Rrëfimi i Shefki Hadërit: Kristaq
Rama ironitë me bustin e Hoxhës

Rrëfimi i Shefki Hadërit: Kristaq<br />Rama ironitë me bustin e Hoxhës
Shefki Hadëri është një skulptor i talentuar. Edhe pse po afron të tetëdhjetat ai ende është aktiv në ekspozita dhe veprimtarinë krijuese. Shefkiu është i vëllai i Mjeshtrit të Madh të skulpturës shqiptare Shaban Hadërit. Të dy vëllezërit, edhe pse vlerësoheshin nga profesorët dhe kolegët për talentin e tyre në periudhën e komunizmit shikoheshin me sy të keq nga pushteti komunist. I ati i tyre ishte shpallur kulak pas çlirimit të vendit. Kështu ata nuk ishin të qetë dhe shpesh ishin të ndrojtur dhe të frikësuar në liritë e tyre të shprehjes artistike. Megjithatë forca e talentit dhe e shpirti fisnik i bëri të jenë “në një farë mënyre” të mbrojtur më mjediset krijuese. Këtë gjë nuk e harron për asnjë çast skulptori Shefki Hadëri, ndaj kërkon ta evidentojë me një rrëfim të mbajtur peng në zemër sesi e ka ndihmuar Kristaq Rama. Ishte ky përvjetor i lindjes, ku ai nëpërmjet gazetës “Shqiptarja.com” hedh më shumë dritë mbi të njohjen e personalitetit të skulptorit të njohur Kristaq Rama. Në këtë rrëfim interesant, ne dhe lexuesi, njihemi më nga afër me një anë tjetër të medaljes së skulptorit Kristaq Rama: me karizmin e tij dhe humanizmin e veçantë. Me të vëllain e Shefkiut, Shaban Hadërin Kristaq Rama ka bërë disa nga veprat më madhështore të tij si “Monumentin e Pavarësisë në Vlorë”; “Nënë Shqipëri”, etj. Duket se Kristaq Rama edhe pse ishte një nga artistë më të vlerësuar në kohën e komunizmit ka qenë i hapur dhe shumë i dashur me kolegët dhe miqtë. Kjo shenjë e karakterit të tij, shpjegon edhe popullaritetin që ka sot familja e tij në Tiranë, dhe arsyet pse e kanë respektuar tiranasit të birin, politikanin e njohur Edi Rama. Megjithatë në vetvete Kristaq Rama mbetet si një ndër personalitetet e mëdha të artit skulptural në Shqipëri. Ky rrëfim është një faqe e bukur e biografisë së skulptorit.

Ky rrëfim është një faqe e bukur e biografisë së skulptorit. Kristaq Rama lindi në Durrës më 31 korrik të vitit 1932. Mbaroi Liceun Artistik "Jordan Misja" në degën e arteve figurative në vitin 1951 dhe tre vjet më vonë niset për studimet e larta në Leningrad. Vitet 1954-1960 janë vitet e tij studentore në Akademinë e Arteve të Bukura të qytetit rus. Pas diplomimit kthehet në Shqipëri, ku punon fillimisht si inspektor i arteve figurative në Ministrinë e Kulturës dhe në të njëjtën kohë jepte mësim si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve. Vite më pas Kristaq Rama qe për një kohë të gjatë njeriu që përgatiti breza të tërë skulptorësh në Akademinë e Arteve të Bukura. Daltës së Kristaqit, fantazisë së tij, shpirtit të tij krijues, kur ai ka punuar vetëm, por dhe me kolegët, të cilët ruajnë për të ndjenjat dhe kujtimet më të bukura, i përkasin busti i Heroinës së Popullit Qerime Shote Galicës (1968), Monumenti i Kostandin Kristoforidhit (1966), Monumenti i Pavarësisë (1972), Përmendorja e Luftës së Vlorës 1920 (1970), etj, etj. Kristaq Rama u nda nga jeta në 11 prill të vitit 1998.


