“Përshëndetje! Ja porosia juaj. Oreks të mirë!” - Me këtë frazë prezantohet e ardhmja në “Gran Caffè”, në qytetin Rapallo, në krahinën e Liguria-s në Itali. Dy kamarierët e rinj të lokalit legjendar, dikur aq i dashur për Ernest Hemingëay, janë robotë që shërbejnë porositë në tavolina. Pak e çuditshme por zbavitëse. Një surprizë e këndshme.

Sapo personeli i kuzhinës vendos pjatat në tabakat e kamariereve autonom, ndërtuar në Kinë me kosto rreth 1000 euro, robotët ndjekin rrugën e dirigjuar automatikisht deri në tavolina. Në raste festash, si psh datëlindje, ata mund edhe të këndojnë për ju “Happy Birthday”. Robotët do të fillojnë punë zyrtarisht në datën 8 maj. Gjithësesi ata nuk mund të zëvendësojnë personelin human.



“Gran Caffè” në Rampallo, nuk është i vetmi bar në Europë ku shërbejnë robotët. Në “Enjoy Budapest Café” në kryeqytetin hungarez, shërbimi kryhet nga robotë shumë të sjellshëm dhe efikasë. Ata mund të bëjnë gjithçka: të shërbejnë ushqimin dhe pijet në tavolina, të bëjnë humor, të kërcejnë me fëmijët dhe të kalojnë kohën duke biseduar me klientët. 

Përvoja e “Enjoy Budapest Café” dhe “Gran Caffè Rampallo” është sigurisht inovative në Evropë, por në skajet e tjera të globit, robotët tashmë po testohen në fushën e hotelerisë. /Përgatiti: Ilir Çuçi/