Rrëfimi i pedofilit: Si e vrava
dhe zhduka trupin e Julianit

TIRANE - Katër muaj pas zhdukjes së Julian Çelës, familja mëson se djali i tyre, 11 vjeç ishte rrëmbyer, abuzuar dhe më pas vrarë nga një maniak pedofil i cili banonte vetëm 200 metra larg banesës ku jetonin në Laprakë.

Julian Çela ishte zhdukur pasditen e 30 nëntorit 2012 dhe kërkimet e shumta nuk kishin arritur asnjë gjurmë, deri ditën e djeshme (17 mars 2013) kur policia, ndërmori një aksion për lirimin e një fëmije tjetër 10 vjeçar, A.C  i rrëmbyer prej pasdites së të shtunës (16 mars 2013) nga 45 vjeçari Ardian Prrenjasi.

Sinjalizimi i fqinjëve arritën t'i shpëtonin jetën djaloshit 10 vjeçar, por jo të Julianit, fundi tragjik i të cilit është treguar nga vetë maniaku pas arrestimit paraditen e djeshme.

"E vrava se bërtiste"- ka rrëfyer dje në polici, 45 vjeçari nga Prrenjasi i Librazhdit, i cili prej më shumë se një viti banonte tek ajo banesë në Laprakë. Prrenjasi kishte afruar Julianin me pretekstin për të blerë cigare. E kishte vrarë të njëjtën ditë që e kishte rrëmbyer, (30 nëntor 2012), pastaj trupin e të miturit të mbështjellë me batanije të kuqe të mëndafshtë e kishte hedhur në një kazan plehrash pranë shtëpisë. Kishte pritur derisa kamioni i plehrave të vinte ta merrte për ta hedhur në vendgrumbullimin e mbetjeve të qytetit, në Sharrë, në periferi të Tiranës. Gazetari i TV A1 REPORT! Arsen Rusta informon se të gjitha këto Ardian Prrenjasi i ka treguar dje gjatë marrjes në pyetje përpara grupit hetimor

Ndërsa, sot paradite 45 vjeçari, një burrë i shkurtër, i dobët, thinjosh, dhe i parruar,  me pranga në duar është shoqëruar për në banesën e marrë me qera në Laprakë dhe më pas drejt vendgrumbullimit të Sharrës për të treguar me detaje skemën e krimit deri në momentin kur kishte parë për herë të fundit trupin e pajetë të vogëlushit i cili i mbuluar me batanije të kuqe kishte përfunduar në Sharrë.

"Këtu e kam parë për herë të fundit"- u thotë Ardian Prrenjasi grupit hetimor të cilët e kanë shoqëruar në Sharrë, teksa tregon me dorë vendin ku e ka parë për herë të fundit trupin e vogëlushit në fushën e mbeturinave në Sharrë më 1 dhjetor 2012.  Gazetari i TV A1 REPORT! Arsen Rusta sjell pamjet ekskluzive të këtij momenti vërtet rrënqethës që ngjau sot paradite në fushën e mbeturinave në Sharrë. (Në foto lart: Ardian Prrenjasi sot në Sharrë duke treguar ku ka hedhur trupin e Julian Çelës)

Juliani banonte jo më shumë se 200 m larg banesës së rrëmbyesit, kurse fëmija 10-vjeçar me inicialet A. C i shpëtuar dje nga policia falë denoncimit të fqinjëve, jetonte përballë banesës së Prrenjasit. Vogëlushi u gjend nga policia i lidhur poshtë lavamanit, në banjon e banesës së marrë me qera prej Ardian Prenjasit.  Burimet konfidenciale dhe ato zyrtare nga policia e Tiranës deklaruan se në banesë janë gjetur gjurmë gjaku, qe mendohet se janë të vogëlushit Çela, nje litar dhe nje thikë.

SHIKONI FOTOGALERINE PEDOFILI TREGON KU DHE SI E VRAU 11-VJECARIN

TV A1 REPORT dhe agjencia e lajmeve online Shqiptarja.com po ndjekin hap pas hapi gjithçka ka ndodhur  nga gjetja e fëmijës 10 vjeçar, dje paradite më pas zbulimi i fundit tragjik të Julian Çelës, por dhe një histori dhune e pedofilie që fshihet pas jetës 45-vjeçarit Ardian Prrenjasi, i cili është autor edhe i rrëmbimeve të 3 fëmijëve të tjerë.

