Rrëfimi tronditës i mbesës për gjyshin e saj: I kushtoi shtrenjtë njohja me Enver Hoxhën në Liceun e Korçës dhe në Montpellier...

Rrëfimi tronditës i mbesës për gjyshin e saj: I kushtoi shtrenjtë njohja me Enver Hoxhën në Liceun e Korçës dhe në Montpellier...

Ermira Xhomaqi, mbesa e ish-juristit të dënuar nga regjimi komunist, Abdulla Rami, prej vitesh ajo jeton në Paris, si për të vijuar pak jetesën franceze që gjyshi i saj, pas studimeve në Montepellier, la përgjysmë…! Ermira ka ardhur këtu për të kujtuar emrin e tij, që ndryshe nga të tjerët, historia e këtyre tre 30 viteve liri, nuk e ka përmendur shumë. Mbase, prandaj edhe libri i saj, monografia për gjyshin, erdhi kaq vonë! Jo se nuk e bënte dot vetë, e rritur me imazhin e letrave e dosjeve të tij të shkrimeve, ajo nuk e kishte më të thjeshtë se të tjerët, ta pasqyronte jetën e tij në të gjitha pikëpamjet, por për një kohë nuk mendoi se këtë duhet ta bënin familjarët e tij. Sidoqoftë, sot kemi në dorë librin “Përtej harrimit”, shkruar nga Ermira Xhomaqi, për gjyshin e saj që në fakt tashmë e trajton si një personazh historik, Abdulla Rami.

Znj, Xhomaqi, e keni njohur gjyshin?

Jo, për fat të keq kam qenë shumë e vogël, kur ai është ndarë nga jeta dhe nuk kam asnjë kujtim të gjallë me të. Mirëpo, fryma e tij ishte përherë përreth nesh. Mamaja, i mbante si të shenjta letrat e dorëshkrimet e tij dhe këtë imazh, e kam të ngulitur fort nga fëmijëria, nuk kam qenë më shumë se shtatë vjeç, kur e shihja t’i ruante në sëndukun e vjetëruar të shtëpisë ku jetonim, në internim.

Prej atëherë kanë kaluar shumë vite. Kur menduat që t’iu riktheheni jo vetëm vizualisht atyre dorëshkrimeve, për t’i përmbledhur në një libër?

Mendimi duhet të ketë qenë gjithmonë aty, por mori formë vetëm tre vite më parë, kur unë nisa kërkimet nëpër të gjitha “stacionet” ku ishte ndalur Rami. Shpresoj, ky libër të jetë një dëshmi me të vërteta të hidhura, por me përmasa të mëdha. Kam hezituar mjaft ta shkruaja këtë monografi; në radhë të parë sepse, kam menduar se duhej dikush tjetër dhe jo një pjesëtar i familjes, ta ndërmerrte një mision të tillë, por faktet, ngjarjet, njohja me dorëshkrimet dhe dokumentacionin e gjerë në arkivat shtetërore dhe familjare, e gjithë kjo histori, mendoj se i kapërcen përmasat e së zakonshmes dhe shtrihet në një hapësirë që i përket sot, mbarë shoqërisë sonë.

E kjo ma shtoi detyrimin e shkrimin e kësaj vepre. Ndaj ngurrimin e parë e shmanga. Ndjeva se vitet po kalonin dhe harresa nuk do të falte më asnjërin prej nesh, ndjeva kujtimet e së shkuarës, të më trazonin rrjedhën e së përditshmes dhe ngjarjet për humbjet e njerëzve të familjes, të më rëndonin gjithnjë e më shumë. Ishin humbje të rënda, dhimbje po aq të rënda të cilat tronditin të vuajturin, por edhe më të pavuajturin dhe gjithë ata njerëz të ndershëm që mbeten pas, s’do të mund të jetonin kurrë më në paqe, kurrë!

Edhe pse nuk e keni takuar, ju duhet të jeni pjesëtarja e familjes që e njeh më shumë jetën e Ramit. Na tregoni diçka nga gjithë rruga që përshkuat…?

U kthye në një mision dhe ditë mbas dite e muaj pas muaji i dha udhë një pune, e cila zgjati plot tre vjet. Befas, e gjeta veten në gjurmët e një rinie të sakrifikuar, eca ditë mbas dite në udhët e një jete të vrarë, u përplasa gjithkund me terrorin e një kohe të egër, pësuar padrejtësisht dhe gjeta gjithandej gjurmë plagësh, që ende pulsojnë.