RREFIMI I SHEFKI HADERIT I PUBLIKUAR NE GAZETEN SHQIPTARJA.COM

Çfarë u tha atë natë në studio, bisedat për Poradecin dhe luftën e klasave
Isha duke punuar si zakonisht në një bodrum që na quhej atelier. Derën e mbaja gjithmonë të mbyllur, për shkak se pata vënë një rezistencë elektrike kundër lagështirës. Meqë shpenzimet i paguante Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, nuk doja që fjala të shkonte në veshin e Kujtim Buzës, edhe pse ishim miq, prapë frikën ia kisha.
Ndërkohë dikush trokiti tek dera. Menjëherë lashë daltën mbi kavaletë dhe hezitova të heqë prizën e furnelës. I ardhuri mbasi trokiti përsëri, tundi dorezën e derës disa herë.
-Jam i sigurt, -tha i ardhuri, se dikush është brenda.
Unë nga shqetësimi nuk e diktova zërin e të ardhurit, por aty për aty mendova se ishte nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës Agim Kroi, sepse në dorë kisha portretin e djalit të tij.
E hapa derën. Përballë ndesha me Kristaq Ramën.
-Kur dëgjova goditjet e Daltës u qetësova, -tha Kristaqi dhe pa e shkëputur fjalën shtoi, -erdha s’e kam një hall të madh.
Unë buzëqesha lehtë.
-Dhe ju mendoni se mund t’ua zgjidh unë, -i thashë.
-Sot mendoj se vetëm ti mundesh dhe askush tjetër, -tha Kristaqi. Kam një porosi, një portret, duhet përfunduar sa më shpejt. Është urdhër. E kam zbuluar deri në një farë mase portretin, por i mungon kafka, e pa kafkën nuk ma pranojnë. -tha Kristaqi. -Ty si mjeshtër i drurit të takon të montosh një kafkë.
Ndërkohë Kristaqi përplasi shuplakën, me gishta hapur sipër kokës së skulpturës që kisha mbi kavaletë. Sa e heq dorën, më drejtohet me një shikim paksa jo të zakonshëm dhe me thotë:
-A e kupton se ç’do të thotë të të mungojë kafka...
-Profesor pasi të përgatis materialin duhet të shkojmë e ta shohim për t’u orientuar me vëllimin.
-Pikërisht, - tha Kristaqi, -për këtë kam ardhur t’ju pyes. Kur keni kohë?
-Menjëherë, -i thashë dhe tentova të heq përparësen e punës.
-Jo, -thotë kristaqi, tashti më duhet të iki në Institut se më presin. Në orën 2.00 jam në studio. Ti mund të vish kur të duash.

