Shqipëria iu bashkua vendeve që mbështetën rezolutën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në përgjigje të rrezikut që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë. Gjatë Sesionit të 69 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u zhvillua mbledhja e posaçme e Këshillit të Sigurimit, për qëllim miratimin e rezolutës e cila konfirmon vendosmërinë e shteteve anëtare për të bashkërenduar veprimet ndaj terrorizmit në të gjitha format e tij, të cilat përbëjnë rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, Ministri Bushati theksoi se: “Luftëtarët e huaj terroristë paraqesin një rrezik gjatë gjithë trajektores së lëvizjes së tyre, si në destinacionin përfundimtar ashtu edhe në shtetet ku ata tranzitojnë. Por ky rrezik është po ashtu i madh edhe për shtetet e origjinës, kur kthimi në këto vende paraqet rrezik potencial veçanërisht atëherë kur strukturat e sigurisë janë të pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është i pa konsoliduar ose kur ka rrethana komplekse të përbërjes etnike ose fetare, siç është rasti në Ballkan. Shqipëria është krenare që është ndër vendet e para të cilat i janë përgjigjur kësaj sfide”.

Ministri Bushati nënvizoi nevojën e adresimit të faktorëve socialë dhe ekonomikë që favorizojnë përfshirjen e luftëtarëve të huaj në rrjetet dhe aktivitetet terroriste. Në mbyllje të fjalës së tij, Ministri shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për forcimin e paqes dhe stabilitetit.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)