Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme lirimin e katër ambasadorëve, dy prej të cilëve janë emëruar në poste të tjera. Besiana Kadare, ambasadorja shqiptare në OKB është liruar nga kjo detyrë, ndërsa u emërua si ambasadore në UNESCO. Vendin e saj në OKB e ka zërë Ferit Hoxha, i cili ishte ambasador i Shqipërisë në UNESCO.

Po ashtu është liruar nga detyra ambasadori i Shqipërisë në Hungari, Arian Spasse, teksa nuk dihet se kush do ta pasojë atë në këtë detyrë. Edhe Albana Dautllari është u lirua nga detyra e ambasadorit në Strasburg, në vend të të cilit u emërua Dastid Koreshi.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, pika 2, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit, ka dekretuar, disa lirime të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare. 

Konkretisht:

-      Zoti Arian Spasse, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, rezident.

-        Zonja Albana Dautllari, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.

-      Zonja Besiana Kadare, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, rezident, dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kubës, jorezident.

-      Zoti Ferit Hoxha, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident", thuhet në njoftimin e Presidencës.