FRANCË - Numri një i botës në tenis, italiani Jannik Sinner, e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën në Roland Garros, duke mposhtur bindshëm të martën francezin Clement Tabur në raundin e parë të turneut në Paris.
Italiani triumfoi me rezultatin 3-0 në sete (6-1, 6-3, 6-4) pas 2 orësh e 8 minutash lojë, duke konfirmuar formën fantastike që po kalon këtë sezon. Për Sinner kjo ishte fitorja e 19-të radhazi në ndeshjet e raundit të parë në Grand Slam, seri që vazhdon prej vitit 2021.
Katër herë kampioni i Grand Slameve ka arritur suksesin e 30-të radhazi këtë sezon, duke mos njohur humbje që prej turneut ATP 500 në Doha. Me këtë ecuri, ai hyn në listën historike të tenistëve me seritë më të gjata të fitoreve, pas emrave legjendarë si Novak Djokovic (43), Roger Federer (41), Thomas Muster (35) dhe Rafael Nadal (32).
Rruga e Sinner drejt finales është lehtësuar edhe më shumë pas eliminimeve surprizë të Daniil Medvedev dhe Alexander Bublik që dolën nga gara që në raundin e parë.
Në raundin e dytë, italiani do të përballet me argjentinasin Juan Manuel Cerundolo, i cili kaloi britanikun Jacob Fearnley në tre sete. Ky do të jetë takimi i dytë mes tyre, pasi Sinner kishte fituar edhe përballjen e parë në Wimbledon 2023.
Komente








