Pas sukseseve në SHBA dhe në Rajon Dea Rozhani do të vazhdojë të kontribuojë me dijet e saj mbi teknologjinë me më të vegjëlit. Klubi i RoboTech nisi javën e kaluar në Këndin Amerikan në Tiranë. Ky është sezoni i tretë i klubit RoboTech që synon të mësojë të rinjtë për kodimin dhe robotikën. Dea Rrozhani, një anëtare e skuadrës D3c0ders, që fituan çmimin global Grand Prize në Technovation Challenge 2019, do të mentorojë këtë klub të mrekullueshëm të adhuruesve të shkencës, teknologjisë dhe dizajnit!
Të rinjtë nga Shqipëria vazhdojnë të jenë konkurrues me idetë e tyre për ta vënë teknologjinë në shërbim të shoqërisë. Kështu vajzat e sezoneve të mëparshme të RoboTech fituan vlerësim pikërisht me shpikjen e një App që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara, një mjet tepër i vlefshëm sidomos në një shoqëri ende të vrazhdë siç është kjo e jona.
Sa më të përgatitur dhe novatorë në fushën e teknologjisë, aq më shumë perspektiva do të kenë nesër këta të rinj në tregun e punës.