Prokuroria ka deklaruar se ka dyshime për abuzime të tjera pedofilie dhe po mbledh prova ndërkohë që në 2008  45-vjeçari kishte rrëmbyer një tjetër të mitur dhe për këtë vepër penale si prokuroria ashtu dhe gjykata kishin kërkuar dënimin vetëm me një gjobë. Dënimi i përfundimtar ishte lënë 60 mijë lekë gjobë dhe gjykata çmonte se ky dënim ishte i mjaftueshëm për rehabilitimin e 45 vjeçarit dhe nuk ishte i nevojshmë izolimi i tij nga shoqëria. Në 2004 ishte skeduar në policinë e Librazhdit për rrëmbimin e 2 fëmijëve të tjerë dhe sërish ishte dënuar vetëm me gjobë. I dëbuar prej vitesh nga familja e tij në Prrenjas, aktualisht Ardiani i divorcuar dhe babai i 3 fëmijëve punonte si punëtor i një firme mirëmbajtjeje dhe bashkëjetonte me një 24 vjeçare nga Dibra. 

Sot prokuroria deklaron se ka nisur hetimet për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Shefkie Demiraj, për akuzën e "Shpërdorimit të detyrës". Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë pranë Ministrisë së Drejtësisë ka nisur inspektimin me objekt kontrollin e veprimeve proçeduriale në proçedimin penal nr.1623, viti 2008 në ngarkim të të pandehurit Ardian Prrenjasi. Ndërkohë që policia në një mbledhje të thirrur pasditen e sotme kërkon skedimin e personave me precedentë penalë, si rrëmbimi dhe abuzimi me fëmijët.
 
Në vendngrumbullimin e plehrave në Sharrë kanë nisur kërkimet për trupin e Julian Çelës, ndërsa në Prrenjas të LIbrazhdit familja e 45 vjeçarit, ndonëse ka shumë vite që e ka dëbuar është ngujuar pasi i druhet një hakmarrjeje.

MINUTE PAS MINUTE CFARE NDODHI SOT DHE DJE


MBLIDHEN DREJTUESI E POLICISE : TE SKEDOHEN TE GJITHE PEDOFILET
Ora 19:45 Drejtuesit e policisë së shtetit janë mbledhur në një takim emergjent,  për të diskutuar mbi rastin e pedofilit vrasës, Ardian Prrenjasi. Në takimin me dyer të mbyllura ishte edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe ai i Tiranës Bernard Caushaj. Mësohet se në mbledhje është kërkuar skedimi i personave me precedentë të tillë penalë, si rrëmbimi dhe abuzimi me fëmijët.   “Shikim i dosjeve me imtësi të plotë” mësohet se ka qenë kryefjala e përbashkët e drejtuesve të policisë.

NESËR PRRENJASI NË GJYKATË VETËM PËR RREMBIMIN E  10-VJECARIT

Ora 15:09
Ardian Prrenjasi pritet të dalë nesër para gjykatës për të marrë vlerësimin e masës së sigurisë. Gazetari Arsen Rusta informon se 45-vjeçari do të njihet vetëm me akuzën e rrëmbimit të 10-vjeçarit A.C ndërkohë që për vrasjen e Julian Çelës duhen disa ditë ekzaminime ligjore për të vërtetuar shkencërisht lidhjet e Ardian Prrenjasit me vrasjen, pavarësisht se ai ka pranuar para prokurorëve se e ka kryer krimin. Madje ka treguar dhe skemën si e ka kryer.

FAMILJARET: TE VARET, NE E DEBUAM PARA 6 VITESH SE RREMBEU NJE FEMIJE 
Ora 14:04
“Të varet. Nëse unë do ta kem përpara vetëm për 5 minuta e vras vetë”- janë fjalët e Besnik Prrenjasit, vëllait të pedofilit vrasës.  Jo vetëm të turpëruar, por edhe të frikësuar nga hakmarrja, familja e 45-vjeçarit është ngujuar në ambientet e kësaj banese që pas lajmit të bujshëm që tronditi mbarë opinionin publik. Kamera e A1 REPORT trokiti sot në derën e vëllait. Ai tregon se prej gati 6 vitesh me Ardianin kishin ndërprerë çdo kontakt dhe ai nuk thirrej as në sebepe familjare. Shkaku kishte qenë një tjetër rrëmbim i një fëmije në lagjen ku banonin.

