TIRANË- Dy muaj pas shpalljes në kërkim, për rrahjen e Klea Prengës, dy motrat Antonela dhe Mariela Berishaj janë vetëdorëzuar në drejtorinë e policisë në Tiranë. Burime bëjnë me dije se ata u vetëdorëzuan në Drejtorinë e policisë në prani të avokatit.

Ndaj Mariela Berisha është ekzekutuar vendimi për vënien nën masën e sigurisë 'Arrest në burg', ndërsa për Antonela Berishan është vënë masa e sigurisë 'Detyrim paraqitje'.

'Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. 

Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal "Arrest në burg", në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit "Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore" ndaj shtetases A. B.', njofton policia.

Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berishaj teksa ishte duke darkuar në një restorant në kryeqytet në zonën e Kodrës së Diellit, mbrëmjen e 6 gushtit 2024 dhe teksa ishte duke ngrënë motrat e kanë goditur me sende të forta, shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë.

Dy motrat, Antonela dhe Mariela Berishaj akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe rrezikojnë burg deri në 10 vjet. Fillimisht u dyshua se ato ishin larguar nga Shqipëria për në Dubai.

Klea Prenga pas goditjes ka dëme të pariparueshme në fytyrë, teksa i kanë rrezikuar punën e saj si blogere.