Konflikti mes qeverisë e Kuvendit nga njëra anë dhe gjyqtarëve e prokurorëve nga ana tjetër për pagat në sistemin e drejtësisë është një betejë mbi 5-vjeçare. Nisi me një ndryshim ligjor të vitit 2021, një tjetër dy vite më pas, me dy vendime të gjykatës kushtetuese në këtë periudhë dhe që kulmoi këtë fillim shtatori me bllokimin e rrogave në thesarin e shtetit.

1.   SI NISI KONFLIKTI QEVERI-MAGJISTRATË PËR PAGAT?
Ishte një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2019 që u bë pikënisja e përplasjes mes gjyqësorit, ekzekutivit dhe parlamentit për përllogaritjen e pagave të magjistratëve, betejë e cila javët e fundit ka arritur kulmin. KLSH në atë kohë konstatoi se përllogaritja e pagave të gjyqtarëve bërë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ishte e gabuar dhe se gjyqtarëve po u mbahej një pjesë e pagës që u takonte, për shkak se nuk u jepej shtesa 14.000 lekë që përfitonte si pagesë diplome drejtori në kryeministri. Parlamenti, me propozim të disa deputetëve, ndërhyri në vitin 2021 në ligj dhe bëri ndryshime të tilla që normuan si të drejtë llogaritjen e bërë nga KLGJ-ja dhe anashkaluan propozimet e KLSH-së.

Këto ndryshime u panë nga gjyqtarët si ulje page dhe shkelje e nenit 138 të Kushtetutës, ku për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, nuk lejohen ndërhyrje të kësaj natyre. Në vitin 2022, Unioni i Gjyqtarëve depozitoi një kërkesë në Gjykatë Kushtetuese ku kërkoi shfuqizimin e këtyre ndryshimeve. Vetë kushtetuesja vendosi pak muaj më pas ta konsideronte të drejtë këtë kërkesë, dhe i kërkoi Kuvendit të rishihte ligjin dhe të qartësonte referencën për pagën e magjistratëve.

Në vitin 2023, përmes disa ndryshimeve ligjore, qeveria dhe Kuvendi përcaktuan se paga referencë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të bazohej më në atë të drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, por vendosi një formulë krejtësisht të re. Tashmë paga e magjistratëve do të ishte e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës, që është 425 mijë lekë. Vlera shkonte rreth 153 mijë lekë, e rritur krahasuar me pagat që magjistratët merrnin. Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100 lekë, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri.

Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se vetëm 2 muaj më pas, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë të reja. Sipas gjyqtarëve, ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua uli pagën, në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës sipas të cilit “Paga dhe përfitimet e tjera të magjistratit nuk mund të ulen”. Çështja u depozitua në Gjykatë Kushtetuese, sërish nga Unioni i Gjyqtarëve. Qeveria dhe Kuvendi e kundërshtuan këtë pretendim duke argumentuar se rritja e pagave të administratës ndodhi pasi tashmë ishte përcaktuar me ligj tjetër referenca për magjistratët.

2.     ÇFARË KËRKUAN MAGJISTRATËT?
Në Gjykatë Kushtetuese gjyqtarët propozuan 2 alternativa se si mund të përcaktohej paga e tyre bazë. Opsioni i parë ishte rikthimi në referimin e rrogës së drejtorit të drejtorisë në Kryeministri (kategoria e II, klasi i parë), që aktualisht është 236.425 pas indeksimeve. Opsioni i dytë që dhanë gjyqtarët, duke i kërkuar Kushtetueses ta detyronte parlamentin, ishte mbetja si referencë te paga e Presidentit të Republikës por rritja e koeficientit në 0.543 (54.3% e pagës së Presidentit), dhe shtesa për çdo indeksim që bëhej te paga e drejtorit në Kryeministri. Koeficienti 0.543 sipas përllogaritjeve e bën pagën referuese 230.775 lekë. Pra thuajse në të njëjtën vlerë.

3.     ÇFARË VENDOSI GJYKATA KUSHTETUESE?
Pavarësisht kundërshtimit të legjislativit dhe ekzekutivit, përfshirë edhe qëndrimin e ashpër të Kryeministrit Rama, më 17 shkurt 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe shfuqizoi formulën e miratuar në vitin 2023. Sipas Kushtetueses ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re e aplikuar nga qeveria në 2023, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, në thelb ka një ulje të fshehtë.

“Paga e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, kategoria I, aktualisht është 217.000 lekë dhe duke shtuar shtesën e vlerës së kualifikimit 14.000 lekë vlera është 231.000 lekë, dukshëm më e lartë se paga e referencës sipas Ligjit Ndryshues. Nëse Kuvendi nuk do të kishte ndërhyrë, paga e referencës do të ishte 78.000 lekë më e lartë”, tha Kushtetuesja, e cila vendosi detyrimin ndaj Kuvendit që të miratonte një formulë të re brenda datës 31 korrik 2026. Gjykata nuk pranoi t’i referonte Kuvendit asnjë nga opsionet e vëna në dispozicion nga magjistratët, duke ia lënë në dorë ligjvënësve ta vendosin se cila do të ishte zgjidhja përfundimtare.