“Unë e kam bërë lanet. Sa herë që kemi pasur fejesa dasma e gëzime nuk e ftojmë, dhe prej 6 vitesh nuk e kemi pranuar në shtëpi. Them publikimisht që të vartet, nëse do ta kem unë përpara vetëm për 5 minuta unë e vras”- thotë Besniku në një prononcim për gazetarin Andi Qosja tv A1 REPORT! nga banesa e tij në Prrenjas. Ai shprehet i tronditur pasi thotë se nga kjo ngjarje është prekur dhe fëmija i tij, (i cili sic thotë ai në media është përfolur se është abuzuar nga xhaxhai i tij) “Çfarë faji ka fëmija im të përgojohet. Më është trembur fëmija sepse doli sikur është abuzuar me të. E kam dërguar në Greqi për ta vizituar një psikolog”- tregon Besniku. Edhe një fqinj i tij kujton se Ardian Prrenjasi ishte larguar nga lagjja pasi kishte rrëmbyer një fëmijë. Vëllai i pedofilit: E përzumë se rrëmbente fëmijë, jemi ngujuar

POLICIA NIS KERKIMET ME QEN POLICIE

Ora 12:50
Policia nis kërkimet me qen në fushën e mbeturinave në Sharrë. Ndërkohë që Lefter Muka, pronari i banesës ku jetonte me qera në një prononcim për gazetarët tha se nuk e njihte si person Ardian Prrenjasin, vetëm i merrte qiranë.

ARDIAN PRRENJASI TREGON SE KU KA HEDHUR TRUPIN NE SHARRE

Ora 11:44
Ardian Prrenjasi i shoqëruar nga dy polici dhe me pranga në duar ecin në fushën e mbeturinave në Sharrë. Në një moment ai ndalon dhe tregon me dorë se ku e ka hedhur trupin e vogëlushit të mbuluar me një batanije të kuqe. Atij i heqin prangat dhe ai afron dorën pikërisht tek vendgrumbullimi i plehrave ku thotë se ka hedhur trupin. Pamjet ekskluzive u  siguruan nga Arsen Rusta.

“E vrava më 30 nëntor pasi bërtiste. Trupin e kam mbuluar me një batanije të kuqe dhe e kam hedhur në kazanin e plehrave pranë shtëpisë time dhe kam pritur derisa kamioni i plehrave ka ardhur dhe e ka marrë. Të nesërmen më 1 dhjetor, kam ardhur në Sharrë dhe kam parë trupin, (këtu, në pamje tregon me dorë) pasi ishte mbuluar me batanije të kuqe të mëndafshtë, dhe mbi trup kishte mbeturina të tjera. Më pas jam larguar i qetë pasi kam menduar se askush nuk do ta gjente.”- është dëshmia e Ardian Prrenjasit përpara grupit hetimor. Ai punonte si punonjës për pastrimin dhe kishte akses të hynte në fushën e mbeturinave në Sharrë.

mostra ne sharre me logo
(
Vrasësi Ardian Prrenjasi tregon vendin ku e ka parë për herë të fundit trupin e vogëlushit të vrarë)


SHIKONI FOTOGALERINE QE VRASESI TREGON KU DHE SI E VRAU 11-VJECARIN


FAMILJARËT: DUAM DREJTËSI, TË GJENDEN ESHTRAT E JULIANIT
Ora 11:40
Jemi tepër të rënduar psikologjikisht. Ai pretendon se e ka hedhur trupin në dy vende, tek një gropë e madhe, dhe diku tjetër. Ne duam drejtësi, duam të na ndihmojnë që të gjejnë trupin sa më parë. Nëse drejtësia nuk bën gjë atëherë të na lëre ne në dorë. Duam të na gjejnë eshtrat, një orë e më parë. Siç po qan tezja ime, të qajnë dhe ata “- thotë kushëriri i Julian Çelës duke i bërë apel policisë që të nisin sa më parë kërkimet. Prononcim për gazetaren Drilona Nokshiqi TV A1 REPORT, u dha në Sharrë.

