Ai është tema e ditës dhe jo i vetëm,por edhe bashkëshortja e tij ka përthithur një interes të pamasë në media. Shëndeti dhe fati që e zgjodhi president në raundin e 4-tërt e kanë shndërruar zotin Bujar Nishani në kureshtinë dhe më të kërkuarin e gazetarëve. Është një zyrë e thjeshtë me kolltukë të kohës së komunizmit dhe sekretarja më thotë se aty do të qëndrojnë vetëm për një muaj. Ai pjesën më të madhe të kohës e kalon duke ju përgjigjur mesazheve që i mbërrijnë në celular.
Si ja bëni t’ju përgjigjeni të gjithëve dhe për kuriozitet sa mesazhe keni marrë deri tani?
-Nuk do ta besosh po janë të paktën 1 mijë mesazhe dhe dua t’ju përgjigjem personalisht sepse e ndjej detyrë edhe kënaqësi, më thotë ai me një sens përgjegjësie, por edhe thjeshtësi. Akoma nuk duket president ndoshta nga mënyra sportive me të cilën më priti dhe fakti që më drejtohet a thua se jemi miq prej një jete. Atmosferën e çliroi pikërisht kjo nuancë njerëzore për të cilën nuk është se nuk kam dëgjuar por e konstatova me sytë e mi dhe jo vetëm këtë por mjaft dilema që po qarkullojnë redaksive dhe kafeve të Tiranës e ndoshta Shqipërisë mbarë.
Thonë që në ministri filluan të vijnë lule që ditën e shtunë përpara se te dilte emri i Artan Hoxhës që pastaj u tërhoq. Kur u’a tha Berisha që ishit ju emri i tij per President?
-Pjesa e luleve është thashethem me siguri! Kryeministri më ftoi në zyrë dhe aty ishin edhe kryetarët e tjerë të partive të koalicionit. Mu njoftua tërheqja e kandidatit Hoxha dhe se kandidatura do të isha unë. U surprizova, dhe të them të drejtën nuk e prisja. Nuk kisha shumë kohë për tu menduar për vetë mënyrën sesi kishin rrjedhur ngjarjet. Me një autoanalizë të shkurtër gjykova që përgjigjia ime të ishte pozitive. Thashë “po” dhe tani që ka kaluar pak kohë e jam menduar edhe më gjatë besoj që kam dhënë përgjigjen e duhur. Këtë e lidh me besimin që kam tek vetja, energjitë pozitive dhe përkushtimin për një detyrë e cila kërkon integritet dhe liri. Mendoj se do të mund të bëj atë që i takon një kryetari shteti. Shtytja e parë e imja do të jetë sistemi i drejtësisë.
Do të flasim më poshtë për këtë, por mbetemi në PD zoti Nishani.
A ka qejfmbetje në PD për zgjedhjen tuaj? A mendoni se kryeministri Berisha ju pa si figurën e vetme që nuk do të krijonte “alergji” brenda grupit kuvendor të PD. Nuk e ka patur të thjeshtë thonë edhe Berisha me disa klane e përplasje që pëshpëriten.
Së pari më lejoni t’ju them se në PD nuk ka klane siç po artikuloni ju, as përplasje mes grupesh të caktuar. Unë të paktën nuk jam në dijeni. Gjithashtu nuk di nëse ka patur qejfmbetje, por shpresoj që jo. Mendoj që jo.
Pse nuk u kandidua zonja Topalli?
-Jua them me siguri se nëse do të kishte patur që në fillim një kandidaturë politike ajo do të kishte qënë zonja Jozefina Topalli. Fakti që ajo nuk u kandidua kishte të bënte edhe me mënyrën sesi rrodhën ngjarjet. Qëndrimi frixhid i liderit të opozitës ndaj një kandidature të tillë bëri që procesi të zhvendosej fillimisht në emra apolitikë, por siç e dini pati surpriza deri sa u mbërrit në emrin tim.
Dua të rikthehem edhe njëherë në ditën e votimit dhe këtë herë dua të flasim për rolin e ndërkombëtarëve. I pari që ju uroi në media u tha se ishte ambasadori Wollfarth, ndërsa Ambasadori amerikan Arvizu ishte gjatë votimit tuaj duke pirë një kafë në zonën e ish-bllokut me gazetaren Ilva Tare.
Në seancë ishte ambasadori i BE Ettore Sequi që ju ndiqte me stafin e tij por edhe ambasadorë të tjerë. Kam diçka që nuk e kam kuptuar ose nuk jam shumë e qartë? Para se ju të votoheshit si president në media u shpërnda një mesazh urimi nga Arvizu, ndërsa gjatë votimit ai nuk u duk në sallë. A mund ta sqarojmë disi këtë situatë? Si e morët ju këtë sjellje të ambasadorit amerikan në Tiranë?
-Është e vërtetë historia e mesazhit dhe është hera e parë që e them për një media. Po, kam marrë një mesazh gjatë paradites nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu. Ishte një mesazh njerëzor dhe e vlerësova shumë. Nuk di sesi ai mesazh u shpërnda në media dhe sa i përket sjelljes së ambasadorit gjatë kohës së votimit nuk më lejohet të komentoj dhe nuk di pse ai nuk ishte në sallë, por dua të nënvizoj se pas përfundimit të seancës mora mesazhe zyrtare nga ambasada amerikane, zyra e BE në Tiranë, OSBE.
