Kështu janë 11 gjeneralë, të cilët plotësojnë të gjitha kushtet për të marrë firmën e presidentit Bujar Nishani që të jenë numri dy i ushtrisë shqiptare. Mësohet se kandidaturat e mundshme për të pasuar gjeneral Gjunkshin në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA janë Gjeneral Major Arian Zaimi, Gjeneral Brigade Zyber Dushku, Gjeneral Major Viktor Berdo, Admiral Kristaq Gerveni, Gjeneral Brigade Qemal Shkurti, gjeneral brigade Muhamet Buçpapa, Gjeneral brigade Jeronim Bazo, Gjeneral Brigade Bardhyl Hoxha, Gjeneral brigade Syrja Gjoka, si dhe Gjeneral major Maksim Mala e Gjeneral brigade Vladimir Qiriazi.
Por jashtë skemës nuk mbetet as gjeneral brigade Sandër Lleshi, aktualisht këshilltar për Mbrojtjen dhe Sigurinë i kryeministrit Edi Rama. Burimet të besueshme pranë Ministrisë së Mbrojtjes por dhe të kryeministrisë bëjnë me dije se pritet që kandidaturë e parë për të zënë vendin e Gjunkshit është ajo e gjeneral major Arian Zaimit, i cili gëzon një mbështetje të gjërë të mazhorancës, por dhe është si një sfidë ndaj kreut aktual të shtetit, për shkak se është liruar nga detyra pikërisht nga paraardhësi i tij demokrat, tashmë i FRD Bamir Topi me propozim të ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Ishte pikërisht ish-presidenti Topi, që në dhjetor 2011, dekretoi shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të oficerëve me gradë madhore Gjeneral major Arian Zaimi, Gjeneral major Maksim Mala, nxjerrjen në rezervë të Gjeneral brigade Vladimir Qiriazi, Zëvendëskomandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Pikërisht Zaimi është më i favorizuar jo vetëm për shkak se ka gradën e përcaktuar dhe sipas ligjit që të plotësojë kushtet që ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ta propozojë tek Presidenti Nishani për ta dekreruar si shef të shtabit të përgjithshëm të FA, por dhe sepse ka një mbështetje të gjërë nga partnerët në NATO pasi ka qënë përfaqësues ushtarak i Shqipërisë në Bruksel dhe njeh mirë terrenin në qendrën e Aleancës. Tashmë gjeneral major Zaimi është këshilltar i ministres Kodheli dhe është kandidatura më e fortë për të qënë në krye të shtabit të përgjithshëm. Jashtë sferës së vëmendjes nuk është as gjeneral brigade Sandër Lleshi, pavarësisht se burimet nga kryeministria bëjnë me dije se ai është i përkushtuar për të kryer detyrën e lartë që ka marrë si këshilltar për Mbrojtjen dhe Sigurinë i kryeministrit Edi Rama, pak më shumë se një muaj më parë.
KANDIDATET ME TE MUNDSHEM PER EMERIMIN
Arian Zaimi Gjeneral Major
Sanër Lleshi Gjeneral Brigade
Zyber Dushku Gjeneral Brigade
Viktor Berdo Gjeneral Major
Kristaq Gerveni Admiral
Qemal Shkurti Gjeneral Brigade
Muhamet Buçpapa gjeneral brigade
Jeronim Bazo Gjeneral brigade
Bardhyl Hoxha Gjeneral Brigade
Syrja Gjoka Gjeneral brigade
Maksim Mala Gjeneral-major
Vladimir Qiriazi Gjeneral brigade
Kushtetuta
FORCAT E ARMATOSURA
Neni 168
1. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore.
2. Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës.
Neni 169
1. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.
2. Presidenti i Republikës, në kohe lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit.
3. Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
(Ne foto: Kodheli me gjeneralët Zaimi (i pari djathtas) dhe Lleshi (i pari majtas))
Shkrimi u publikua sot (3.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)