PROKURORËT NË BANESËN E ARDIAN PRRENJASIT
Ora 11:25
Në banesën ku jetonte me qera Ardian Prrenjasi kanë mbërritur prokurorët dhe hetuesit e çështjes. Prokurorët do të mbledhin provat për krimin e rëndë të vrasjes së 11 vjeçarit. Në vendin e ngjarjes në Laprakë dy prokurorë të Prokurorisë së Tiranës. Akuza po punon dhe për zbulimin e krimeve të tjera të Ardian Prrenjasit.

FAMILJARET E JULIAN CELES NISIN VETE KERKIMET NE FUSHEN E SHARRES
Ora 11:00
Familjarët e Julian Çelës nisin vetë kërkimet në fushën e mbeturinave në Sharrë për trupin e fëmijës. Vrasësi ka deklaruar se e ka mbështjellë trupin me një batanije të kuqe. Por, koha e gjatë që ka kaluar që nga vrasja, mbi tre muaj, e bën të vështirë zbulimin e trupit, pasi përpunimi i mbeturinave është kryer vazhdimisht dhe sasi të reja mbeturinash janë hedhur. Gazetari Arsen Rusta është sëbashku me ta në çdo hap, duke ndjekur këto moment të vështira.

FAMILJARE TE JULIAN CELËS NË SHARRË

Ora 10:45
Gazetari Arsen Rusta informon se policia do të nisë kërkimet pak më vonë pasi të ketë ndërtuar skenën e krimit. Në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë ndodhen dhe 12 familjarë të vogëlushit të vrarë. Policia e shtetit është përpjekur t’i mbajë larg ata nga Ardian Prrenjasi i cili është shoqëruar nga policia për të treguar se ku mund të jetë hedhur trupi i Julian Çelës.

PRRENJASI DERGOHET NE VENDGRUMBULLIMIN E MBETJEVE NE SHARRE
Ora 10:18
I shoqëruar nga 2 makina policie Ardian Prrenjasi është dërguar në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë.

ARDIAN PRRENJASI NE BANESE TREGON SKENEN E KRIMIT
Ora 09:50
Ardian Prrenjasi i shoqëruar nga forcat e policisë është dërguar në ambientet e shtëpisë për të treguar skemën e krimit. A1 REPORT transmeton pamje të drejtëpërdrejta të momentit kur forcat e policisë dhe Ardian Prrenjasi ndodhen në apartamentin e tij në Laprakë, pikërisht në banjon e apartamentit ku mendohet se është kryer vrasja e Julian Çelës dhe ku deri dje ka mbajtur të rrëmbyer një tjetër fëmijë 10 vjeçar. Aty është gjetur dhe një litar dhe një thikë. Ardian Prrenjasi ka treguar dhe rrugicën ku ka thirrur Julianin, duke e nxjerrë nga qendra e internetit dhe më pas e ka futur në banesë, ndërkohë që banorë të lagjes të tensionuar dhe të irrituar kanë shfryrë pezmin ndaj Ardian Prrenjasit.

ardian prrenjasi
(Foto: Ardian Prrenjasi sot paradite ne banese, i shoqëruar nga policia për të treguar skenën e krimit )


ardian prrenjasi
(Foto: Ardian Prrenjasi, ne fushen e mbetjeve në Sharrë)


juliani me logo dhe ardian prrenjasi
(Në foto: Fëmija i vrarë, Julian Çela, banesa ku e mbajti peng dhe i arrestuari Ardian PrRenjasi, ne 2004 i skeduar nga policia e Librazhdit)

PRRENJASI RREMBEU DHE 2 FEMIJE NE 2004 

Ora 08:35 Tj
era fakte tronditëse zbulohen një ditë pas arrestimit të Ardian Prrenjasit. Julian Çela, djaloshi 11 vjeçar i rrëmbyer më pas i vrarë, dhe 10 vjeçari i cili u arrit të shpëtohej falë ndërhyrjes në kohë nuk janë 2 fëmijët e vetëm që janë rrëmbyer nga 45 vjeçari nga fshati Prrenjas i Librazhdit me banim në Laprakë.

Faktet në kohë tregojnë se në arshivat e policisë së Librazhdit Ardian Prrenjasi ishte regjistruar në 2004 si person që ka rrëmbyer 2 fëmijë në fshatrat e këtij qyteti.