Keni thënë se keni marrë mesazhe urimi nga deputetë socialist, a mund të na thoni disa nga emrat e tyre? Po zotin Rama kur do ta takoni?
-Kam marrë disa mesazhe nga deputetë të vjetër dhe të rinj të PS. Natyrisht që identiteti i tyre është pjesë e etikës se intimitetit të komunikimit personal. Me z. Rama besoj do të kem një komunikim vijues zyrtar dhe korrekt që besoj se do të nisë pas marrjes zyrtarisht të detyrës.
A jeni gati të përballeni me një drejtësi të shfytyruar? Do t’ju mjaftojnë 5 vite për të shpëtuar drejtësinë shqiptare, e cila është shndërruar në makthin e qytetarëve shqiptar, por që po infekton përditshëm imazhin e vendit tonë, por ajo që më shumë ka rëndësi jetën dhe të drejtën e qytetarëve.
-Presidenti nuk ka një shkop magjik dhe bën mrekullira me sistemin e drejtësisë apo me gjithçka tjetër por një president ka të gjithë kohën e mjaftueshmë për të bërë ndryshime të mjaftueshme dhe pozitive. Qasja ime e parë j’ua thashë më lart do të jetë drejtësia dhe aty do të mbështetem në 2 faktor kyç:
1-gjyqtarët, ku do të konsistohet në promovimin dhe mbështetjen e profesionistëve me moral dhe integritet.
2-Parlamenti, tek I cili do të këkroj bashkëpunim dhe ndërveprim ligjor dhe në shërbim të qytetarëve.
Jam i cytur dhe i motivuar për të sjellë drejtësi, drejtësisë shqiptare.
Dua t’ju theksoj se nuk bëhet kjo se presidenti është ai burri me shkopin magjik apo që dirigjon drejtësinë. Presidentit i takon të rregullojë ekuilibrat, të mos vihet nën presionin e askujt dhe të qaset vetëm nga e mira.
-Duket kaq e bukur dhe idealiste kjo që po më thoni. Të jem e sinqertë ju besoj sot por ka një përvojë ironike me zyrën e të gjithë presidentëve qëkur ka nisur kjo historia e konsensualëve me takime mes palëve dhe që më vonë votohen nga një palë e vetme. Por ka akoma më shumë, ju e dini që Kryeministri Berisha ka shkuar keq me presidentët edhe kur ato kanë dalë nga gjiri i partisë tij. A do ta prishni ju këtë magji? A do të mund të ruani integritetin tuaj z Nishani sepse koha ka treguar jo rrallë të kundërten.
-Së pari dua t’ju kujtoj se presidenti nuk është i askujt. Nuk mund të jetë i kryeministrit, i liderit të opozitës, apo i LSI. Presidenti është i shqiptarëve dhe madje nuk ka pse të sforcohet aspak për këtë. Nëse ka një devijacion nuk është prej zyrës, por prej njeriut. Unë besoj që vendimet tona janë produkt i moralit tonë dhe jo i rrethanave politike. Askush nuk mund të të vërë në presion nëse je në atë zyrë për popullin tënd.
Duke parë e duke bërë thotë populli, por nëse nuk do ju zërë as ju tersi i asaj zyre apo dobësia për dekorata dhe anshmëria me siguri do të kemi një president për të qënë. Dua t’ju pyes për bashkëshortën tuaj, zonjën Odeta për të cilën sot më tha dikush se është një inxhiniere shumë e zonja, por ajo ç’ka ka rënë sy është një interes marramendës i medias për të. Thuhet se ajo është një zë i fortë në veshin tuaj. Këtu nuk shoh asgjë të keqe sepse e tillë ka qënë edhe Hillary Clinton gjatë kohës së presidencës së Bill Clinton. Ku qëndron e keqja që të kemi për herë të parë një zonjë të parë të vendit me një rol aktiv.
Në fakt Odeta ka kërkuar mirëkuptimin e medias gjatë këtyre ditëve sepse edhe ajo është gjendur përballë një realiteti të ri. Është e vërtetë ajo që thoni ju në lidhje më interesin e medias. Nuk di sa shumë revista e gazeta po i telefonojnë. Sot pashë që kishin gjetur edhe foto të saj dhe të dy fëmijëve. Realisht po ju them se Odeta është një bashkëshorte që më ka mbështetur shumë, por jo profesionalisht. Shpesh herë ngjarje të ndryshme I ka marrë vesh nga mediat. Roli i Odetës ka qënë më shumë si grua dhe nënë. Pa dyshim që do ti përgjigjet edhe interesit të medias por në kohën e duhur.
A është e lumtur Odeta?
Po besoj që po megjthëse j’ua thashë janë ditët e para dhe akoma nuk kemi biseduar aq gjatë.
P.sh, as për zhvendosjen në rezidencën Presidenciale?
