/ATSH/- Zyra e mbrojtjes nga Rrezatimi në QSUT na pajis me një informacion të vlefshëm, jo vetëm për të njohur shumë rreth tij, por edhe për të kutuar si bëhet kontrolli dhe menaxhimi i ekspozimeve si dhe disa këshilla për t'i pasur gjithmonë parasysh.

Referuar statistikave një numër gjithmonë e në rritje pacientësh (njerëzish) u nënshtrohen rrezatimeve jonizuese, por në të njëjtën kohë duke rritur ndjeshëm ekspozimet mjekësore.
Nisur nga këto faktorë shtrohet si detyrë kontrolli / menaxhimi i këtyre ekspozimeve në mënyrë që të kemi të dhëna për të shmangur efektet e ndryshme ose dëmtime nga këto rrezatime. Dozimetria e rrezatimeve jonizuese është degë e fizikës teknike që merret me studimin e cilësisë së rrezatimit jonizues, madhësive fizike që karakterizojnë bashkëveprimin e rrezatimit me lëndën si dhe metodat për matjen e këtyre madhësive. Përcaktimi sasior i dozës së rrezatimit që vepron mbi organizmat e gjallë (pacientët) shërben për të vlerësuar rrezikun që kjo dozë shkakton në organizëm.

Për të kufizuar dëmtimet vendosen disa kufij që konsiderohen si pragje që në asnjë rast nuk duhet të tejkalohen. Për matjen e dozave të rrezatimeve përdoren aparatura ose metoda të ndryshme të cilat verifikohen periodikisht për të përcaktuar saktësinë e matjes. Njohjen e dozimetrisë së pacientëve dhe metodat e marrjes së dozave të tyre, gjithashtu evidentimin e masave mbrojtëse për personelin dhe rekomandimet për të pasur doza sa më të vogla të trinomit pacient, staf dhe publik, jepet nga RPO në QSUT nga viti 2006.

Rrezet Röntgen ose rrezet X janë zbuluar për herë të parë në vitin 1895 nga Wilhelm Conrad Röntgen dhe për këtë arsye mbajnë emrin e tij.
Rrezatimi X është një formë e rrezatimit jonizues, rrezet X janë valë elektromagnetike të padukshme me energji dhe frekuencë shumë të lartë. Imazheria radiologjike mbështetet në faktin që inde të ndryshme të organizmit i dobësojnë apo i përthithin rrezet X në mënyra të ndryshme, në varësi të përbërjes së tyre. Kur një tufë homogjene rrezesh X përshkon trupin e njeriut, tufa që del nga trupi është johomogjene. Ajo pasqyron trajtën dhe llojin e indeve që ka përshkuar. Këto informacione, që quhen " imazh rrezatues" mund të shfrytëzohen për të përftuar një imazh duke përdorur marrësa të përshtatshëm. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një imazheri dobësimi e cila përfaqësohet kryesisht nga radiografia standarde, skanografia dhe radiologjia numerike me zbritje. Marrja e këtyre imazheve realizohet me dhënien të një sasie rrezatimi në trupin e pacientit dhe të personelit. Sipas parimeve të mbrojtjes nga rrezatimi, ky rrezatim duhet të përligjet gjithmonë nga ana mjekësore sipas parimit ALARA. Ashtu si çdo teknikë tjetër imazhimi edhe kjo teknikë ka evoluar dhe ka ardhur duke u përmirësuar me kalimin e viteve por demet stokastike apo deterministike qe shkakone rerezatimi X nese nuk eshte i kontrolluar dhe monitoruar nuk kane ndryshuar.

Disa keshilla për mbrojtjen e pacientëve nga rrezatimi:
- të mos kryhet ekzaminimi radiologjik pa pasur rekomandimin nga mjeku specialist pasi dëmtohen.
- të kufizohen ekzaminimet radiologjike të femrave në periudha të aktivitetit gjenital gjatë 10 ditëve që pasojnë periodat. Në këtë mënyrë shmanget rreziku i rrezatimit të një shtatzënie fillestare;
- të kufizohet fusha e rrezatimit në zonën e duhur;
- radioskopia me përforcues të shkëlqimit të përdoret me perioda të shkurtra, duke ndërprerë tufën gjatë zhvendosjeve të pacientit ose burimit;
- të kontrollohet rregullisht cilësia e aparaturës nga pikëpamja dozimetrike.
Përveç pacientit, që duke vënë në balancë rrezikun nga rrezatimi dhe gjendjen e tij shëndetësore është vendosur të ekzaminohet, pjesa tjetër e njerëzve që punojnë aty duhet të marrin masat e nevojshme për tu mbrojtur. Mbrojtja e personelit bëhet duke e ndarë dhomën ku është vendosur skaneri nga dhoma e panelit të kontrollit të skanerit me një xham plumbi.
Disa keshilla për mbrojtjen e personelit nga rrezatimi:
- komandim në largësi i aparaturës (p.sh. pas një xhami prej plumbi);
- mbajtje e detyrueshme e një dozimetri nga personeli që ekspozohet që duhet të kontrollohet çdo 2 muaj;
- mbajtja e përparëses dhe dorezave prej plumbi në rastet se qëndrojnë pranë pacientit gjatë ekzaminimit radiologjik;
- të kontrollohet rregullisht cilësia e aparaturës;
Rrezatimi jonizues në formën e rrezeve X që vjen nga skanimi CT ose IR ka energji të mjaftushme për të dëmtuar në mënyrë direkte ose indirekte ADN-në. Herë pas here, këto dëmtime të ADN-së nuk arrijnë të rekuperohen nga mekanizmat riparues të qelizës. Të tilla dëmtime ndonjëherë çojnë në formimin e kancerit. Sipas një studimi të vitit 2007 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 1.5%-2% të kancerëve shkaktohen nga skanimi CT. Komisioni i mbrojtjes nga rrezatimi harton paketa rregullash të cilat këshillohet të ndiqen nga spitalet për sa i përket dozës që duhet të marin persona të ndryshëm sidomos pediatriket . Duhet bër një kujdes i veçantë kur bëhet fjalë për nënat shtatzënë sepse rrezatimi me rreze X ka një shkallë shumë të lartë rrezikshmërie për fetusin./