Fëmijët e rrëmbyer para 9 vitesh nga Prrenjasi janë shpëtuar nga policia, informon gazetari ynë në Elbasan Andi Qosja. Për dy rastet e veçuara të rrëmbimit monstra është dënuar me gjobë. 45 vjeçari Ardian Prrenjasi jetonte në Librazhd në vitin 2004. Ndërkohë që në 2008, kur Prrenjasi banonte në Laprakë rrëmbeu një tjetër fëmijë dhe për këtë u dënua nga gjykata e Tiranës me 60 mijë lekë gjobë


CFARE NDODHI DJE ME 17 MARS

PRRENJASI DYSHOHET PER BASHKEPUNTORE
Ora 22:04  V
ogelushi 10-vjecar A.C. ka rrefyer ne polici se e ka degjuar rrembyesin e tij t'u thotë shokeve te tij në telefon "hajde merreni, se eshte gati" ç'ka ka hapur pistën e re të hetimeve se mund të ketë dhe bashkëpunëtorë.

FEMIJA I SHPETUAR KTHEHET NE SHTEPI, PRANE PRINDERVE

Ora 22:00 
10-vjecari A.C i shpëtuar nga duart e pedofilit është kthyer pranë të afërmve të tij. Fëmija u kthye pasi disa orësh marrje në pyetje në polici në praninë edhe të një psikologu.

KERKIMET NE FUSHEN E MBETJEVE URBANE NE SHARRE
Ora 21:49
Pasi e ka vrarë Julianin, Ardian Prrenjasi ka treguar se e ka mbështjellë me batanije dhe e ka hedhur në kazanin e mbeturinave të lagjes ku banon. Një fat i tillë mund të kishte edhe djaloshi 10 vjeçar nëse nuk do të shpëtohej në kohë.

Sipas rrëfimit të pedofilit, Julian Çela është vrarë të njëjtën ditë që ai e rrëmbeu, më 30 nëntor te vitit te kaluar. Prrenjasi ka treguar  ne polici se e kishte afruar Julianin me pretekstin për  të blerë cigare. Pas rrëmbimit fëmija kishte filluar të bërtiste, dhe për këte ai e vrau. Sipas gazetarit të TV A1 REPORT! Arsen Rusta nga dëshmia që ka dhënë në polici 45 vjeçari mësohet se pasi e ka vrarë Julianin, e ka mbështjellë me batanije dhe e ka hedhur në kazanin e mbeturinave të lagjes ku banon dhe ka pritur deri në momentin kur kamioni i plehrave ka bërë pastrimin e kazanëve duke marrë me vete dhe trupin e vdekur të Julianit për ta hedhur në vendngrumbullimin e plehrave në zonën e Sharrës në periferi të Tiranës.

Policia do t'i fillojë në mëngjesin e ditës së hënë, kërkimet në Sharrë, për shkak errësirës dhe kohës së gjatë që ka kaluar. Hetimet vazhdojnë edhe me zbulimin e kamionit që ka bërë transportin e kazanit të mbeturinave të asaj zone dhe përqëndrimin e kërkimeve në një pikë të caktuar.  

PUBLIKOHET VENDIMI I MEPARSHEM I GJYKATES, QE E KA LENE TE LIRE VRASESIN


shefkie demiraj Ora 20:33
Në 2008 Ardian Prrenjasi ishte dënuar me 90 mijë lekë gjobë, për kryerjen e veprës penale “Heqje e paligjshme lirise” parashikuar nga neni 110/1 te K.Penal. Pasi ai kishte mbajtur peng të miturin M. A. Gjatë shqyrtimit të cështjes gjykata çmon se ky dënim ishte i mjaftueshëm për rehabilitimin e 45 vjeçarit dhe nuk ishte i nevojshmë izolimi i tij nga shoqëria. Pasi ky kishte pranuar krimin, kishte përfituar 1/3 uljen e dënimit duke e çuar dënimin me gjobë në 60 mijë lekë. Vendimi nr 1555 i gjyqtares së Gjykatës së Tiranës Shefkie Demiraj (Foto Majtas) ndërkohë që Prokurori ishte Blerim Tominaj. Vendimi ne PDF i gjykates


MERRET NE PYETJE BASHKEJETUESJA E RREMBYESIT, QUHET VALBONA

Ora 22:30
Policia e kryeqytetit ka marre ne pyetje sonte në mbrëmje , gruan me të cilën bashkëjetonte Ardian Prrenjasi. Ajo ka deklaruar se gjatë këtyre diteve ka qenë në Dibër tek prindërit e saj.