* * *
Donte edhe dhjetë minuta të shkonte ora 2.00. I kisha përgatitur veglat e punës qysh më përpara, hoqa vetëm përparësen dhe u nisa. Dera e studios së Kristaqit ishte paksa e hapur. Mbasi trokita e shtyva atë. Portretin mbi kavaletë Kristaqi e kishte kthyer në drejtim të derës. Ia kishte hequr copat e drurit që nuk duheshin. Dukej qartë, ishte portreti i Enver Hoxhës....
-Mos shiko portretin, por shiko kafkën, -tha Kristaqi. Mënyra e përsëritur sesi Kristaqi e shqiptonte Kafkën më vuri në siklet. Unë për hallin që kisha, shihesha si me syrin e një të deklasuari, dëshiroja që biseda jonë të mos merrte nuanca politike.
-Po shkoj të përgatis materialin, -i thashë Kristaqit.
-Këtu më ke, -nuk largohem nga studioja gjer kur të mbarojë portreti.
U ktheva sërish në studion e tij në të ngrysur me materialin tashmë të përgatitur. Kristaqin e gjeta duke modeluar në reliev, një kompozim për Skënderbeun me përmasa projekti. Ai punonte shpesh dy vepra njëkohësisht. Pasi bënte pushim prej njërës kalonte te tjetra
-Kush është më i madh, -tha Kristaqi, duke treguar me dorë Skënderbeun në reliev dhe portretin e Enverit.
-Të dy i thashë, secili i madh për kohën e tij. ..
Kristaqi filloi të fliste për Skënderbeun. Unë heshtja. Pasi kaluam në bisedat nga portretet te peisazhi dhe universi, Kristaqi nisi të kujtojë Lasgush Poradecin. Në studio mbante një libër të tijin.
-Profesor! Kanë filluar të botohen veprat e Lasgushit?
-Jo, ç’është ajo fjalë! Ky libër është botuar në Jugosllavi. Ma ka dhuruar një shok kosovar. Thonë se Lasgushi është kokëfortë. Nuk do të shkruaj për Partinë. Një kuadër i lartë i Partisë e thirri në zyrë dhe i thotë:
“-Ti shoku Lasgush përse nuk shkruan për Partinë?
-Sepse nuk e ndjej akoma sa duhet për të realizuar një vepër me vlerë për Partinë. Sepse përmasat e veprës së Partisë i kalojnë mundësitë e mia krijuese, -i tha Lasgushi kuadrit të lartë të Partisë.
-Partinë tonë e njeh gjithë bota. Si ka mundësi që ti nuk e ndjen veprën e saj, -i tha kuadri i lartë i Partisë.
Pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia. Arti është sa i bukur, po kaq edhe delikat. Vetëm një theks atë mund ta çojë në qiell, ose ta përmbys në tokë, -i tha Lasgushi zyrtarit të lartë të Partisë.”
-Kjo e fundit, -tha Kristaqi, -Lasgushit i shpëtoi jetën, por jo dhe krijimtarinë e tij.
Me këto fjalë punonim dhe largonim gjumin e asaj nate në studio. Dita e re kishte marrë katër orë, megjithatë jashtë akoma nuk kishte filluar të zbardhte.
-Profesor, shikoje njëherë kafkën, çfarë mund të bëjmë më tej?.
Kristaqi pasi e rrotulloi njëherë portretin në disa drejtime tha:
-Skulptura ndryshe nga piktura shikohet në të gjitha drejtimet. Kafka me të vërtetë nuk është element shprehës, por edhe elementët shprehës pa kafkë nuk kanë asnjë vlerë.
Unë tentova të fshihja buzëqeshjen, mirëpo Kristaqi e kapi atë, e njëherësh u drejtua tek unë me një farë serioziteti dhe thotë:
-Pse nuk është ashtu. Ti nuk je dakord?!
-Përkundrazi, unë jam shumë dakord. Keni bërë një artikulim shumë të bukur. Do t’ua kishte zili dhe një letrar.
-Sigurisht kur bëhet fjalë artin, Enver Hoxhën e vlerëson gjithë bota mbarë, neve na takon që veprën e tij t’ua lëmë trashëgimi brezave tanë, tha serioz Kristaqi.
Pastaj ai duke fërkuar me dorë portretin e porositur thotë:
-Ne do t’ia marrim 18 mijë lekë këtij, ti ke pjesën tënde.
-Unë tek kjo punë nuk kam asnjë pjesë. Dëshira ime do të ishte sikur të punonim edhe një natë tjetër si kjo që lamë mbrapa. Kristaqi, pasi më shikoi më një buzëqeshje, me një farë vrulli shkoi në aneks dhe kur u kthye tha:
-Do të pimë edhe nga një cigare DS, por kësaj here pa kafe. Por, kjo dëshira jote, nuk do ta zëvendësojë pjesën tënde që të premtova, këmbënguli Kristaqi.
-Atëherë dëshirës sime dhe cigares DS i shtojmë edhe një dëshirë tjetër për ta kompensuar plotësisht pjesën time: sikur të bëhet e mundur një xhiro deri tek kafe Peza...
-Kjo është ca si e tepërt, -tha ai, -megjithatë në qoftë se mbas xhiros do të shkojmë në Pesëmbëdhjetëkatëshi të pimë nga një kafe me bisht dhe nga dy cigare DS, jam plotësisht dakord, -tha Kristaqi.
Kristaqi mori një gotë me ujë dhe duke mbushur gojën e tij spërkati relievin e Skënderbeut, mbasi e mbuloi me plastmasë për të mos u tharë, u kthye përsëri tek unë.
-Dëgjo ne xhiro bëjmë sa të duash. Kërkesa jote më kujton Petro Markon, ai ishte mbyllur me ditë të tëra në shtëpi sepse kishte bërë një gabim ideologjik. Një kuadër i lartë i Partisë shkon në shtëpinë e Petros dhe i thotë:
“-Gabimin që ke bërë, Partia ta ka falë, prandaj dil dhe mos u mbyll brenda.
-Ma fal Partia, po s’ma fal populli, -thotë Petrua, prandaj hajde të dalim bashkë, të bëjmë ndonjë xhiro në bulevard. Vetëm kështu rregullohet kjo punë. ..”

