Prokuroria e Fierit ka lëshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 20-vjeçaren që dhunoi të miturën në Fier si dhe masën ‘arrest shtëpie’ për dy 15-vjeçaret. Masat e sigurisë janë ekzekutuar ndërsa të rejat akuzohen për veprën penale ‘heqje e paligjshme e lirisë’.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 qershor në banesën e 20-vjeçares, ndërsa u bë publike vetëm disa ditë më parë pasi në rrjete sociale u publikuan pamjet e dhunës.
Njëra prej vajzave ka regjistruar të gjithë skenën ndërsa 2 të tjerat e kanë dhunuar në mënyrë brutale. 17-vjeçarja, pas traumës së rëndë, i ka rrëfyer të gjithë ngjarjen nënës së saj, e më pas ka bërë denoncimin në polici.
Të rejat në dëshminë fillestare të dhënë në polici, e pranuan se e kanë dhunuar 17-vjeçaren, por janë justifikuar me disa arsye, që policia nuk i bën të ditura, por i vlerëson si motive të dobëta.
Për Report Tv, mamaja e 17-vjeçares ka rrëfyer të gjithë ngjarjen e rëndë, duke thënë se e bija është e traumatizuar dhe se jeton me frikë. Ajo tregon se 3 vajzat i kanë dalë 17-vjeçares përpara i kanë kërkuar të shkojë me ato duke i thënë se ‘Kemi një surprizë’.
Gjithashtu për mediat, pas bërjes publike të ngjarjes, ka folur dhe mamaja e njërës prej vajzave 15-vjeçare. Ajo bëri me dije se e bija është diagnostikuar 3 muaj me pare me probleme të shëndetit mendor dhe se prej kohësh kanë kërkuar ndihmë pranë institucioneve për trajtimin e saj. Sipas saj, ajo kishte shfaqur edhe më parë episode agresiviteti, por kërkesat për mbështetje nuk kanë marrë përgjigjen e nevojshme.
Komente






