Një mjet lundrues është bllokuar nga Policia Kufitare në Borsh, pasi u kap duke lundruar në zonën ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Ngjarja është konstatuar gjatë kontrolleve dhe patrullimeve të shtuara përgjatë vijës bregdetare, të ndërmarra për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik. Sipas policisë, mjeti ishte futur brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit në zonën e quajtur “Krorëz”.
Pas verifikimeve, autoritetet ndëshkuan drejtuesin e mjetit me një masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa u vendos edhe bllokimi i mjetit lundrues.
Policia Kufitare bëri apel ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të shmangin hyrjen në zonat e rezervuara për pushuesit.
Kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror për të parandaluar situata që mund të rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve në plazhe.
Komente







