TIRANË - Rajoni i Pukës dhe Mirditës kanë qenë në fokus të studimeve të PPNEA-s (Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), ku në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, u realizua një sondazh me barinjtë dhe gjuetarët e zonës për vlerësimin e prezencës së mundshme të Rrëqebullit të Ballkanit si një lloj i rrezikuar dhe specieve të tjera të jetës së egër. Pas sondazhit bazë, pati disa tregues për prezencën e Rrëqebullit të Ballkanit në zonë dhe nisur nga këto, PPNEA vendosi një numër kamerash-kurth në zonë për të vërtetuar prezencën e këtij lloji. Deri në këtë kohë, në Shqipëri nuk ishte zbuluar asnjë fakt i pamohueshëm që tregonte ekzistencën e rrëqebujve të gjallë, edhe pas kërkimeve intensive në disa rajone të vendit dhe ndaj ekzistonte frika që ky lloj të ishte zhdukur krejtësisht. Por, kamerat dhe aparatet fotografike treguan se kjo kafshë egziston dhe rritet në zonën e Pukës dhe pyjet rreth saj. /ATSH/
/Shqiptarja.com











