorëzua vetëm pasi u lodh dhe pasi talli dhe ekspozoi pandreqshëm, aparatin shtetëror grek, me fotografitë që dërgoi në Shqipëri nga burgu i sigurisë së lartë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)