SPAK sjell prova të reja në gjyqin me të pandehur Dritan Rexhepin dhe 6 të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Gjykata e Posaçme vendosi t’i pranojë këto prova, që përfshijnë biseda nga aplikacioni Sky ECC, komunikime mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit.

SPAK deklaroi në gjyq se të pandehurit janë identifikuar përmes kodeve duke komunikuar me njëri tjetrin për ngarkesën e drogës dhe për rrëmbimin e Jan Prengës. Sipas SPAK, të pandehurit flasin me njëri tjetrin në vitin 2020 për rrëmbimin dhe ka mesazhe që i janë dërguar vëllait të Prengës që ndodhej në burg. 

Sipas organit të akuzës është folur edhe për mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por kanë rrëmbyer Jan Prengën (vëllanë). Gentian Funiqi ka komunikuar që çështja të hiqej nga SPAK dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme.

Sipas SPAK, bisedat tregojnë që jo vetëm janë të përfshirë në ngjarje, por flasin edhe për motivet, vjedhjen e sasisë së drogës. Mbrojtja e Dritan Rexhepit kërkon komunikimet konkrete të dala nga Sky Ecc.

SPAK rendit bisedat mes të pandehurve dhe vitet kur janë kryer. Altin Hajri komunikon me Gentian Funiqin nga data 2-4 prill 2020 për Festim Bexhdilin.

Altin Hajri: “ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”.

Të pandehurit vijon SPAK, flasin edhe për ngarkesën e drogës në Ekuador. Spak citon komunikimin në korrik 2020: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”- orientonin se çfarë duhet të deklaronte Festim Bexhdili.

Gentian Funiqi komunikon me Dritan Rexhepin dhe përmend Ndrek Prengën, të cilin kërkojnë ta mbajnë nën vëzhgim. Në 30 janar 2021 Dritan Rexhepi komunikon “paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”. Komunikimet për drogën vijojnë edhe në një episod që ishte lagur me ujë deti dhe kërkohej zgjidhje.

Në seancën e radhës, 11 dhjetor ora 10:00, mbrojtja do të bëjë analizën e provave të sjella nga SPAK. Po ashtu gjykata urdhëroi të njoftohet për procesin gjyqësor Korado Keshtenja, i cili është i arrestuar dhe ndodhet në Londër.

Më 24 nëntor, Gjykata e Lartë prishi vendimin me burg përjetë për kopshtarin Festim Bexhdilin, duke e dënuar përfundimisht me 25 vite burgim.

Jan Prenga u rrëmbye më 17 Janar të vitit 2020 në Kamëz. U dërgua në kompleksin “Golden” ku dyshohet se u dhunua për vdekje dhe asgjësimi i trupit ka dyshime se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit, por ende nuk është gjetur.  Sipas SPAK rrëmbimi erdhi pasi vëllai i Jan Prengës vodhi një sasi kokaine në Britaninë e Madhe.

Urdhri për rrëmbimin e Prengës dyshohet se është dhënë nga Dritan Rexhepi dhe i bashkëpandehuri i tij Gentian Funiqi, organizimi është bërë nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Geshtenja, ndërsa ekzekutimi i rrëmbimit është bërë nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar. Gjatë seeancave në GJKKO, Dritan Rexhepi e ka mohuar implikimin në rrëmbimin e Jan Prengës, teksa organizatori tjetër, Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” ku ndodhi krimi, rezulton ende në arrati. Ai është dënuar me burg përjetë në mungesë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë