Kryeministri Hashim Thaçi ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm pune, pas raportimeve për një rast të dyshuar me Ebola në Maqedoni. Këtë të premte, ai ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani si dhe ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi për të diskutuar mbi rrezikun e përhapjes së virusit vdekjeprurës Ebola.
 
"Ky grup duhet të marrë hapat e nevojshme për të monitoruar gjendjen dhe parandaluar përhapjen në Kosovë", thuhet në postimin e Thaçit në Facebook.
 
Aty për herë të parë Kryeministri reagon edhe për skandalin që përfshiu Ministrinë e Shëndetësisë.
 
"Gjithashtu, diskutova me ta për çështjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare lidhur me pajisjet shëndetësore. I udhëzova që të merren sa më shpejt masa ndëshkimore për personat përgjegjës, të garantohet maksimumi i transparencës me publikun si dhe të sigurohet bashkëpunimi i plotë me organet e drejtësisë", thuhet ne postimin e Thacit ne Facebook.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)