Rrethi i Princeshës Sulltana

Rrethi i Princeshës Sulltana
Një realitet i sinqertë, shokues, i dhimbshëm, tronditës, me ngjyrat e tmerrit, i Arabisë Saudite. Ky libër nuk është jehonë mëshire, por ulërimë e thellë për drejtësi.

Shtëpia botuese “Ombra GVG”, sjell për lexuesin librin “Rrethi i Princeshës Sulltana” të Jean Sasson, sjellë në shqip nga Fjoralba Shahaj.
Është një roman, i cili përshkruan jetën e një princeshe, pjesë e familjes mbretërore në Arabinë Saudite; e cila me forcën, vullnetin dhe dëshirën për të ndryshuar realitetin, pati guximin t’i tregojë gjithë botës historinë e saj personale të ndrydhur brenda kangjellave të pallatit luksoz ku jetonte. Përmes përpjekjeve të pashoqe dhe sakrificave personale për t’u ngritur mbi mentalitetin maskilist, Sulltana ia del më në fund të krijojë një rreth mbrojtjeje për femrat në nevojë, për ato të dhunuara, të shtypura nga realiteti arab, duke krijuar një “rreth mbrojtjeje”, të ngjashëm me atë që shumë organizata në dobi të gruas bëjnë anë e kënd botës.

Historia e saj tregon se edhe një njeri i vetëm mund t’ia dalë të vërë në jetë kauzën e jetës- drejtësinë dhe barazinë gjinore, në një vend ku gratë martohen me detyrim, vajzat e vogla bëhen synet apo kur një dashuri ndëshkohet me vrasje nga babai dhe vëllezërit! Një realitet i sinqertë, shokues, i dhimbshëm, tronditës, me ngjyrat e tmerrit, i Arabisë Saudite. Ky libër nuk është jehonë mëshire, por ulërimë e thellë për drejtësi.

Në librin e parë të kësaj trilogjie, “Princesha”, bota u njoh fillimisht me jetën e Sulltanës si vajza e padëshiruar e një burri mizor, në një realitet shoqëror që e vlerëson fare pak femrën. Motra më e dashur e Sulltanës, Sara, u martua kundër dëshirës së saj, me një burrë shumë më të madh në moshë, të cilin nuk e njihte dhe nuk arriti ta dashuronte. Që prej momentit të martesës, Sara u bë objekt i dhunës së tmerrshme seksuale nga i shoqi. Vetëm pasi tentoi të vetëvritej, i ati e lejoi të kërkonte divorcin dhe të kthehej në shtëpi. 

Në librin e dytë- “Vajzat e Princeshës Sulltana”, princesha dhe Jean Sasson i treguan botës që familja e saj e kishte marrë vesh që ajo ishte princesha pas së cilës qëndronin historitë e librit… Por sekreti i identitetit të saj u ruajt për aq kohë sa pjesa tjetër e familjes të madhe mbretërore nuk shqetësohej….

Pavarësisht betejës së vazhdueshme të Sulltanës kundër status quosë dhe martesës së saj disi më të hapur, të bijat nuk i shpëtuan dot presionit dhe paragjykimeve kundër grave. Në këtë libër të tretë, Sulltana i ka kërkuar Sasson të jetë zëri i saj edhe njëherë. Bashkë me përpjekjet për të sfiduar trajtimin e grave në këtë vend, duke i bërë të ditur botës abuzimin e vazhdueshëm të tyre….edhe pse… Sulltana nuk është një grua perfekte dhe se gabimet e saj janë njerëzore, askush nuk mund të vërë në dyshim sinqeritetin e saj në drejtim të luftës për të drejtat e grave. Një libër që duhet patjetër ta lexoni dhe ta bëni pjesë të bibliotekës suaj.    

Lista e dëshirave të mia

Një fabul mbi idenë se si paraja ndryshon gjithçka dhe asgjë... Nevoja e dhimbshme për ngrohtësi, siguri dhe dashuri që përshkruhet në libër është universale…
Zhoslina (Zho) jeton në një qytezë të vogël në Francë. Ajo ka një dyqan të vogël tekstilesh dhe ka rritur dy fëmijë. Kohët e fundit ka filluar të pyesë veten se çfarë ndodhi me gjithë ëndrrat që kishte kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç.

A mund të kishte qenë ndryshe jeta e saj? Pastaj ajo fiton lotarinë, 18.5 milion Euro për të qenë të saktë, dhe papritur gjithë mundësitë e kësaj bote shpalosen para saj. Por ajo vendos të mos e ndajë me askënd këtë lajm të mirë, as me bashkëshortin e saj, të paktën për pak kohë. Me çekun e fshehur diku në shtëpi, ajo fillon të bëjë një listë të gjitha gjërave që mund të bëjë me ato para. Çfarë do të donte ajo të ndryshonte vërtet nga jeta e saj? Me mbi gjysëm milion kopje të shitura vetëm në Francë dhe i përkthyer në 27 vende të botës, ky roman i dytë i Grégoire Delacourt-it njohu një sukses të jashtëzakonshmëm ndërkombëtar. Sipas të përjavshmes franceze L'Express, ky roman, në një kontekst krize ekonomike, prek ndjeshmërinë e lexuesve që rizbulojnë kënaqësitë e thjeshta të jetës.

Zhoja na mëson se si të jetojmë modestisht, por të lumtur e të qetë. Ndër vite ajo ka seleksionuar gjërat që duhen ruajtur në kujtesë, gjithmonë më të mirat. Ka diçka terapeutike në mënyrën e saj të të ekzistuarit, diçka që shëron; deri diku, ky është një libër antidepresiv. “Lista e dëshirave të mia” është përshtatur për teatrin, në Paris, në vitin 2013 dhe për kinemanë, me një film që pritet të dalë së shpejti.

Ndër shënimet kritike do të veçonim atë të Le Monde, e cila ka dhënë një përcaktim mjaft domethënës për këtë roman: “Ky libër përmban disa mesazhe të thjeshta: për të qenë të lumtur, duhet të jetojmë larg dritave të skenës, modestisht. ...Ky dorëzim nuk është trishtues.  Përkundrazi, lumturia fshihet në skutat e vogla të jetës..”

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike