Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përballet në gjyq me gazetarët, por këtë herë jo si dy palë të pabarabarta. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që kundërshton rregulloren e brendshme të GJKKO-së, e konsideruar gjerësisht si censuruese ndaj medias dhe gazetarëve.
AGSH kërkon fillimisht pezullimin e dispozitave që prekin median dhe më pas shfuqizimin e tyre si të papajtueshme me Kushtetutën, me argumentin se cenojnë lirinë e medias, të drejtën e informimit, publicitetin e procesit gjyqësor dhe autonominë editoriale. Në padinë prej 127 faqesh sqarohet se nuk kundërshtohen masat që lidhen me sigurinë e gjykatës, por kufizimet që vendosen ndaj gazetarëve dhe publikut.
“Kërkesa nuk synon të ndërhyjë në funksionin juridiksional të trupit gjykues dhe as të kërkojë një të drejtë absolute për kamera ose transmetim të pakufizuar.
Ajo që kundërshtohet është zëvendësimi paraprak i këtij vlerësimi me një regjim administrativ të përgjithshëm, të pabotuar në Fletoren Zyrtare dhe me efekte të jashtme”, thuhet në padi.
Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj tha se rregullorja cenon lirinë e medias dhe të drejtën e gazetarëve për t’i përcjellë publikut atë që ndodh brenda GJKKO-së. Ai shprehu zhgënjimin se pavarësisht thirrjeve të gazetarëve për dialog dhe konsultim, Gjykata e Posaçme nuk krijoi asnjë urë komunikimi me ta.
“Kemi paraqitur kërkesën për të pezulluar rregulloren e GJKKO, dhe më pas për ta shpallur atë antikushtetuese. Jemi të bindur që ajo rregullore cenon lirën e medias dhe të drejtën e gazetarëve për ti përcjellë publikut atë çfarë ndodh brenda GJKKO. Rregullore censuruese ndaj mediave. Shpreh zhgënjimin ndaj GJKKO, ku pavarësisht thirrjeve tona për një dialog, tryezë diskutimi, GJKKO nuk ka marrë mundimin të kontaktoje gazetarët ose të krijojë ura komunikimi që kjo rregullore të bëhet më e mirë për lirinë e shprehjes.
Ankimi duhet bazuar në kushtetutën e republikës. Pika kryesore që kemi ngritur është prekja e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, janë dy nga shtyllat kryesore të demokracisë. Ne kemi saktësuar në padinë prej 127 faqëshe të gjitha shqetësimet tona, përfshirë aksesin në drejtësi të medias dhe qytetarëve. Formularët për të aksesuar një grup ËhatsApp janë absurde dhe të pakuptimta. Është në dorën e 8 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse ka shkelje kushtetuese dhe deri ku shkon”, tha Isa Myzyraj, kreu i AGSH.
Një tjetër argument i AGSH-së lidhet me cenimin e lirisë së medias dhe autonomisë editoriale. Sipas padisë, kufizimet nuk prekin vetëm hyrjen e gazetarëve në seanca, por edhe mënyrën se si ata mbledhin dhe përcjellin informacionin. Rregullorja nuk lejon përdorimin e celularëve në seanca, mjet që deri më tani përdorej nga gazetarët për të përcjellë informacionet në kohë reale në redaksi.
Praktikisht gazetarët kufizohen të mbajnë shënim vetëm me laps e letër. Atyre nuk u lejohet as regjistrimi audio i seancës, ndërsa vetë Gjykata refuzon t’ua japë. Prania e kamerave thuajse përjashtohet, në kundërshtim të hapur dhe me një udhëzim të posaçëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“Refuzimi i aksesit, i regjistrimit ose i transmetimit e prodhon pasojën në momentin e zhvillimit të seancës”, thuhet në padi.
Me rregulloren e re, punonjësit e medias detyrohen që çdo ditë të hartojnë dhjetëra kërkesa për të ndjekur gjyqet të cilat duhen dërguar njëra pas tjetrës në GJKKO 24 orë përpara nisjes së gjyqit. Edhe kjo pikë është kundërshtuar nga AGH në Kushtetuese, me argumentin se “gazetari pa akreditim ose pa kërkesë 24 orë më parë mund të humbasë një seancë publike; ekipi filmik mund të mbetet jashtë”.
Një tjetër argument i AGSH-së është se Këshilli i Gjykatës ka tejkaluar kompetencat, pasi përmes një rregulloreje të brendshme ka vendosur kufizime që prekin edhe gazetarët dhe publikun. Sipas padisë, rregullat për sigurinë nuk mund të shtrihen deri në përcaktimin e kushteve për lirinë e medias dhe publicitetin e procesit gjyqësor.
“Autorizimi ligjor për të miratuar rregulla ruajtjeje dhe sigurie nuk përfshin kompetencën për të përcaktuar në mënyrë të përgjithshme kushtet thelbësore të publicitetit të procesit penal, të lirisë së shtypit, të autonomisë editoriale apo të masave ndaj subjekteve të jashtme", vijon padia.
“Emërtimi ‘rregullore e brendshme’ nuk mund ta ndryshojë natyrën juridike që del nga përmbajtja”, thuhet në padi.
AGSH ngre si problem edhe faktin që rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, megjithëse, sipas saj, prodhon pasoja për persona që nuk janë në varësi të gjykatës.
“Rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, megjithëse synon të prodhojë pasoja për persona që nuk ndodhen në raport vartësie me gjykatën”, theksohet në padi.
Asociacioni argumenton se publikimi vetëm në faqen e GJKKO-së nuk mjafton për një akt që vendos kufizime ndaj gazetarëve dhe publikut.
“Ajo nuk mund të jetë njëkohësisht ‘e brendshme’ për t’iu shmangur botimit dhe kontrollit abstrakt, por ‘e jashtme’ kur përdoret për të refuzuar hyrjen, autorizimin, pajisjen, raportimin ose akreditimin e një personi të tretë”, thuhet në padi.
Rregullorja e GJKKO-së ka hyrë në fuqi me 1 shtator ndërsa ajo u publikua në fund të muajit korrik, kur institucionet kishin nisur tanimë pushimet verore.Gazetarët, organizatat e mediave brenda dhe jashtë vendit e kundërshtuan atë ndërsa i bënë fillimisht thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi dhe që paraprakisht të bëhen konsultime me gazetarët! Por me 1 shtator GJKKO i shpërfilli të gjithë brenda dhe jashtë vendit, kur njoftoi hyrjen në fuqi të rregullores, ndërsa më pas mbylli dhe grupin në ËhatsApp, me te gjithë gazetarët, ku shpërndaheshin njoftimet zyrtare të kësaj gjykate. Një grup i ri është njoftuar se do të hapet, por vetëm me gazetarët e akredituar.
Pjesa dërrmuese e gazetarëve që përditë ndjekin seancat në këtë gjykatë kanë refuzuar të plotësojnë formularët e propozuar për të marrë akreditimin, ku atyre ju kërkohet deri dhe adresa e banimit. Organizatat ndërkombëtare të medias e kanë konsideruar Rregulloren e re, si një ndër rregjimet më kufizuese për lirinë e informacionit.









Komente
Komento