4.      PO QËNDRIMI I QEVERISË DHE KUVENDIT CILI ËSHTË?
Por Kuvendi nuk e miratoi një ligj të ri për 5 muaj dhe vetëm një ditë para mbylljes së sesionit parlamentar, më 30 korrik mazhoranca socialiste depozitoi një draft për ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për pagat e magjistratëve socialistët propozojnë që përllogaritja të kryhet me po të njëjtën mënyrë si më parë, duke marrë si referencë pagën e Presidentit të Republikës, por duke ndryshuar me vetëm 0,02 pikë koeficientin e aplikuar, i cili nga 0.36 shkon në 0.38, pra nga 153 mijë lekë në 161,500, me një rritje prej 8.500 lekësh të rinj. Në relacion socialistët propozues, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli, arsyetojnë se, me koeficientin e vendosur në dokument, kanë ruajtur balancën mes proporcionalitetit të pagave në sektorin publik dhe evitimit të pasojave të rënda për financat e shtetit. Gjithashtu sipas tyre ruhet hierarkia e pagave pasi duke pasur parasysh formulën e përcaktimit të pagës bruto në fundore ajo për magjistratin më të thjeshtë në gjykatat e rrethit, barazohet në pagë me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, në koeficient në masën 0.91 të pagës së Presidentit. Drafti pritet të diskutohet këto javë në Kuvend dhe sipas PS do të miratohet më 17 shtator.

5.      ÇFARË VENDOSËN KLGJ E KLP DHE SA RRITEN REALISHT PAGAT?
Të gjendur përballë një situate ku sipas tyre mungonte një ligj në fuqi për të përcaktuar se çfarë pagash do të merrnin për gushtin, më 26 gusht KLGJ dhe dy ditë më pas KLP e përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve e prokurorëve, me një rritje të konsiderueshme, duke e argumentuar të mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetueses.

KLGJ e më pas KLP vendosën që, duke nisur nga 1 gushti, paga e çdo gjyqtari e prokurori të llogaritet mbi një pagë referuese prej 222.425  mijë lekësh plus shtesën 14 mijë lekë për diplomën, me një total prej 236,425 lekësh nga 156.800 lekë që ishte më parë. Pra rreth 80 mijë lekë të reja më shumë, rreth 9-fish më shumë se plani që kanë socialistët me draftin e depozituar në Kuvend. Për shkak të formulës të përcaktuar në ligj, rritja reale në pagë bruto, shkon nga rreth 2300 euro që në shkallë të parë deri në rreth 4000 euro plus për institucionet e larta të sistemit apo edhe strukturat e posaçme. Në bazë të pagës referuese vendosen edhe të gjitha shtesat e tjera të pagës së magjistratit si shtesa për pagën në grup, shtesa për vjetërsi, shtesa për pozicionin drejtues dhe shtesën për vështirësi pune.

6.    PSE U BLLOKUAN RROGAT?
Edhe pse ndenji e heshtur dhe nuk i komentoi këto vendime, qeveria veproi vetëm pak ditë më pas. Ministria e Financave bllokoi çdo transaksion nga thesari i shtetit për pagat e muajit gusht për institucionet e drejtësisë. Listëpagesat nuk u miratuan në thesar, jo vetëm për magjistratët por edhe për punonjësit e tjerë. Pra, nga kryetarët e gjykatave dhe prokurorive e deri të sanitarët apo rojet nuk janë paguar. Ekzekutivi e bëri të qartë se përcaktimi i pagave në Republikën e Shqipërisë janë kompetencë vetëm e Qeverisë dhe Kuvendit dhe gjyqësori duhet të rrinte larg. “Gjithkush në vendin e vet”, tha Kryeministri Rama në një reagim.

7.     PO TANI ÇFARË NDODH?
Prej disa ditësh në disa prej institucioneve të drejtësisë, kryesisht gjykata të shkallëve të parë, administratat (jo gjyqtarë e prokurorë) kanë dalë në protestë në kërkim të pagave të tyre. Askujt në administratë nuk i është rritur rroga por ato janë bllokuar për shkak se listpagesat shkojnë integrale, bashkë me magjistratët. Qeveria, përmes ministrit të Drejtësisë, dhe mazhoranca (përmes kreut të grupit të PS Balla), kanë premtuar se zgjidhje do t’i jepet brenda pak ditëve, teksa insistojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet duke pasur parasysh edhe qëndrueshmërinë dhe mundësitë që ka buxheti i shtetit. Nëse mazhoranca do të kalojë draftin që e rrit pagën referencë me vetëm 2% të pagës së Presidentit nuk dihet se sa kjo do t’i kënaqë pretendimet e magjistratëve, dhe nëse ata do të vijojnë betejën sërish në Gjykatë Kushtetuese, përballje e cila zgjat tashmë prej 5 vitesh.