Ndërtimet pa kriter, bllokimi i kanalit kullues dhe i përroit, si dhe mungesa e pastrimit të tyre, kanë sjellë një tjetër situatë problematike në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Rreth 30 minuta reshje gjatë ditës së diel shkaktuan vërshimin e ujit, duke bllokuar rrugën dhe duke rrezikuar dhjetëra banesa dhe biznese nga përmbytjet.

Edhe gjatë ditës së hënë, banorët kanë vijuar punën për pastrimin e mbetjeve dhe baltës së depozituar nga vërshimi i ujit. Ndërkohë, situata mbetet shqetësuese, pasi reshjet kanë dëmtuar edhe një pjesë të rrugës brenda lagjes, e cila rrezikon të shembet.

Banorët shprehen të shqetësuar për përsëritjen e kësaj problematike, duke theksuar se mjaftuan vetëm pak minuta reshje për të shkaktuar këtë situatë. Sipas tyre, nëse reshjet do të kishin vijuar për një kohë më të gjatë, dëmet mund të ishin shumë më të mëdha.

Ata ia atribuojnë situatën bllokimit dhe devijimit të përroit, si dhe mungesës së ndërhyrjeve për pastrimin e kanalit kullues. Për këtë arsye, banorët kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit vendor për zgjidhjen e problemit dhe marrjen e masave parandaluese, për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve në rast të reshjeve të tjera.

Rreth 30 minuta reshje shiu mjaftuan për të shkaktuar një situatë problematike gjatë ditës së diel në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.

Uji i vërshuar bllokoi rrugën dhe rrezikoi banesat e bizneset, ndërsa pasojat janë ende të dukshme edhe këtë të hënë.

Banorët vijojnë pastrimin e baltës dhe mbetjeve, por shqetësimi i tyre mbetet i madh. Ata paralajmërojnë se, nëse reshjet do të përsëriten, dëmet mund të jenë edhe më të rënda, ndaj kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.