TIRANE - Kreu i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, është “vetëdorëzuar” sot pranë institucionit të Avokatit të Popullit, pasi kishte refuzuar për tre herë radhazi kërkesat për t’u paraqitur pranë grupit hetimor të ngritur pas ankesave të qytetarëve të etnisë rome për keqtrajtim dhe persekutim nga ana e policëve të Bashkisë së Tiranës.

Shqiptarja.com mësoi se Florenc Hoxha nuk është takuar personalisht me avokatin Totozani por me ekipin që ndjek çështjen. Takimi ka zgjatur maksimumi rreth 1 ore, bënë të ditur burimet, ndonëse përmbajtja nuk është bërë publike nga institucioni i Avokatit të Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit kishte kërkuar disa herë zyrtarisht që kreu i Policisë Bashkiake në Tiranë të paraqitej për të dhënë shpjegime por zoti Hoxha i kishte injoruar ato me përpikëri. Rasti i fundit ishte të hënën e kaluar. Ndërsa sot ai paraqit me dëshirën e tij.

(im/shqiptarja.com)