Robert Bisha rikthehet pas 7
vitesh me koncertin “Ritual Moods”

Robert Bisha rikthehet pas 7<br />vitesh me koncertin “Ritual Moods”
Tinguj pianoje, eksperimentime mbi të, me hark a makinë roje, interpretim në kitare, saze e def..., kjo është atmosfera që do të përfshijë sallën “Shekspir” në Teatrin Metropol.

Poli-instrumentisti Robert Bisha vjen me projektin e tij në piano solo “Ritual Moods”, këtë të enjte, në datën 7 prill 2016, ora 20:00. Koncerti është organizuar nga Qendra Kulturore Tirana me synim promovimin vlerave.

Robert Bisha rikthehet pas shtatë vjetësh në Shqipëri. “Jam pak i emocionuar për koncertin dhe e pres me shumë dëshirë. Do të jetë një koncert shumë i ngrohtë si vetë skena “Shekspir” në të cilën unë luaj për herë të parë. Publiku i ulur rreth pianos, më ngjan si një tryezë, ku mund të takohemi së bashku nëpërmjet tingullit”, shprehet Roberti pak ditë para koncertit.

Ka ikur nga Shqipëria 16 vjeç drejt Italisë, ku edhe njihet së tepërmi për artin e tij. Ndërkaq “Ritual Moods” është një koncept i vjetër, me të cilin performon në vende të ndryshme, koncerte të reja.

"Puna 'Ritual Moods' për piano solo ka një strukturë gjeometrike të paramenduar, një arkitekturë, forma vjen duke u kompletuar gjatë performimit live. Kur ndodhem në skenë, improvizoj këngë të shkurtra me intervale tipike të folklorit, të cilat në pjesën më të madhe jo domosdoshmërisht kanë ekzistuar më parë. Kjo, sepse për mua është thelbësore të vihem në marrëdhënie me procesin krijues të drejtpërdrejtë mes folklorit dhe improvizimit", shprehet Robert Bisha.

Koncerti do të zgjas 75 minuta, ku do të interpretohen numra të ndryshëm muzikor, ndërkohë të ftuar special gjatë koncertit janë Albanian Iso- Polyphonic Choir.

Robert Bisha njihet si një pianist kompleks, muzika e të cilit në origjinë ndërthur studimin me teknikën, e cila ka ardhur duke u përsosur si pasojë e kërkimit harmonik në bashkëkohoren e njëkohësisht në folklorin e pasur. Eshtë instrumentist eksperimentues, performon si profesionist që në moshën 12 vjeç në skenat shqiptare e jashtë saj, me kompozimet e veta.

“Në pjesën e parë, procesi i ngjan zhvillimit muzikor të folkut epik: së pari shfaqet një temë që më pas e ndjek një improvizim narrativ. Njohjet e mia mbi instrumente si çiftelia, sazet, defi, dajret, fyellin, etj, më lejon të eksperimentoj në piano tingujt e këtyre instrumentave duke mbajtur një lidhje të ngushtë me muzikën kanto. Temat mbi të cilat punoj kanë karakter minimalist, por janë edhe të shtrira e emotive”, thotë Bisha.

Ndërkaq në pjesën e dytë, pianoforte merr ngjyrimet e "prepared piano". Për të vëmendja spostohet sidomos te kordat, duke integruar në këtë mënyrë si tastierën ashtu edhe kordat për të krijuar kështu variacion shprehjeje.

“Krijoj mikrotema, ku përdorimi i harkut mbi kordat e shtrira thërret teknikën e thjesht te kordat e shtrira, duke theksuar në këtë mënyrë një nga pasuritë e mëdha të instrumentit, "notat e larta solo". Gjithashtu përdor tastiera në sfumatura të ndryshme, me qëllim që të shfrytëzoj çdo mundësi të instrumentit dhe ta integroj me tastet e tastierës. Në eksperimentet e mia, kërkoj të mbaj gjithnjë raporte të ngushta me kanton, duke qenë se e konsideroj si një nga përbërësit kryesor të qenies njerëzore në evoluzion”, shprehet artisti.

Koncertet e Robert Bishës për piano solo, gjejnë vend si në teatro, ashtu edhe në festivale bashkëkohore apo evente xhazi. Zhvillon laboratore mbi ritmin dhe seminare - ëorkshop mbi improvizimin në muzikën folklorike deri edhe në muzikën serioze bashkëkohore.

Aktualisht, po punon për dy projekte në fushën e bashkëkohores dhe që të dy, projekte të bazuara në muzikën tradicionale shqiptare. Bëhet fjalë për Përzgjedhje e Isopolifonisë shqiptare (Albanian Iso-Polyphonic Choir), album që do të shohë dritën në vjeshtë të 2016-ës me Fanfarën e Tiranës dhe një album që pritet të dalë në 2017, që do të ketë prezantimin paraprak në festivalin më të madh francez "Netët e Furviere" që mbahet më 8 korrik 2016.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri