TIRANE- Mjekët e rinj do të bëjnë vetëm 3 muaj stazh përpara se të futen në provimin e shtetit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili shpjegon se kjo ka qenë një 'luftë' e kahershme e tij, ndaj kjo nuk duhet ngatërruar me fushatën për postet drejtuese të fakultetit të Mjekësisë. "Kjo është një praktikë që aplikohet edhe në vendet e tjera të zhvilluara, nga ne kemi marrë modelin e provimit të shtetit. Është një vendim që nuk ka përse i jepen ngjyra të tilla, pasi ka vetëm një qëllim: t'ua bëjë sa më të lehtë daljen në tregun e punës të gjithë studentëve të mjekësisë. Ne kemi menduar që një stazh kaq i zgjatur, një vit, vetëm sa do të ishte pengesë për ta, pasi praktikën ata e kanë zhvilluar gjatë viteve të shkollimit, kur dihet që viti i fundit, ai i gjashti, është kryesisht i fokusuar në praktikë. Ndaj një stazh tre mujor është më se i mjaftueshëm për t'u dhënë kohë atyre që të dalin sa më shpejt në tregun e punës. Asnjë nuk ka dëshirë të punojë një vit pa pagesë, pasi stazhi punë është, ndaj ne vendosëm ta hiqnim këtë informalitet. Sa u përket të rinjve që aktualisht duhet të bëjnë stazhin 9-mujor, ne po punojmë që të gjejmë mundësinë që edhe ata t'i lehtësojmë nga ky detyrim dhe t'u japim mundësinë të dalin sa më shpejt në tregun e punës", - ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas rregullave të reja, kohëzgjatja e stazhit për mjekët, stomatologët, mami, fizioterapist dhe infermier do të jetë vetëm 3 muaj, ndërsa për farmacistët do të jetë 6 muaj.
/Shqiptarja.com