POLICIA KERKON BASHKEJETUESEN E ARDIAN PRENJASIT

Ora 20:00
Mësohet se Ardian Prrenjasi ka bashkëjetuar me një grua, e cila dy-tre ditët e fundit është parë me të në shtëpi. Ajo quhet Valbona dhe policia mendon se ka dijeni për ngjarjen, tha korrespodenti Arsen Rusta nga banesa e rrëmbyesit në Laprakë.    

KOMISARIATIT NR.3: PRRENJASI, AUTOR I PENGMARRJES E VRASJES. VAZHDOJME KERKIMIN E TRUPIT TE ÇELES

Ora 19:33
Drejtuesi i Komisariatit nr.3, Bernard Çaushaj, deklaroi se "nga informacionet paraprake që morëm nga banorët, ndërhymë në banesë, ku gjetëm fëmijën të fshehur dhe një litar të lidhur në forme laku për t'i bërë presion atij. Ngritëm menjëhere grupin hetimor për krimet e rënda dhe gjatë një pune të mirëorganizuar dhe kohë rekord, mblodhëm prova të pakundërshtueshme se ai është rrëmbyesi dhe vrasësi i Julian Çeles. Vazhdojme hetimet për gjetjen e trupit të tij dhe dokumentimin e të dyja ngjarjeve". 


NISIN KERKIMET E TRUPIT NE SHARRE

Ora 19:13
Mësohet se kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të Julian Çelës në fushën e mbeturinave në Sharrë.
Shpetia ku u mbajt peng nga ardian prrenjasi
(Foto: Pamje nga banesa ku ka banuar manjaku dhe ka mbajtur peng, fëmijën A. C,18 mars 2013)

KONFERENCE SHTYPI HYSNI BURGAJ: PRRENJASI PRANOI VRASJEN

Ora 19:10
Drejtorit të policisë së Tiranës, Hysni Burgaj ka bërë të ditur se 45-vjecari ka pranuar autorësinë e krimit. Prrenjasi ka qene i martuar dhe me tre femije.

PSIKOLOGIA: NGJARJE E TMERRSHME, DUHET TE NA SHQETESOJE

Ora 19:05
Psikologia Entela Binjaku analizon  rastin në studion e “A1Report!”: Është ngjarje e tmerrshme dhe dramatike, që duhet të na shqetësojë të gjithëve si shoqëri.

FAMILJA E JULIAN ÇELES  HAP DYERT E MORTIT

Ora 18:40
Në Laprakë, familja e Julian Çelës hap dyert e mortit. Familja Çela pret ngushëllimet pa trupin e djalit në shtëpi. Ndërkohë që familja e djalit të rrëmbyer dje dhe i shpëtuar sot banonte përballë rrëmbyesit. Shtëpia e Çelës është larg jo më shumë se 200 metra.

LITARI I GJETUR NE BANESEN E RREMBYESIT MUND TE PERDOREJ PER TE VRARE FEMIJEN

Ora 18:02
Gazetari i TVA1REPORT!, Arsen Rusta, informon se familjarët e Julian Çelës e kanë mësuar lajmin tragjik. Ende nuk  është gjetur trupi i fëmijës. Ai shtoi se edhe litari që ishte gjetur në banesën e rrëmbyesit 45-vjeçar Ardian Prrenjasi do të përdorej për të vrarë fëmijën e shpëtuar sot nga policia.

Nga rruga "Bujar Kaloshi" në Laprakë, gazetari Rusta informon se për rreth 4 orë, rrëmbyesi nuk ka pranuar të tregojë për njohjen me Çelën dhe çfarë kish ndodhur më pas". Provat materiale të gjetura në banesë janë një thikë, një litar dhe gjurmë gjaku, që do të verifikohen kujt i përkasin.  Rreth orës 15:30 të ditës së zhdukjes së Julian Çelës, 30 nentor, ai është thirrur në emër nga një njeri, që me sa dukej e njihte.

