DELVINE- Shirat e rrëmbyer të ditëve të fundit kanë vendosur në vështirësi komunitetin rom të Delvinës. Përroi që kalon pranë banesave është fryrë duke bërë që të rrëshqasë toka, duke vënë në rrezik shtëpitë ku prej dekadash jetojnë keto familje.
Banorët thonë se janë të braktisur nga institucionet dhe nuk kanë as mundësi të rikuperojnë dëmet.
"Nuk po vjen askush për të na ndihmuar. Jemi ankuar edhe në bashki, por na thonë se nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne jetojmë duke mbledhur hekurishte dhe kanaçe, nuk kemi mundësi.
Kërkojmë ndërhyrjen e qeverisë dhe bashkisë, sepse nuk kemi ku të shkojmë. Këtu kanë jetuar prindërit tanë dhe këtu jemi edhe ne.
Edhe drejtuesit e komunitetit shprehen se ndihen të lënë pas dore.
Kryetari i komunitetit rom shprehet se "nuk kemi asnjë përgjigje të saktë, vetëm na përcjellin. Thonë që bashkia nuk ka mundësi të na ndihmojë. Jetojmë këtu prej 68 vjetësh dhe si kjo përmbytje nuk ka ndodhur kurrë".
Banorët i bëjnë thirrje shtetit për ndërtimin e një muri mbajtës përgjatë përroit, duke theksuar se çdo ditë që kalon rrezikon shembjen e banesave të tyre.
Komente