Rrugës takova me dhjetëra njerëz: bashkëvuajtës e bashkëkohës të Ramit, të afërm, të njohur e të panjohur, të cilët ma plotësuan këtë figurë dhe më shtynë ta trajtoj atë, përtej përmasave familjare. Jam përpjekur të sjell në këtë shkrim, modelin e një njeriu, i cili u bë martir i lirisë dhe i atdhedashurisë. Të përcjell sakrificat, dhimbjet dhe amanetet e tij.

Janë ato që thërrasin sot për të mos na lënë ne në heshtje dhe indiferentë, sepse kur flasim e dënojmë një diktaturë që ka përpirë jetë njerëzish, koha nuk mund të ketë më nocionin e saj të zakonshëm në fjalët: “dje dhe sot”. Ne të gjithë kemi nevojë për një model të tillë, për figurën e këtij intelektuali, ende të panjohur dhe të pavlerësuar, ashtu si duhet dhe më duhet ta theksoj, pavarësisht se tashmë u vu në dukje, faktin që; Abdulla Rami i përkiste asaj elite të re shqiptare, të formuar në periudhën më të bukur, por edhe më tragjike të viteve ’20-’30 të shekullit XX-të, të përgatitur në nivelet më të larta të universiteteve europiane.

Abdullai, thuhet se ka studiuar e ka qenë bashkëkohës i emrave të rëndësishëm të historisë, një prej të cilëve, Enver Hoxha, e ka njohur personalisht?

Po, kanë studiuar të dy në Liceun Francez, megjithatë ai ka qenë bashkëstudentë me mjaft prej figurave intelektuale shqiptare të spikatura në ato vite si: Arshi Pipa, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Myslim Çarçani, Hasan Rami, Abaz Omari, Isuf Luzaj, Lazër Radi, Mit’hat Araniti, Isuf Vrioni, Nedin Kokona, e të tjerë, ëndrra e të cilëve do të zhytej shumë shpejt në terrin që i ofroi diktatura.

Ndaj edhe pyetja: A dimë ne aq sa duhet për atë dramë të rëndë që përjetuan kundërshtarët politikë të regjimit totalitar dhe familjet e tyre, menjëherë pas vendosjes së tij në Shqipëri? Mbetet një përgjigje jo e plotë mbi një tablo të mjegullt e fort të ngatërruar! Jehona e kësaj të vërtete kërkon një hapësirë më të gjerë për t’u vlerësuar dhe rivizituar. Mesazhet e përcjella në rrëfimet e këtyre tragjedive, burojnë nga kujtesa individuale, për t’u përcjellë në një numër sa më të madh dëgjuesish e lexuesish.

Si ishte jeta e Ramit pas rikthimit në Shqipëri dhe në ç’pikë ndryshoi ajo?

Jeta e Ramit, ish-liceistit të Liceut Francez të Korçës dhe studentit të shkencave juridike në Montpellier, bashkënxënësit të Enver Hoxhës, asnjëherë të konformuar me synimet dhe praktikat e tij staliniste, do ta ndryshonte në mënyrë tejet kaotike trajektoren e saj, dhe kjo është arsyeja për të cilën çdo etapë të lidhur me të e shoh sot si një paradoks të thellë e evident. Paradoks që është i lidhur pazgjidhshmërisht, me angazhimin politik të Ramit.

Paradoks sepse, megjithëse figurë e një juristi me një vizion të qartë për drejtësinë, ngjizur në auditorët frankofone, model i një atdhetari dhe nacionalisti të vendosur në bindjet e tij, model i një oratorit “par excellance”, i një politikani, mendjehapur, i cili u përpoq të vinte një gur në themelet e një shteti modern shqiptar, Abdulla Ramit, i privohet liria dhe e drejta e ushtrimit të profesionit, prangoset dhe mbijeton 18 vjet në birucat e Burgut të Tiranës, Gjirokastrës dhe Burrelit, e më pas do të kalonte vite të tëra në internim.

E pavarësisht nga të gjitha këto, ai mbeti qëndrestar i paepur e i papërkulur në idealet dhe bindjet e tij, i cili nuk pranoi kurrë asnjë kompromis me regjimin ne pushtet. Jeta e Ramit u mbështoll thellë e më thellë në këtë paradoks, sepse edhe pas daljes nga ferri i Burrelit, ai dhe familja e tij, u internuan e u dëbuan, ai vetë u detyrua të bëjë punë të rënda krahu, e megjithatë, mbeti sfidues ndaj vështirësive ekonomike dhe optimist për të ardhmen.

