Stilolapsi me të cilin astronautët e misionit Apollo 11, Buzz Aldrin, Neil Armstrong dhe Michael Collins, arritën të ktheheshin në Tokë në vitin 1969 është shitur në ankand.

Pas një gare ofertash mes pesë koleksionistëve, stilolapsi prej u shit për 857.600 dollarë në një ankand të organizuar së fundmi nga Sotheby’s në Nju Jork. Blerësi mori gjithashtu edhe ndërprerësin elektrik të dëmtuar që e detyroi Aldrinin të gjente një zgjidhje të improvizuar me stilolapsin, një veprim që, sipas tij, i shpëtoi astronautët nga rreziku për të mbetur "përgjithmonë në Hënë".

Aldrin dhe Armstrong sapo kishin përfunduar një shëtitje treorëshe në Detin e Qetësisë kur vendosën të pushonin. Teksa po bëhej gati për të fjetur, Aldrin vuri re një buton të vogël të zi në dyshemenë e modulit hënor Eagle. Pas disa kontrollesh, astronautët kuptuan se ai ishte ndërprerësi i qarkut për aktivizimin e motorit.

“Ishte ndërprerësi më i keq i mundshëm që mund të prishej, sepse pa të nuk do të mund të ngriheshim nga sipërfaqja e Hënës”, shkroi Aldrin në letrën që shoqëronte objektet e ankandit.

Astronautët njoftuan Qendrën e Kontrollit të Misionit të NASA-s në Hjuston, por në fund zgjidhja erdhi falë, siç e përshkruan Aldrin, “zgjuarsisë njerëzore”. Ndërkohë, Michael Collins po orbitonte Hënën në bordin e modulit të komandës Columbia.

“Do të mund ta shtypja ndërprerësin me gisht, por përmes tij kalonte energji elektrike dhe nuk doja të goditesha nga rryma,” shkruan Aldrin. “Kisha një marker plastik në njërin prej xhepave të kostumit tim. Ai përshtatej në mënyrë perfekte me hapësirën e ndërprerësit. E shtyva markerin, ndërprerësi u aktivizua dhe qarku i motorit u rivendos. Tani mund të largoheshim nga sipërfaqja e Hënës, të takoheshim me Mike në modulin e komandës dhe të ktheheshim në shtëpi. Fatkeqësia u shmang.”

Nuk është plotësisht e qartë se si u dëmtua ndërprerësi. Ka shumë mundësi që njëri prej astronautëve ta ketë goditur panelin me kostumin e tij të rëndë hapësinor, i cili përfshinte sistemin e mbështetjes së jetës, para ose pas ecjes në Hënë.

“Është shumë i rëndë dhe i vështirë për t’u manovruar,” tha Armstrong në një intervistë për ABC Neës në vitin 2019. “Je si përbindëshi Frankenstein. Dhe ke një çantë të madhe në shpinë.”

Në letrën shoqëruese, Aldrin shkroi se “unë mendoj se Neil e theu ndërprerësin, ndërsa Neil mendon se e theva unë”. Megjithatë, në librin e tij të vitit 2016, Aldrin pranoi se ndoshta ishte ai përgjegjësi.

“Meqenëse ndërprerësi ndodhej në anën time të kapsulës, me sa duket e godita pa dashje,” shkruan ai.

Pavarësisht incidentit, Aldrin, Armstrong dhe Collins u kthyen në Tokë pa asnjë problem. Megjithatë, drejtuesit e NASA-s e morën shumë seriozisht këtë ngjarje. Në modulet hënore të mëvonshme, inxhinierët vendosën mbrojtëse mbi ndërprerësit elektrikë për të parandaluar përsëritjen e një problemi të ngjashëm.

Pas kthimit nga Hëna, NASA ia dhuroi Aldrinit si ndërprerësin e dëmtuar, ashtu edhe stilolapsin.

Aldrin u përpoq t’i shiste këto objekte në ankand edhe në vitin 2022, por ato nuk arritën çmimin minimal të paracaktuar dhe mbetën pa u shitur. Ndërkohë, xhaketa e bardhë që ai veshi gjatë fluturimit u shit atë vit për 2,8 milionë dollarë.

Ankandi i fundit i Sotheby’s përfshinte edhe disa objekte të tjera nga koleksioni personal i Aldrinit, mes tyre flamurin e shtetit të Nju Xhersit që ai e çoi në Hënë, portretin e tij si kadet në West Point, punime universitare, një figurë të personazhit Buzz Lightyear, dhuratë nga regjisori i Toy Story, John Lasseter, si dhe rreth dy duzina orësh dore që pasqyrojnë shijet e tij gjatë dekadave.