ROME, Itali - Një burrë i ka vënë zjarrin vetes përpara Kuirinale-s në Romë, pasi e kishin pushuar nga puna. Sipas të dhënave të para që transmetojnë mediat italiane, i vetëdjeguri është transportuar menjëherë në spitalin Shën Eugene nga ambulanca, e cila ndërhyri me shpejtësi.

Personi në fjalë, sipas informatave fillestare, mendohet të jetë një 55- vjeçar rumun, rezident në Piemonte, në Pinerolo. Gjesti i tij ishte i papritur dhe për agjencitë e zbatimit të ligjit ishte e pamundur të ndalohej. Ai e kreu aktin pak minuta pasi kishte kaluar ora 14:00. Raportohet se djegiet që ka pësuar, pavarësisht se janë të shumta nuk janë kërcënuese për jetën.

Vendi ynë u trondit pak ditë më parë nga 2 raste të tilla, kur ish të përndjekurit politik në grevë urie, Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko i vunë flakën vetes.

(Shqiptarja.com)