Ai mbeti poeti i talentuar, i cili përcolli të gjalla dhimbjet nga skëterra e Burgut të Gjirokastrës dhe Burrelit, u bë poligloti dhe transmetuesi i mesazheve të fuqishme në përzgjedhjen e përkthimeve të pamfleteve historike të Victor Hugo-së, Lord Bajron-it, Jean-Marie Guyau-së, Clarence Dey-it, Henry Van Dykeut, Walter Skott-it, Emily Jane Brontë, William Johnson Cory-it, Andre Chénier-së e të tjerë e të tjerë.

Abdulla Rami me dy vëllezërit e tij

Në ç’kushte shkoi Rami për të studiuar në Francë?

Ishte shtator i vitit 1936, kur në moshën 28-vjeçare, Abdulla Rami, njëri prej katër djemve të Tasim Rami-t, atij burri patriot dhe të prirur për kulturë, pas mbarimit të studimeve në Liceun Francez të Korçës, niset për në Francë-Montpelie, ashtu si edhe shumë bashkëstudentë të tjerë, me besimin dhe dëshirën, për të realizuar ëndrrën e tij të rinisë së hershme, ai laurohet në Jurisprudencë.

Këtu në Montpelie, në këtë qytet të vjetër universitar, ku kishin lindur e kishin studiuar; Auguste Comte (Ogyst Kont), filozof, sociolog dhe themelues i pozitivizmit, poeti Paul Valéry (Pol Valeri), apo personalitete të tjera si Jean-Jacques Régis de Cambacérès (Kambaseres) konsulli i Napoleoni-t III, Aragon, Louise Guiraud, Jean Moulin… që kanë kryer gjithashtu studimet për drejtësi në Montpellier (Monpëlje).

Këtu, ku ai jetoi vitet e një pune intensive intelektuale, shkroi projektet e para plot shpresa për të ardhmen, për atdheun e tij, u mbrujt me idetë e Iluminizmit dhe të Volteri-t, të Demokracisë dhe të Pluralizmit të Drejtësisë e të Humanizmit.

Në këtë qytet, ku ashtu si edhe në liceun e Korçës, trajektoret e studimeve të tij, do të pikëtakoheshin me ato të diktatorit Enver Hoxha, pikëtakime nga të cilat do të rridhnin më pas, dy formime dhe dy optika të ndryshme ideologjike, lidhur me botëkuptimin dhe aktivitetin e tyre të mëvonshëm.

Kështu, me kthimin e juristit të ri në Shqipëri, idetë e tij ranë ndesh me ideologjinë komuniste, për të cilën ndër të tjera ai do të shkruante: “O lindje misterioze/ O vendlindje dhe pjellë e tufanit/ që sjell vetëm murtajën…”!

Si ndikoi në jetën dhe fatin e tij njohja me Enver Hoxhën?

Ndeshja e Abdulla Ramit dhe shumë bashkënxënësve me Hoxhën, që në bankat e Liceut të Korçës, do t’u kushtonte atyre shtrenjtë, shumë shtrenjtë. Pothuajse të gjithë ata që kishin njohur atë nga afër, miq e shokë, po edhe ata që e njohën në mënyrë të rastësishme, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën menjëherë, mbas marrjes së pushtetit prej tij.

Enver Hoxha, i përmend disa herë vëllezërit Rami në librin e tij të kujtimeve: “Vitet e Rinisë”, duke lënë në harresë qëllimisht të gjithë kalvarin e vuajtjeve që ai u shkaktoi atyre dhe bashkëliceistëve të tjerë, të Liceut të Korçës. Në të vërtetë, ata ishin nga të paktët dhe të rrallët dëshmitarë të historive të vërteta të rinisë së Hoxhës, që padyshim, nuk duhej të dilnin në sipërfaqe, por duheshin fshehur me çdo mjet dhe mënyrë.

Ishte kjo, me sa duket, arsyeja për të cilën Enver Hoxha, kërkoi të mos mbetej asnjë dëshmitar prej tyre, por edhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme. Menjëherë pas marrjes së pushtetit, Hoxha, i veshur me hakmarrje dhe xhelozi, i eliminoi ata fizikisht. Pikësëpari, ata që i konsideronte si kundërshtarë politik me një potencial intelektual të padiskutueshëm. Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja