Me rregulloren e re, Gjykata e Posaçme ka njoftuar edhe mbylljen e kanalit të njoftimeve në WhatsApp për mediat. Tanimë, njoftimet do të postohen në faqen zyrtare si dhe do t’u dërgohen një grupi gazetarësh të akredituar.
Akreditimi funksionon përmes një formulari dhe një deklarate. Formulari kërkon një sërë të dhënash personale të gazetarit, përfshirë edhe rolin e tij në median ku punon, si dhe të dhëna për këtë të fundit.
Në dokumentet plotësuese kërkohet vërtetim i punësimit në median përkatëse e kartë shtypi.
Në seksionin e deklaratës së aplikantit, gazetari duhet të pranojë se kjo procedurë nuk autorizon regjistrimin, filmimin ose transmetimin e seancës. Sipas këtij seksioni, kjo lejohet vetëm sipas përcaktimit të rregullores dhe autorizimit nga organi kompetent.
Në deklaratën për njohjen e rregullave të sigurisë, rendit e sjelljes, gazetarit i duhet të pranojë sërish një sërë rregullash që censurojnë profesionin e tij.
Konkretisht, të mos filmojë e fotografojë, të mos përdorë celularin apo laptopin gjatë seancave, qoftë edhe për të përcjellë informacionin në redaksi e madje t’i dorëzojë siç GJKKO kërkon.
Nëse këto kufizime shkelen, masat ndaj gazetarit variojnë nga vërejtje e largim nga salla/gjykata, te pezullimi ose revokimi i akreditimit apo ndalimi i aksesit në gjykatë.
Në thelb, karta e akreditimit me të cilën pajiset gazetari, nuk lejon ushtrimin e lirë të profesionit të tij brenda mureve të GJKKO-së.
Sipas rregullores, parashikohet rotacioni i gazetarëve kur nuk ka vende të lira në sallën e gjyqit dhe duhet të regjistrohen 24 orë para seancës për ta ndjekur.











Komente
Komento