Gjykata e Elbasanit ka vendosur të lerë në burg A.K., babain e 14-vjeçares nga Elbasani, i cili mori peng dhe dhunoi fizikisht 18-vjeçarin Luka Haxhiu. Vendimi është marrë ditën e djeshme nga gjyqtarja e Elbasanit, Zamira Vyshka, e cila ka caktuar masën e “arrestit në burg”. Ndërsa për të riun Luka Haxhiu ndaj të cilit prokuroria, ka nisur hetime për akuzën e “Përndjekjes”, gjyqtarja caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” pranë policisë gjyqësore.

E njëjta masë sigurimi është kërkuar në gjykatë dhe nga përfaqësuesi i akuzës së Elbasanit. Gjatë marrjes në pyetje Haxhiu, nuk ka pranuar në asnjë moment që të ketë shantazhuar, përndjekur apo krijuar lidhje intime me vajzën 14-vjeçare. Ndërkohë për marrjen peng dhe dhunimin fizik të Luka Haxhiut, vijojnë të jenë në kërkim nga policia e Elbasanit, Gentian Shara dhe Oligert Kushi, dy miqtë e babait të vajzës. Sipas dokumentacionit të policisë së Elbasanit, babai i 14-vjeçares, kishte krijuar bindjen se vajza e tij ishte, në një raport intim me Luka Haxhiun. Për më tepër ai dyshonte shumë se disa sende personale dhe me vlerë që ndodheshin në shtëpinë e tij, ishin zhdukur.

Besohet se këto sende personale të humbura në banesën e tij, i kishte marrë vajza e tij 14-vjeçare duke ja dorëzuar të dashurit të saj 18-vjeçar, Luka Haxhiu. Deri në këtë fazë të hetimit besohet se Luka ushtronte presion dhe shantazhonte vajzën e mitur në mënyrë që kjo e fundit të merrte para dhe sende me vlerë në banesën e saj, duke ja dorëzuar më pas Lukës. Nisur nga këto dyshime, babai i 14-vjeçares ka menduar ti ngrejë një rreng 18-vjeçarit Luka Haxhiu. Ai ka hyrë në profilin e vajzës së tij në “FB”, dhe më pas i ka shkruar Luka Haxhiut, duke i kërkuar të takoheshin. I riu ka pranuar, në vendin ku i ka caktuar në facebook, babai i vajzës.

Por ky i fundit nuk ka qenë i vetëm në takim, pasi ka marrë me vete Gentian Sharën dhe Oligert Kushin. Sapo kanë parë 18-vjeçarin Luka Haxhiu, të tre së bashku kanë dalë nga makina e kanë kapur me forcë dhe futur brenda në automjet. Ata e kanë çuar në një ambient larg syrit të kalimtarëve dhe më pas e kanë keqtrajtuar fizikisht. Dhunimi fizik ka qenë i rëndë, saqë mësohet se 18-vjeçari ka shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ka qenë 18-vjeçari Luka Haxhiu që ka treguar gjithçka i kishte ndodhur. Ai ka pohuar se është marrë peng nga babai i vajzës me inicialet A.K dhe dy miqtë e tij Gentian Shara dhe Oligert Kushi, të cilët mësohet se janë në kërkim nga policia.