Franca ka regjistruar rreth 1 mijë vdekje më shumë se zakonisht gjatë këtij muaji, një rritje që autoritetet shëndetësore ia atribuojnë valës rekord të të nxehtit që ka goditur vendin ditët e fundit.

Agjencia Kombëtare Franceze e Shëndetit njoftoi se që nga 24 qershori janë regjistruar rreth 1 mijë vdekje shtesë, krahasuar me muajt e mëparshëm. Sipas saj, rritja ka qenë më e theksuar në rajonet që ishin nën alarmin maksimal për temperaturat ekstreme.

Edhe pse pjesa më e madhe e Francës nuk është më në alarm të kuq, pas më shumë se një jave me temperatura shumë të larta, autoritetet kanë anuluar ose shtyrë disa aktivitete, mes tyre festivalin Pride dhe festivalin muzikor Solidays, për të shmangur mbingarkimin e spitaleve, sidomos në rajonin e Parisit.

Sipas agjencisë, rritja e vdekjeve është vërejtur në të gjitha grupmoshat, por 85% e viktimave janë persona 65 vjeç e lart. Autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për të dhëna paraprake, të cilat mund të nënvlerësojnë numrin përfundimtar të viktimave.

Ndërkohë, vala e të nxehtit është kthyer edhe në temë debati politik, ndërsa Franca po i afrohet zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Disa shkolla janë mbyllur përkohësisht dhe janë regjistruar probleme edhe në transportin publik, duke ngritur pikëpyetje mbi gatishmërinë e shtetit për përballimin e valëve ekstreme të të nxehtit.