Jo, tani që po ma thoni ju po më kujtohet edhe kjo gjë. Ende jetojmë në apartamentin tonë në zonën e Selitës. Por më lejoni të ndaj një moment sinqeriteti. Ndihem shumë në siklet kur kaloj me autokolonën presidenciale në rrugën pranë shtëpisë dhe si njeri ndihem pak në vështirësi kur shoh se duhet të ndalohen makinat e tjera për të kaluar ajo autokolona e gjatë. Aq më tepër që është një rrugë e ngushtë disi dhe ndoshta duhet menduar edhe kjo. Por janë vetëm ditët e para dhe ka aq shumë për të menduar.
A jeni i mërzitur me ndonjë artikullshkrues këto ditë?
Jo, nuk mërzitem me mediat. Është e drejta dhe puna e gazetarëve të kërkojnë, të dyshojnë, të komentojnë. Ndoshta do të mërzitesha nga politikanët për ndonjë pakujdesi që është lidhur me shëndetin tim por aspak me mediat.
Ndërkohë që bisedojmë telefoni bie pa pushim dhe sinjali i mesazheve është pothuaj çdo minut.
E pyes edhe nëse ka ndërmend të ndryshojë pamje dhe hapur pa ndrojë ndoshta se ai më lejoi tap yes me çiltërsi dhe pa më të voglin dyshim që ka vija të kuqe që nuk I prek dot. Mustaqet të cilat i mban në jetë edhe babai im dhe duke referuar rastin që e kam në shtëpi i rrëfej se si bijë ja kam kërkuar prej kaq vitesh që ti heq sepse rrisin në moshë dhe sinqerisht I gjej demode.
Ai qesh pak dhe nis e më tregon historinë e gjyshit të tij që duket se është një njeri që ka lënë gjurmë në jetën e Presidentit tonë të ri. Një burrë që ka punuar në kavalerine e mbretit Ahmet Zog dhe që ka mbajtur gjithë jetën mustaqe. Nuk më mohon se edhe dikush mund t’i ketë thënë ndonjëherë por ai gjithmonë përgjigjet me humor se ka kompensuar disa flokë që janë rralluar por që në kamera krijojnë akoma më shumë iluzionin se mungojnë. Ai realisht është një burrë më i gjatë, më elegant dhe shumë më i ri sesa duket në kamera. Dhe për këdo që ka ndonjë kureshti, duhet të dijë se Presidenti nuk do të ndryshojë asgjë në pamjen e tij. Në fakt do të ndryshojë vetëm dicka dhe ajo ka të bëjë me shëndetin e tij që për fat është një lajm i mirë i cili u zbulua gjatë kësaj interviste.
Në tv Klan ju folët pak për problemin tuaj shëndetësor, për një ndërhyrje kirurgjikale të cilën keni kryer në vititn 2008, por a mund të na thoni diçka më shumë? Z. Nishani a do ta bëni publike kartelën tuaj shëndetësore për qytetarët shqiptarë?
Absolutisht po! Qytetarët shqiptarë kanë të drejtën legjitime që të kenë një president të shëndetshëm. Një president që është në gjendje të marrë vendime të shëndosha, me moral dhe me fuqinë e të qënit mbi palët. Sigurisht që ka një problem shëndetësor që nuk është më i brendshëm por më shumë një cështje estetike e jashtme. Në vitit 2008 jam përballur me një problem të cilin mësova nga mjekët në Finlandë që ishte i lindur por që me kohën dy vena në kokë që ishin të ngjitura në një moment krijuan një ngërc të qarkullimit të gjakut. Ka qënë një operacion i shkurtër por shumë delikat që u përmbyll me sukses. Nuk e di Mira, më drejtohet ai por isha shumë pozitiv atëherë. Nuk ju dorëzova problemit që kisha dhe nuk pata as frikë, por e gjitha mu shndërrua brenda një çasti në një forcë pozitive e cila me siguri do më ketë ndihmuar. Sa për pasojat fizike që siç e shihni është një ngadalësim në lëvizje te këmbës së majtë dhe krahut të majtë ato janë të përkohshme.
Sa të përkohshme?
-Mjekët thonë se jo më shumë se një vit e gjysëm. Pas kësaj kohe gjithçka do të jetë si më parë. Megjithatë dua të ftoj gazetarët që janë skeptikë që të kontakojnë njeriun e duhur për të pyetur për presidentin që është ish-pacienti i doktor Mentor Petrelës. Edhe pse urdhri i mjekut mund të mos lejojë publikimin e dosjes unë e ftoj publikisht doktor Petrelën që të jap gjithë informacionin rreth sëmundjes që kam patur unë.
Ky është Presidenti i ri i shqiptarëve. Shija që lë tek bisedon me të është shumë më ndryshe nga një perceptim që vjen nga ekranet dhe gazetat. Është pa dyshim larg disa ekzagjerimeve dhe gojëplot mund të besoja se problemet estetike (të përkohshme në rastin e z.Nishani) nuk kanë qënë fatkeqësia e këtij vendi, i cili ka nevojë për një mendje dhe shpirt të shëndoshë.
(ne foto presidenti Nishani dhe gazetarja Mira Kazhani)
(sg/shqiptarja.com)