Kristaqi e paskësh kuptuar hallin tim!

Kristaqi e paskësh kuptuar hallin tim, se çfarë doja të bisedoja me të, e unë kisha kohë që përtypja fjalët. Taman aty e kisha fjalën, doja t’i qaja hallin tim të biografisë. Babanë tim para 35 vjetëve e kishin cilësuar kulak. Drejtorët dhe shefat sa herë u prishej qejfi për diçka, na përmendin biografinë. Më erdhi rasti t’ia shprehja këtë hall Kristaqit.
Ai më dëgjonte në heshtje, herë-herë ngrinte kokën, herë-herë e ulte dhe shihte diçka përtej bisedës tonë. Përplaste qepallat dhe dukej që i lëviznin dejet në lëkurë.
-Atëherë dëgjomë mua, -tha papritur Kristaqi. Unë kam një shok të mirë aty ku duhet. Unë do të flas me atë, çfarë të më thotë ai, unë do të gjej e do të them.
Nuk kaloi më shumë se një javë, kur Kristaqi më takoi dhe më thotë:
-Atë shokun e takova, bisedova mirë me atë dhe më premtoi se do t’i shikojë këto punë dhe do t’i kthejë përgjigje, prandaj na duhet të presim.
Përsëri nuk kaloi më shumë se një javë, kur Kristaqi erdhi tek atelieri im. Kësja here derën e gjeti hapur. Ndryshe nga herët e tjera ishte i çelur dhe i buzëqeshur. Me atë zërin e tij si prej baritoni më thotë:
-Ai shoku im në orët e vona të natës që shkoi më mori ne telefon e më tha: “Thuaj atij shokut të shikojë punën”. A të duhet më shumë se kaq?!”
Më pushtuan emocionet. Nuk isha ne gjendje të gjeja një fjalë falënderimi.
-Nëma dorën, -tha Kristaqi. E shtrëngoi ëmbël dhe ngrohtë njëherësh. Dorën e majtë e përplasi në supin tim. Kur bëri të ikte, unë i thirra:
-Profesor!
Ai ktheu kokën në ecje e sipër.
-Unë nuk e kam harruar atë bishtin e kafesë. Kam gjetur dhe një paketë DS.
Ai ngriti dorën shoqëruar me një buzëqeshje. E shoqërova me sy deri tek kthesa, derisa u fashit dhe silueta e tij....


Cila ishte skulptura në dru e Enverit që Kristaqi po i bënte atë natë?

“Koha që përket me vitin e episodeve të rrëfimit duhet të ketë qenë 1984 apo fillimi 1985, sepse në studion e Kristaqit ishte vendosur në suport e përfunduar dhe e pa llakuar, Vepra "pianistja" një nga të rrallat punime të tij të prezantuara në gdhendje në dru, e cila prej vitit 1985 është në fondin e galerisë kombëtare, ndonëse ishte e shprehur ndjesia e tij për drurin në mjaft bocete ku siç jo shpesh ngjet, ai për disa nga skulpturat në bronc ka përdorur ose më mirë ka pasur nevojën e një mishërimi paraprak në dru dhe jo kalimit të drejtpërdrejtë nga allçia e balta në derdhjen e kallëpit në bronc. Ndoshta edhe për skulpturën që unë bëj fjalë në rrëfimin tim, prej ngjashmërisë ajo më përkon me kokën e skulpturës së Enverit me kostumin klasik, ulur në kolltuk e cila mban si datë përfundimi 1988, në monografinë mbi Kristaq Ramën, porse ajo ka nisur shumë më herët dhe mbeti edhe sot e kësaj ditë fond personal që gjendet në studion e tij. Kuptohet urgjenca për kokën e gdhendur që më tej, siç thashë ndoshta është përdorur për skulpturën më sipër, rrjedh ndoshta prej faktit se zakonisht institucionet dhe bënte bënin porosi për fondin e tyre dhe nuk kam dijeni ku ndodhet sot.




(Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Bardhi flet për ecurinë e protestës: Do zbatojmë vullnetin e qytetarëve, e kanë ata në dorë! Planin do e bëjmë të ditur hap pas hapi

Bardhi flet për ecurinë e protestës: Do zbatojmë vullnetin e qytetarëve, e kanë ata në dorë! Planin do e bëjmë të ditur hap pas hapi