Libri i parë është një përshkrim i kampeve të pëqëndrimit të heberjeve, ndërsa roman i dytë është për kthimin në shtëpi dhe tregon për vuajtjet dhe mbijetesën me një stil komik”, tha Giovani Tesio. “Aventura europiano-qendrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundrazi, vijon si në një shtegtim fantazmagorik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, të mbijetuarit e Aushvicit përshkojnë gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, përmes Polonisë, Rusisë së Bardhë, Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë dhe vetë Gjermanisë”, u shpreh përkthyesja Aida Baro.
Primo Levi është shkrimtar italian me origjinë hebreje, një prej të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit hitleriane. U diplomua si kimist në vitet e para të vendosjes së regjimit fashist, i cili, më 1938 shpalli ligjet racore, që sollën diskriminimet e rënda ndaj qytetarëve italianë “të racës hebreje”. Të gjitha këto e shtynë Levin të hynte në radhët e antifashistëve dhe të merrte pjesë në disa çeta partizane.
U arrestua në dhjetor 1943 dhe, prej shkurtit 1944 deri më 27 janar 1945, përjetoi tmerrin e pafund të kampit të shfarosjes në Aushvic. Përvoja në kampin e përqendrimit e tronditi si fizikisht, edhe psikologjikisht dhe e shtyu të hidhte në letër makthin e jetuar prej tij e miliona njerëz të tjerë, përmes shkrimesh të paharrueshme si “A është, vallë, njeri…?”, “Armëpushimi” dhe “Të mbyturit e të mbijetuarit”.
d.c./shqiptarja.com










