Banorët e fshatit Luz, së bashku me disa biznese të zonës, kanë dalë në protestë për të kërkuar rikonstruksionin e rrugës që kalon përmes fshatit te tyre dhe e lidh atë me autostradën Tiranë–Fushë Krujë–Milot.  Ky segment rrugor është pjesë e Unazës së Madhe të qytetit të Fushë-Krujës dhe prej vitesh ndodhet në gjendje të degraduar, me gropa të shumta…

Sipas tyre, rruga përdoret nga mjetet e tonazhit te rënde, te fabrikës së çimentos, guroreve dhe aktiviteteve të tjera industriale, qe kane shkuar dëmtime të shumta.

Ata kanë paraqitur ankesa të vazhdueshme pranë Bashkisë se Krujës dhe u është premtuar se rruga do të rikonstruktohej tetorin e vitit që lamë pas por kjo s’ka ndodhur.

Protestuesit kërkojnë rikonstruksionin e plotë të rrugës, ndërtimin e trotuareve dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore dhe ndriçimin. Një tjetër kërkesë është kufizimi i qarkullimit për kamionët gjatë paradites, pasi rrezikojnë jetën e 150 nxënësve të shkollës, “Gjon Luka” që ndodhet në anë të rrugës.

“Jemi rreth 1 mijë banorë që jetojmë përgjatë kësaj rruge. Në verë jemi të detyruar të mbajmë dyert dhe dritaret mbyllur për shkak të pluhurit, ndërsa në dimër përballemi me baltë dhe akull. Çdo ditë lëvizim me frikë për shkak të qarkullimit të kamionëve”, shprehen banorët.

“Ne po protestojmë për rrugën, për infrastrukturën që është këtu në fshatin Luz. Është bërë cop copë, siç e shikoni edhe vetë. Protestojmë për heqjen e kamionave, të gjejë rrugë tjetër shteti, sepse këtu është shkolla, rrezikohet jeta e fëmijëve”, tha njëri prej protestuesve.

“Ne kemi dalë për këtë rrugë, që ka kaq vite që është cop copë. Askush nuk çan kokë. Një vit e këtej cop copë ka qenë. Na ka hyrë balta në shtëpi”, tha një tjetër protestues.

Në mbështetje të protestës ishte edhe demokrati, Aulon Kalaja, i cili u shpreh se kërkesa e banorëve nuk ka karakter partiak, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe jetesën e komunitetit.

“Jemi këtu sot me banorët e Luzit, por jo vetëm, janë edhe banorë të fshatrave të tjerë. Luzi është një nga fshatrat më të mëdhenj të Fushë-Krujës. Rruga është në një gjendje skandaloze në të gjithë gjatësinë e saj.

Po të shikosh edhe daljen në autostradë, që majtas merr për në Tiranë dhe djathtas për në Shkodër, por edhe në hyrje të fshatit që është unaza kryesore e Fushë-Krujës, është në një gjendje të amortizuar. Luzi është një nga fshatrat që paguan taksat në mënyrën më të rregullt në Shqipëri. Kam informacion që në orët e vona të natës kamionat nuk kalojnë këtu, por kalojnë nga Fushë-Kruja, sepse u thyhen pjesët dhe amortizohen kamionët.

Po prishet edhe rruga e Fushë-Krujës. Prandaj është shumë e rëndësishme që të shtrohet rruga. Kjo nuk është protestë politike, nuk ka lidhje partia fare. Unë kam dalë në mbështetje të banorëve sepse këtë problem unë e kam ngritur edhe një vit më para”, tha mes të tjerash Kalaja.

Thirrja i drejtohet Bashkisë së Krujës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, në varësi te Ministrisë së Infrastrukturës qe të ndërhyjnë sa më parë për rikonstruksionin e rrugës se Luzit, një ndër zonat më të populluara në Fushë-Krujë.