As 1 muaj në krye, Skënder Hita rifreskon një pjesë të mirë të strukturave në drejtoritë e policive vendore. Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, emërimet e drejtuesve bëhen me konkurs, por në këtë rast, Hita ka zgjedhur të veprojë përmes të komanduarve të përkohshëm.
Vendin që la bosh në Fier, kryepolici ia besoi Erion Ahmetit. Disa muaj më parë ai u largua nga drejtimi i Korçës, ndërsa ka një karrierë të gjatë në Policinë Rrugore. Shef të Komisariatit në Fier, Hita zgjodhi të dërgojë Gerald Toskën.
Në mesin e ndryshimeve në kupolën e bluve, surprizë vjen ndryshimi me firmë të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Ai caktoi në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Klevis Qosen, ish drejtor i Burgjeve i cili u lirua nga detyra në fillim të këtij muaji. Eduard Merkaj lë AMP-në pasi e drejtoi më shumë se gjysmë viti.
Një sërë ndryshimesh nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, vijnë edhe në nivele zëvendësish.
Lajmi se do të lëvizë, nga zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit, shef rendi në Përmet, Krenar Guçen, e gjeti në gjyq. Ai u thirr si dëshmitar në procesin “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme, pasi fotoja e tij është gjetur në telefonin e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Në Tiranë zv/drejtor për hetimin e krimit emërohet Oliger Torba, ndërsa në të njëjtin pozicion në Shkodër u emërua Petrit Halo.
Islor Islami, drejtori i dorëhequr pak ditë më parë nga Policia e Lezhës pasi u zbuluan disa kazino të jashtëligjshme, transferohet në Drejtori të Përgjithshme, shef Sektori në Mbështetjen Hetimore të Krimit të Organizuar.
Një ditë më parë, Hita emëroi në krye të Operacionales, Alban ndërsa në vend të tij te Antiterrori - emëroi ish-drejtorin e Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Ndryshimet në Policinë e Shtetit pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Foto: Klevis Qose
Pak ditë pas largimit nga drejtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Klevis Qose, merr një tjetër detyrë të rëndësishme.
Burime bëjnë me dije se Qose është emëruar në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila prej disa muajsh drejtohej nga Eduart Merkaj.
Klevis Qose vjen në drejtimin e agjencisë që ka për detyrë të kontrollojë strukturën 12 mijë anëtareshe të policisë pas një punë të suksesshme te “Burgjet”. Më herët, ai ka mbajtur edhe detyrën e kreut të Shërbimit të Provës.
Mbetet e paqartë arsyeja e këtij ndryshimi, duke parë faktin që Merkaj qëndroi në këtë detyrë vetëm disa muaj.
Komente