GJYSHI: PRISJA TE SHIHJA TE VDEKUR, POR E GJETA GJALLE
Ora 16:54
Gjyshi i fëmijës A.C. së gjendur tregon momentet e humbjes dhe gjetjes së nipit të tij, që nga momenti kur ai vetë i pari dyshoi se nipi ishte rrëmbyer, kërkimi e deri tek takimi i parë me të, sekondat e ankthshme. Fatmirësisht, iu tha se djali është gjallë. "M'u betuan edhe polici edhe psikologia se djalin e kemi gjallë dhe u kërkova ta linin të ëmën ta takonte. E lanë dhe djali, pa folur, e përqafoi"- tregon gjyshi.  

armand cani
(Në foto: Fëmija i rrëmbyer, A.C., që u gjet sot, 17 mars nga policia)

GJETJA E FEMIJES I HAP RRUGEN HETIMEVE TE REJA PER  FATIN E JULIAN ÇELES
Ora 16:30
Gazetari i tv A1Report! informon se një litar është gjetur në banesën e Andi Prrenjasit gjatë ekzaminimit të saj, që dyshohet se mund të përdorej për vrasjen e fëmijës. Ndërkohë, është kontaktuar edhe me babanë e Julian Çelës për të mbështetur hetimin. Gjithashtu, mësohet se rrëmbyesi Prrenjasi punonte në ndërmarrjen e pastrimit. 

PRRENJASI MUND TE KETE RREMBYER DHE JULIAN CELEN

Ora 15:40
Gazetari Arsen Rusta njofton se gjetja e fëmijës 10-vjeçar ka hapur sot çështjen e gjetjes së një fëmije tjetër të humbur, Julian Çela. Tani që i dyshuari është nën pranga, banesës së tij po i bëhet kontroll i imtësishëm për gjetjen e gjurmëve të 11-vjeçarit të humbur 4 muaj më parë, djalit të i  nëndrejtorit të SHISH-it, Durrës.

DESHMIA E BABAIT TE FEMIJES SE MARRE PENG
Ora 15:30
Gazetari Rusta ka pyetur babanë e fëmijës, AC., i cili tha: "Djali ka dalë dje nga ora 5 e gjysëm pasdite të luajë me shoket; nga ora 7 ne nuk e gjetëm dhe filluam të kërkojmë në qëndra interneti dhe komshinj. Shyqyr Zotit,  policia e gjeti. Dyshuam tek personi, por nuk e njohim, unë vetë s'e njoh fare. Pasi u gjet, djalin e kemi parë, por  tani atë e ka marrë policia e nuk mund të them gjë. Gjithsesi, çështjen ia kemi lënë në dorë drejtësisë. Djali është në klasën e katërt të shkollës".

cani
(Në foto: Babai i fëmijës së rrëmbyer, A.C.)

Gazetari Rusta raportoi se "personi i arrestuar kishte lënë mjaft dyshime tek banorët e zonës; shprehte sjellje të pakuptueshme në lagje.
Provat materiale në brendësi të banesës që e lidhin atë direkt me rrëmbimin e të dy djemve, edhe të Julian Çelës. Metoda e përdorur prej tij ishte afrimitetit, i përdorte fëmijët për të blerë cigare. Tashme fëmija ndodhet në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit në prezencë të një psikologu dhe së shpejti, edhe të afermit do të pyeten. I dyshuari do të akuzohet për rrëmbim dhe abuzim me minorenë. Ende femija nuk është takuar me të afermit; ai është gjendur në kushte të rënda psikologjike; janë bërë ekzaminime mbi të, por gjendja shëndetësore duket e mirë. Theksojme se gjithçka po kryhet me praninë e një psikologu. Emri i  autorit të dyshuar ështe Ardian Prrenjasi. Gjithashtu, mbrëmë, janë parë nga banorët e zonës, të ardhur që nuk ishin të njohur në zonë dhe kanë shtuar dyshimet e banoreve për rrëmbimin e fëmijës".

shtepia laprake
(Në foto: Banesa e marrë me qera në Laprakë, ku jetonte rrëmbyesi dhe u izolua fëmija)

Redaksia Online
(ar.sh/Gre.M/su.ge
/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Rama 'takon' Ismail Qemalin falë inteligjencës artificiale! Video e urimit: Me këmbë të mbarë 2025

Rama 'takon' Ismail Qemalin falë inteligjencës artificiale! Video e urimit: Me këmbë të mbarë 2025